Raketa FP-5 Flamingo

Bota

Zelensky ‘sfidon’ Putinin me Flamingon raketën ukrainase me një rreze veprimi prej 3 mijë kilometrash

22 Gusht, 14:57| Përditesimi: 22 Gusht, 15:00

  • Share

Presidenti Zelensky e ka cilësuar atë si shtyllën e garancive të sigurisë për të negociuar paqen: "Një raketë e aftë të godasë edhe në tre mijë kilometra". Një armë frikësuese, që vë në shënjestër qytetet dhe industritë ruse me një fuqi shkatërruese shumë më të madhe se dronët ukrainas, të lëshuar pothuajse çdo natë kundër rafinerive të naftës dhe bazave ushtarake. Tani Kievi tregon se ka tashmë një mjet shpërthyes me performanca të ngjashme: FP-5 Flamingo, i prezantuar pikërisht në momentin kyç të negociatave.

Bëhet fjalë për një raketë lundrimi, pra që fluturon me një trajektore të ngjashme me një avion, me një shpejtësi prej nëntëqind kilometrash në orë dhe një rreze veprimi mbi 2500 kilometra: mund të godasë Moskën ose Shën Petërburgun dhe të arrijë deri në Ural pa probleme. Thuhet se ngarkesa shpërthyese është një ton: një e dhënë ndoshta e ekzagjeruar, sidomos për objektivat më të largët, që megjithatë dëshmon një forcë shkatërruese të konsiderueshme.

Deri tani kufiri i sulmeve ajrore të nisura – siç ka thënë Zelensky – "për ta çuar luftën në zemër të Rusisë" kanë qenë ogivat e vogla të mjeteve ajrore pa pilot, që zakonisht me më pak se pesëdhjetë kilogramë tritol shkaktojnë dëme të kufizuara në impiantet industriale, pa i asgjësuar linjat e prodhimit. Me Flamingo-n mund të jetë një histori tjetër dhe ekziston hipoteza se është përdorur dy ditë më parë kundër një infrastrukture të naftës.

Prodhohet nga kompania ukrainase Fire Point, e krijuar nga një grup profesionistësh pa përvojë ushtarake për të ndërtuar dronë. Në të vërtetë, disa analistë supozojnë se është projektuar në Britaninë e Madhe, ndoshta nga një filial anglez i vetë Fire Point, i quajtur Milanion.

Për të pasur një mjet frikësimi kundër sulmeve ruse, Kievi ka kërkuar të transformojë raketën moderne kombëtare Neptune – që debutoi në pranverën e vitit 2022 duke fundosur kryqëzorin Moskva – por rrezja e veprimit nuk shkon përtej 800 kilometrave. Projekti i një rakete balistike hipersonike nuk duket se po bën hapa përpara.

Projekti i Flamingo-s duket elementar, i ngjashëm me trupin e një avioni luftarak të viteve gjashtëdhjetë: disa foto tregojnë ngjashmërinë e motorit me atë të avionit çek L-39. Hedhja kryhet me shtytjen e një rakete që më pas shkëputet. Fire Point pretendon se ndërton një në ditë, që nga tetori do të bëhen shtatë, dhe i ka lejuar Associated Press të filmojë një depo me shumë Flamingo gati për përdorim.

Përfshirja në konflikt e këtyre armëve në numra të mëdhenj mund ta vërë Rusinë në vështirësi dhe ta shtyjë Moskën drejt një përshkallëzimi me pasoja të paparashikueshme. Shpresa është që Flamingo të mbetet një pistoletë e vendosur nga Zelensky mbi tavolinën e negociatave, për ta mbajtur Putinin nën presion./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Abale: 22/08/2025 15:04

    Me kete rakete zeleshi do te zhhduket nga harta perfundimisht

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?