Emërimet politike në pozita të larta shtetërore në Serbi mund të mos u bëjnë përshtypje shumë qytetarëve të Kosovës.
Por, në fshatin Tërrnje të Komunës së Suharekës, emërimi i fundit i ish-gjeneralit serb, Bozhidar Deliq, në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, ka shkaktuar zemërim.
Në këtë fshat më 25 mars të vitit 1999, sipas dëshmitarëve, forcat paramilitare dhe ushtarake serbe vranë 46 civilë shqiptarë. Në mesin e tyre ishin edhe 22 anëtarë të ngushtë të familjes Gashi.
Deliq, tani ushtarak në pension, dyshohet se ka pasur përgjegjësi të drejtpërdrejtë në kryerjen e këtyre krimeve në Tërrnje të Suharekës, si dhe vrasjeve të qindra qytetarëve të tjera në Prizren, Rahovec dhe Dragash.
Në kohën kur u kryen këto krime më 1998-1999, Deliq ishte komandat i Brigadës së Motorizuar 549 të ushtrisë Jugosllave.
Më 16 gusht 2022, Shoqata për krimet e luftës “Gjakova 98-99”, dorëzoi kallëzim penal kundër Deliqit në sektorin e krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
“Ai e meriton të jetë në burg”
Pas 23 vjetësh, në mesditën e 10 gushtit, ekipi i Radios Evropa e Lirë e gjeti 58-vjeçaren Hamide Gashi pranë një trëndafili në oborrin e shtëpisë së saj në fshatin Tërrnje të Suharekës.
Trëndafili është mbjellë para 23 vjetësh pranë vendit ku forcat serbe vranë dhe dogjën trupin e djalit të saj, Votimit, që ishte 7 vjeç.
Hamide Gashi pranë trëndafilit ku u vra djali i saj, Votimi 7 vjeç.
Derisa përshkruan momentin kur iu vra djali dhe kunata e saj, Hamidja shprehet e revoltuar se si persona të dyshuar për këto vrasje, përfshirë ish-ushtarakun serb, Bozhidar Deliq, janë të lirë dhe mbajnë pozita të larta shtetërore në Serbi.
“Po, kam dëgjuar për të [Bozhidar Deliqin]. Ai i ka urdhëruar, krejt dhe çfarë ka thënë ai këta kanë bërë”, shprehet Hamidja kur pyetet nëse ka dëgjuar ndonjëherë për Bozhidar Deliqin.
Më 25 mars 1999, kur u vranë 46 civilë në Tërrnje, Hamidja, burri i saj, djali tjetër që kishte dhe vajza arritën të mbijetonin edhe pse ndodheshin në shtëpinë e njëjtë kur forcat serbe vranë Votimin.
Pas disa ditësh, Hamidja dhe familja e saj u kthyen në fshat ku gjetën trupin e djegur të Votimit, të cilin e varrosën në varrezat e fshatit Tërrnje.
Votim Gashi u varros në këtë vend pas disa ditësh. Familja e gjeti trupin e tij të djegur brenda shtëpisë.
Në vitet e para të pasluftës, Hamidja thotë se ka besuar se dikur do të kishte drejtësi.
Për këtë, ajo kishte shkuar në Beograd për të dëshmuar në një proces gjyqësor kundër ushtarakëve serbë që akuzoheshin se kishin përgjegjësi në vrasjet që ndodhën në fshatin Tërrnje.
Por, dëshmitë thotë se i dha kot, pasi shprehet e bindur se Serbia nuk dëshiron t’i dënojë njerëzit e vetë edhe pse për ta, siç thotë ajo, ka dëshmi se kanë qenë të përfshirë në vrasjen e civilëve. Argumenti më i mirë, thotë Hamidja, është mosndjekja penale e Bozhidar Deliqit.
“Ai e meriton të jetë në burg. Moti e ka merituar, tashmë vonë është. Qe sa vite është kjo punë, është dashur me fillim të dënohet”, shprehet e zemëruar Hamidja.
Shtëpitë e familjes Gashi në Tërrnje. Nga kjo familje u vranë gjithsej 22 anëtarë.
“Askund nuk gjetëm drejtësi”
Rreth 50 metra larg shtëpisë së Hamides, ulur në ballkonin e shtëpisë takuam Gjyle Gashin, 57 vjeçe, një e mbijetuar tjetër e sulmit të 25 marsit të vitit 1999.
Forcat paramilitare e ushtarake serbe, Gjylës ia vranë vajzën Besartën, 13 vjeçe, burrin Shabanin (37), kunatin Hamziun (36), kunatën Ajmanën, (30), si dhe vjehrrën Bahrijen (50).
Gjyla mbanë në duar pak fotografi të vajzës, burrit dhe vjehrrës, që i kanë shpëtuar pas djegies së shtëpisë.
Familjarët e vrarë të Gjyle Gashit. Më e reja Besarta që ishte 13 vjeçe.
Ajo thotë se është ndierë keq kur parë në lajme emërimin e Bozhidar Deliqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë.
Jo vetëm Deliq, por edhe të dyshuarit e tjerë është dashur të jenë në vuajtje të dënimit e jo të kenë mundësinë të promovohen në pozita të larta shtetërore, thotë ajo.
“Po si të ndihem më keq? Tash së fundmi e pash në lajme [emërimin e Bozhidar Deliqit], më keq nuk ke se si të ndihesh. Si të ndihem kur po shpërblehen ata që kanë bërë krime këtu? Si është më keq? Por, nuk kemi se çfarë të bëjmë asgjë më tepër”, shprehet Gjyle Gashi.
Ajo thotë se në të kaluarën ka shkuar dy herë në Beograd për të dëshmuar për krimet që ndodhën në fshatin Tërrnje.
Por, siç shprehet Gjyla, prokuroria dhe gjykata atje nuk e kishin përnjëmend hetimin e as gjykimin e të dyshuarave për vrasjen e popullatës civile shqiptare.
Së fundmi, institucionet e Kosovës kanë nisur një hetim për krimet lufte të kryera nga forcat ushtarake dhe policore serbe në fshatin Tërrnje, por Gjyla nuk pret rezultate nga ky proces.
“Deri më tani gjithçka ka qenë dështim. Tash e tutje nuk e di çka bëhet”, shprehet Gjyla e mllefosur.
Varri i Besarta Gashit, vajzës së Gjylës.
Shabani dhe vëllai i tij Hamziu u gjetën të vrarë në fshatin Tërrnje dhe u varrosën aty.
Trupat e Besartës, Ajmonës dhe Bahrijes u gjetën më 10 gusht 1999, të varrosur në një varrezë masive në fshatin Breznë të Dragashit, rreth 60 kilometra larg vendit ku u vranë.
FHD-ja dorëzoi dy kallëzime penale për Bozhidar Deliç
Për krimet e kryera në fshatin Tërrnje, edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd kishte dorëzuar kallëzim penal në Zyrën e Prokurorit për Krime Luftë në Serbi ndaj ish-gjeneralit serb, Bozhidar Deliq, dhe dhjetë ushtarakëve të tjerë.
Sipas kallëzimit penal, Bozhidar Deliq dhe dhjetë ushtarakë të tjerë, shumica pjesëtarë të Brigadës së Motorizuar 549, nën urdhrin e tij, si dhe të disa pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, kishin vepruar në një plan të paracaktuar si dhe me marrëveshje për t’i kryer këto vrasje.
Bozhidar Deliq, gjeneral në pension, në ditëlindjen e Sllobodan Millosheviqit në muajin gusht të vitit 2012, duke promovuar librin e fjalimeve të tij në Tribunalin e Hagës "Unë akuzoj" (Optuzujem).
Këta udhëheqës ushtarakë, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd (FHD), kishin udhëhequr operacionin e vrasjes së civilëve, shkatërrimit të pronës si dhe më pas, pastrimit të vendeve të krimit duke mbledhur trupat e viktimave, duke i transportuar në Dragash dhe në fund duke i varrosur në një varrezë masive.
Dy udhëheqësit e tjerë të përfshirë në kallëzim penal, Pavle Gavrilloviq, dhe Rajko Kozlina, u akuzuan nga Zyra e Prokurorit për Krime Lufte në Serbi se kishin udhëhequr operacionin e vrasjes, mbledhjes, transportimit dhe varrosjes në varrezë masive të viktimave nga fshati Tërrnje.
Sipas FHD-së, në këto operacione kishin marrë pjesë një numër i madh i pjesëtarëve të Brigadës së Motorizuar 549, që udhëhiqej nga Deliq.
Pas një procesi gjyqësor të tejzgjatur, në prill të vitit 2019, Pavle Gavrilloviq u lirua nga akuzat, ndërsa Rajko Kozlina u dënua me 15 vjet burgim. Por, ai i iku drejtësisë, duke shmangur vuajtjen e dënimit.
Përkundër fakteve dhe dëshmive, Bozhidar Deliq nuk është përballur asnjëherë me drejtësinë, konfirmojnë në FHD.
“FDH ka paraqitur dy kallëzime penale kundër Bozhidar Deliqit. E para në vitin 2008 për krimet e kryera në fshatin Tërrnje në mars të vitit 1999. E dyta është dorëzuar në vitin 2013 për krime të kryera në fshatin Landovicë [Prizren]. Prokuroria serbe për Krime Lufte asnjëherë nuk e ka akuzuar [Bozhidar] Deliqin për këto krime”, konfirmon për Radion Evropa e Lirë, drejtoresha ekzekutive e FHD-së në Beograd, Ivana Zhaniq.
Kallëzimi i dytë penal që FHD-ja dorëzoi në vitin 2013 në Zyrën e Prokurorit për Krime Lufte në Serbi, akuzon Bozhidar Deliqin se më 26 mars të vitit 1999, kishte urdhëruar një sulm me artileri të rëndë, përfshirë tanke, që la të vrarë 12 civilë, përfshirë gjashtë fëmijë në fshatin Landovicë të Prizrenit.
Predhat e tankeve kishin goditur një shtëpi ku po fshiheshin 45 banorë të fshatit.
Aty u plagos rëndë edhe 65-vjeçarja Fahrije Morina, të cilën ekipi i REL-it e takoi në orët e pasdites së 10 gushtit, në oborrin e shtëpisë së saj në fshatin Landovicë.
Fahrije Morina, e plagosur në fshatin Landovicë të Prizrenit.
E ulur pranë burrit, Kurtishit, Fahrija rrëfen se si granatat e parë që kishin rënë në fshat e kishin plagosur në të dyja këmbët.
Në këtë sulm asaj ia vranë kunatën dhe vajzën e saj Njomzën 15 vjeçe, si dhe mbesën e tyre Festinën, që kishte mbushur dy vjet.
“Jam plagosur prej granatës. Mi kanë hequr tani copat e granatës. I kam krejt shenjat, këmbët, dy kërdhokullat i kam pasur të djegura krejt. Me rroba, me të gjitha. Njëzetekatër orë më ka rrjedhur gjaku”, rrëfen Fahrija, e mbijetuar e sulmit të 26 marsit të vitit 1999.
Pas gati një muaji, Fahrija thotë se sërish u ngrit në këmbë dhe filloi të ecte, por kujtimet e asaj dite thotë se i kanë mbetur në mendje përjetësisht.
Radio Evropa e Lirë i ka shkruar Zyrës së Prokurorit për Krime Lufte të Serbisë, për të pyetur se pse nuk është ndërmarrë ndonjë veprim ndaj gjeneralit Deliq pas ngritjes së dy kallëzimeve penale ndaj tij, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Nga ushtria në politikë
Në Kosovë, Bozhidar Deliç, mund jetë një emër jo shumë i njohur, por ai fëmijërinë e hershme e ka kaluar në fshatin e tij të lindjes, Lugbunar të Gjakovës.
Aty ka kryer shkollën fillore, për t'u zhvendosur më pas në Beograd të Serbisë ku përfundoi akademinë ushtarake.
Në biografinë e tij të publikuar pas zgjedhjes në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, mungon një pjesë e konsiderueshme e karrierës ushtarake.
Aty nuk përmenden fare pozitat e as përgjegjësitë që ka pasur gjatë luftës së Kosovës, përkatësisht në vitet vitet 1998-1999.
Nga vitit 1977, në biografinë e publikuar, kalohet direkt në vitin 2002.
Bozhidar Deliq u pensionua nga ushtria serbe në vitin 2005 dhe më pas iu fut politikës.
Karriera e tij politike karakterizohet kryesisht me të qenit anëtar i Partisë Radikale në Serbi.
Më vonë u bë anëtar i Partisë Progresive të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, por edhe nga kjo parti u largua.
Në janar të këtij viti themeloi një lëvizje politike të quajtur “Nuk ka kthim, Serbia qëndron prapa”.
Ai ka qenë disa herë deputet i Kuvendit të Serbisë. Kjo është hera e dytë që shërben si nënkryetar i këtij institucioni.
Deliq ishte dëshmitar i mbrojtjes në procesin gjyqësor në Tribunalin e Hagës ndaj ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Mollosheviq, dhe ish-udhëheqësit ushtarak, Vladimir Lazareviq, që u dënua për krime lufte në Kosovë.
Emërimi i Deliqit në pozitën e nënkryetarit të Parlamentit të Serbisë nxiti reagimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se ai ishte komandat i një brigade ushtarësh “që masakruan mijëra kosovarë”.
Pas reagimeve, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar me një kërkesë për të folur për akuzat që rëndojnë mbi të, mirëpo Deliq nuk ka kthyer përgjigje.
Derisa ishte në detyrë ish-presidenti Sllobodan Mollesheviq, ai kishte shpërblyer brigadën 549 për rolin e saj në luftën e Kosovës, duke i dhënë kësaj brigade urdhrin “Hero i Kombit”.
Bozhidar Deliq gjatë dëshmisë në Tribunalin e Hagës.
Në vitin 2013, Fondi për të Drejtën Humanitare publikoi një dosje që përmbante dokumentacionin më gjithëpërfshirës deri më tani të ofensivave ushtarake në të cilat ishte e përfshirë brigada 549 në disa prej fshatrave të Kosovës në muajt mars dhe prill të vitit 1999, që sipas kësaj organizate, rezultuan në gjithsej 885 të vrarë.
Sipas të dhënave të FHD-së, në luftën e Kosovës janë vrarë rreth 13.500 qytetarë, shumica e tyre shqiptarë.