Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, do të bëjë vizitën e tij të parë ditën e sotme (27 maj) në Spanjë, ku pritet që të takohet me kryeministrin Pedro Sanchez.
Dy liderët pritet të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi dypalësh që do të rrisë bashkëpunimin ekonomik e social.
Sanchez do të presë presidentin e Ukrainës gjatë mesditës, pas së cilës ata do të mbajnë edhe një konferencë për shtyp, tha në një deklaratë zyra e kryeministrit spanjoll.
Kjo vizitë e Zelenskyt në Spanjë vjen në mes të luftimeve të ashpra në Ukrainën lindore, ndërsa forcat ruse vazhdojnë të sulmojnë përgjatë vijës së frontit. Presidenti ukrainas duhej që të vizitonte Spanjën në mes të muajit majit, por vizita u shty për shkak të ofensivës ruse.
Nga ana tjetër, Sanchez tha më herët se ai po përgatitej të nënshkruante një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi me Zelesnkyy.
"Ne kemi bërë përparim vendimtar në marrëdhëniet tona dypalëshe me qeverinë ukrainase. Aq sa mund t'ju njoftoj se, sa më shpejt që situata në front të lejojë, ne do të nënshkruajmë një marrëveshje me Ukrainën që do të rrisë bashkëpunimin ekonomik, social dhe institucional midis vendeve tona”, shtoi ai.
Ashtu si vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian, Spanja është angazhuar të mbështesë Ukrainën me ndihmë financiare dhe ushtarake që nga pushtimi rus në shkurt 2022.