Në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit të Sigurimit mbi Ukrainën drejtuar nga kryeministri Edi Rama i Shqipërisë, Rusia shprehu pakënaqësinë për pjesëmarrjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe faktin që ai foli para anëtarëve të Këshillit.
Këtij debati mes Ramës dhe ambasadorit rus, i ka kushtuar një shkrim edhe Zëri i Amerikës, i cili shkruan se Rama iu përgjigj ashpër komenteve ambasadorit.
Por edhe para se Zelenskyy të merrte fjalën, ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia dhe kryeministri Rama, këmbyen polemika të ashpra. Rusia shprehu pakënaqësinë për pjesëmarrjen e presidentit Zelenskyy dhe faktin që ai foli para se të flisnin anëtarët e Këshillit. Ambasadori Nebenzia tha se Shqipëria kishte shkelur gjithashtu rregullat, duke ftuar një numër të madh përkrahësish (të Ukrainës) nga vende te NATO, si edhe ministin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, si kreun e radhës së OSBE-së.
Kryeministri Rama u përgjigj me ironi se “ky nuk është një operacion special i presidencës shqiptare”, një referencë ndaj emërtimit të Rusisë për ofensivën e saj kundër Ukrainës.
“Na vjen keq që Presidenca shqiptare po tregon një shpërfillje të hapur për praktikat për konsensus të Këshillit të Sigurimit. Ata po vendosin bindjet e tyre politike dhe ideologjike të NATO-s, mbi detyrimet e Këshillit të Sigurimit, që përcaktojnë procedurat dhe duhet të mbajë një qëndrim të paanshëm. Për fat të keq Shqipëria nuk arriti ta bëjë një gjë të tillë sot”, tha ambasadori Nebenzia.
Kryeministri Rama reagoi ashpër, duke thënë se i dukej interesante që Rusia jepte leksione për shkeljen e rregullave.“Por duke qenë se ju përsëritët shumë herë se shkelja ka të bëjë me faktin që Presidenti Zelenskyy të flasë më parë se anëtarët e Këshillit, ka një zgjidhje për këtë, nëse ju bini dakord. Ju ndalni luftën dhe presidenti Zelenskyy nuk e merr fjalën. Ajo që e bën atë të rëndësishëm këtu dhe ajo që e bën të rëndësishme për të gjithë ne që ta dëgjojmë atë fillimisht dhe pastaj të diskutojmë, është shkaktuar nga ju, jo nga ne”, tha ai.
Lajmi kryesor:
Debate në KS, Rama replika me ambasadorin rus: Ndalni luftën dhe Zelensky s'flet para jush! Lideri ukrainas thirrje OKB-së: Pezulloni veton ruse
SI.E./ReportTv.al