Volodymyr Zelenksy

Bota

Zelensky: Pa SHBA, Europa nuk mund të garantojë sigurinë e Ukrainës! Jemi të gatshëm të shkëmbejmë territore me Rusinë

11 Shkurt, 16:24| Përditesimi: 11 Shkurt, 16:32

  • Share

Nëse ish-presidenti amerikan Donald Trump vendos të tërheqë mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën, Europa nuk do të jetë në gjendje të mbulojë boshllëkun e krijuar.

Kështu është shprehur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë për The Guardian, një ditë përpara një udhëtimi diplomatik të rëndësishëm për të ardhmen e konfliktit.

"Ka zëra që thonë se Europa mund të na ofrojë garanci sigurie pa amerikanët, por unë gjithmonë them jo", tha Zelensky nga Kievi.

"Garancitë e sigurisë pa Amerikën nuk janë garanci të vërteta sigurie".

Presidenti ukrainas theksoi se mbështetja ushtarake e SHBA-së është jetike, duke përmendur sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot si një shembull konkret.

"Edhe vetëm nga ky shembull i vogël, mund të shihet se pa Amerikën, garancitë e sigurisë nuk mund të jenë të plota", shtoi ai.

Ndërkohë, Trump ka pranuar se ka zhvilluar tashmë një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, me synimin për të hapur rrugën për negociata. Zelensky e cilësoi si thelbësore që presidenti amerikan të takohet me një delegacion ukrainas përpara se të bisedojë me Putinin, por nuk e kritikoi drejtpërdrejt Trump për deklaratat e tij të paqarta.

"Qartësisht, ai nuk dëshiron që të gjithë të dinë detajet, dhe kjo është një zgjedhje e tij personale", tha ai.

Nëse Trump arrin të organizojë një tavolinë negociatash mes Ukrainës dhe Rusisë, Zelensky ka deklaruar se është i gatshëm të ofrojë një shkëmbim territorial me Moskën. Ai tha se Ukraina mund të heqë dorë nga territoret që kontrollon aktualisht në rajonin rus të Kurskut, të cilat janë pushtuar pas një ofensive surprizë gjashtë muaj më parë.

“Do të shkëmbejmë një territor me një tjetër,” tha ai për The Guardian, por pranoi se ende nuk dihet se cilën pjesë të territorit të okupuar nga Rusia do të kërkojë Ukraina në këmbim.

"Nuk e di, do ta shohim. Por për ne, të gjithë territoret janë të rëndësishme, nuk ka një prioritet të vetëm," shtoi ai.

Në përpjekje për të forcuar mbështetjen amerikane, Zelensky tha se është i gatshëm t'u ofrojë kompanive amerikane kontrata të rëndësishme për rindërtimin e Ukrainës pas luftës. Në intervistën për The Guardian, ai shpjegoi se investitorët amerikanë mund të përfitojnë nga koncesionet dhe projektet e mëdha të infrastrukturës, si një mënyrë për të siguruar mbështetjen e Trump.

"Ne jemi të gatshëm të flasim në detaje për këto çështje. Ata që na ndihmojnë të shpëtojmë Ukrainën, do të kenë mundësinë për ta rindërtuar atë," tha ai, duke përmendur burimet natyrore të Ukrainës si uraniumi dhe titani, që mund të jenë me interes për SHBA-në.

Ndërkohë, Rusia ka bërë të ditur se po zhvillon bisedime me Ukrainën dhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar për të krijuar një korridor humanitar për civilët në rajonin e Kurskut, i cili është pjesërisht nën kontrollin e forcave ukrainase.

Lajmin e konfirmoi Tatiana Moskalkova, komisionerja për të drejtat e njeriut në qeverinë ruse.

"Po punojmë ngushtë me Ukrainën për këtë çështje, së bashku me Kryqin e Kuq. Ka shpresë për një rezultat pozitiv," tha ajo për agjencinë Interfax.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?