Presidenti amerikan pritet të njoftojë orët në vijim planin për armatimin e Ukrainës me raketa Patriot, për të cilat thotë se do të paguajë BE-ja.
I dërguari special i Presidentit Trump për Ukrainën u takua sot me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Keith Kellogg, i cili është ngarkuar me detyrën për të ndihmuar në ndërmjetësimin e përfundimit të luftës në Ukrainë, foli me Zelenskyn menjëherë pasi Trump tha se Shtetet e Bashkuara do dërgojnë armatim në Ukrainë.
Zelensky në një postim në platformën sociale e quajti atë një “bisedë produktive”.
“Diskutuam rrugën drejt paqes dhe çfarë mund të bëjmë praktikisht së bashku për ta afruar atë”, shkroi Zelensky. “Kjo përfshin forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, prodhimin e përbashkët dhe prokurimin e armëve mbrojtëse në bashkëpunim me Evropën. Dhe sigurisht, sanksione kundër Rusisë dhe atyre që e ndihmojnë atë. Shpresojmë për lidershipin e SHBA-së, pasi është e qartë se Moska nuk do të ndalet nëse ambiciet e saj të paarsyeshme nuk frenohen përmes forcës. Falënderoj Keith Kellogg për këtë vizitë në Ukrainë. Jam mirënjohës ndaj Presidentit Trump për sinjalet e rëndësishme të mbështetjes dhe vendimet pozitive për të dy vendet tona. Ne e vlerësojmë thellësisht mbështetjen e popullit amerikan', tha ai.
Trump javën e kaluar tha se SHBA-të do t'i siguronin armë mbrojtëse Ukrainës pasi Pentagoni vendosi një ndalesë në dërgesat në Kiev.
Komente
