Ngjyra blu, jeshile, të kuqe, okër, një festë ngjyrash: imazhe bregdetare, aq të dashura për artistin që është rritur në Vlorë, buzë ujërave, që dhe në këto vite të hirta ka ende spërkatjen e dallgëve dhe gjurmët e erërave detare që e kanë përkundur që fëmijë. Një artist fjalëpakë. Dikush që i vështron këto punime kujton se është një skulptor, por papritur befasohet… pra jo vetëm skulptor, por edhe piktor! Zeqir Alizoti është një skulptor i cili pas studimeve të larta për skulpturë në Tiranë iu kushtua qeramikës për disa dhjetëvjeçarë, ku krahas terakotave u perfeksionua dhe gdhendjen në dru, në bakër, në skulpturën monumentale me figura historike e popullore, por dhe me burra të mëdhenj të kombit siç është dhe shtatorja për Ismail Qemalin në Vlorë, çka të gjitha bashkë përbëjnë korpusin artistik të një jete.
Ishte vërtet e habitshme të shikoja gjatë një vizite të shpejtë punimet e fundit të këtij skulptori, i cili prej disa vitesh duket se i është kthyer pikturës, kavaletit dhe veçanërisht peizazhit në vaj, çka përbën një pasion të përditshëm për të: natyra, deti, hapësirat e mëdha qiellore, dhe jo vetëm ato të brigjeve të Jonit por dhe bregdeti italian i Adriatikut. Gjithnjë pranë detit, erërave, natyrës që pulson përballë tij, çka i jep një tjetër dinamizëm telajos së tij, penelit, ngjyrës, ngjizmës, penelit që nxiton të kapë dhe fiksojë dritën, thua se ajo do t’i shkasë, do t’i ikë, për të krijuar kështu kontrastet harmonike të ngjyrave, dritave në një kolorit të mrekullueshëm dhe të gëzueshëm, sikur vetë piktura në telajo të dojë të të thotë: “Tani mund të vish të prehesh këtu!”
I habitshëm ky pasion disa vjeçar për pikturën edhe pse për një qeramist, puna me terakotën, vizatimet për to, e çojnë një skulptor drejt pikturës. Le të kujtojmë një çast vizatimet me ngjyra, akuarelet e mrekullueshme dhe aq sensuale të Auguste Rodin. Por ndodh dhe e kundërta, që nga piktura të shkosh drejt skulpturës, siç ka ndodhur me Aristide Maillol, i cili në moshën 40- vjeçare, pas eksperiencës në pikturën e kavaletit dhe të vizatimit, kaloi drejt skulpturës duke u bërë një pasues i denjë i Rodenit. Kur vallë ndodh ky kapërcim që të kalosh nga piktura në skulpturë apo anasjelltas? Vallë është ngjyra që fiton përparësi mbi formën e ngurtë? Vështirë ta përcaktosh pasi tek çdo artist mundësitë e shprehjes janë të jashtëzakonshme.
Arif Dino, me origjinë shqiptare, biri i firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë dhe një nga aktorët kryesorë në qeverinë e Ismail Qemalit, ishte një poet që me “calligrames” e tij poetike mund ta cilësojmë sot si një “Apollinaire shqiptar”, por që pikturat e bënte në tavolinën e kafenesë mbi copa letrash me një copë laps apo me llumin e kafesë, e që padyshim janë vizatime e “croquis” mjaft moderne. Zeqir Alizoti tashmë pikturon, edhe pse porta e atelierit të tij për skulpturën është gjithnjë e hapur.
Padyshim duhet të jetë gjendja shpirtërore ajo që e bën artistin të shprehet në një formë apo në një tjetër. E bukura, që të flasë, do jo vetëm mjeshtri, por së pari frymë. Dhe fryma këtij artisti nuk i mungon. Ajo është thellë tij, e mbrujtur ndër vite. Nata bie, duart përgjumen dhe kavaleti pret në errësirë. Është agu, drita dhe dëshira për të jetuar në art dhe përmes artit… Le të prehemi atëherë në këtë festë ngjyrash…