Kultura

“Zërat e kujtesës”, ekspozitë mbi dëshmitë e diktakturës! Gjimnazistët risjellin përmes artit vuajtjen e të shkuarës

10 Mars, 13:53| Përditesimi: 10 Mars, 17:07

  • Share

Janë një mozaik historish, të cilat rrëfehen bashkë e që sjellin para syve tanë vuajtjet e jetuara gjatë komunizmit. 

Nënë Vasia, një grua e përkushtuar ndaj nipërve dhe mbesave që vdiqën në krahët e saj; Gjosho Vasia, një djalë që pavarësisht se ishte i izoluar arriti të jetë krijues dhe të shkruajë poezi, një vajzë 15-vjeçare e dhunuar brutalisht, një djalë duke luajtur në fushë e që mbyll jetën pasi shkel një minë, nëna e tetë fëmijëve që arratiset bashkë me fëmijët dhe për shkak të vështirësive përpiqet të vrasë veten dhe një funksionar i lartë i shtetit të periudhës së komunizmit, i dënuar me burgim disa herë, “flasin” së bashku në këtë instalacion artistik në formën e një dere, që është vetëm një nga veprat e prezantuara në ekspozitën “Zërat e kujtesës” të çelur mesditën e kësaj të hëne në mjediset e Piramidës në Tiranë.

“Dera shihet nga të dy anët. Nga njëra anë shihen vetëm fjalët që ne kemi lexuar dhe nga ana tjetër janë personazhet dhe vuajtjet e tyre. Nga njëra anë është e djegur dhe nga ana tjetër, jo. Është diçka që nuk e përjetojmë dot. Kemi vetëm fjalët, por përjetimin e kemi ndryshe nga ata që e kanë përjetuar. Për ne është pak e vështirë t’i kuptomë, pavarësisht se i lexojmë dhe i ndiejmë, sepse nuk i kemi përjetuar vetë. Është mirë t’i rikujtojmë njerëzit që i kanë vuajtur. Ne nuk duhet të harrojmë kurrë ku kemi qenë dhe ku jemi.”, - shpjegon Dea Ymeraj, autore e instalacionit dhe nxënëse e shkollës "Jan Kukuzeli" në Durrës.

20 nxënës të shkollës “Jan Kukuzeli”, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve të Krimeve të Komunizmit prezantojnë rreth 30 punë (vizatime, piktura, instalacione, skulptura), të frymëzuara nga dëshmitë e personave të persekutuar gjatë regjimit komunist, të cilat janë botuar në kolanën “Zërat e Kujtesës”.

“Jemi munduar që historitë e atyre njerëzve që kanë kaluar këto vuajtje, kanë lënë shënimet e tyre, kanë lënë dëshmi për të gjithë sakrificat që kanë bërë në atë kohë, t’i intepretojmë si shpirtërisht, por edhe nga ana racionale, duke i ekuilibruar të dyja. Kemi arritur të bëjmë disa punë, që nuk janë vetëm piktura, por ka edhe instalacion dhe skulpturë. Kemi arritur të përfshijmë të gjithë zhanret: grafikë, vizatim. E morëm në fillim si nismë që ndoshta nuk e dinim do të arrinim te kjo.  Në këtë kohë në të cilën jetojmë është shumë e rëndësishme që të rikthehemi dhe të kujtojmë të kaluarën, që ta bëjmë sa më aktuale.”, - thotë Franc Priska, mësues në shkollën "Jan Kukuzeli".

“E menduam këtë ekspozitë dhe e titulluam ‘Zërat e kujtesës’ për t’i dhënë një pamje të re kolanës ‘Zërat e kujtesës’, që ne botojmë prej 10 vitesh. Në mënyrë që ta sillnim këtë sa më afër të rinjve por edhe për t’i dhënjë një lloj vizioni të ri të gjithë historive që transmetohen në ‘Zërat e kujtesës’ ne ia transmetuam ato të rinjve, të cilët u frymëzuan nga historitë e të persekutuarve dhe i hodhën në telajo.”, bën me dije Brisedia Lala, përgjegjëse e sektorit të kërkimit shkencor në ISKK.

ISKK ruan rreth 400-500 orë të regjistruara me dëshmi të personave që kanë vuajtur në burgjet e diktaturës, ndërkohë që përmes kolanës “Zërat e kujtesës”, nxënësit e shkollës “Jan Kukuzeli” janë njohur me këto dëshmi.

 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?