Ilir Yzeiri: Zëri i Amerikës, zëri i së vërtetës apo zëri i ‘Foltores’

3 Nëntor 2022, 11:15| Përditesimi: 3 Nëntor 2022, 11:21

  • Share

Më datën 2 nëntor « Zëri i Amerikës » publikoi një informacion mbi lirinë ë medias në Shqipëri duke thënë se :

«Në Shqipëri, komuniteti i gazetarëve dhe grupimet shoqërore që monitorojnë zhvillimet në spektrin mediatik, shprehin shqetësim për ceninim e vazhdueshëm të lirisë së shprehjes. Së fundi edhe raporti i KE-së veçoi se nuk është shënuar progres në fushën e medias, dhe se ndërthurja e interesave të politikës dhe biznesit vijoi të pengojë pavarësinë e saj dhe cilësinë e gazetarisë. Analistë dhe gazetarë konstatojnë, se gjithnjë e më shumë media po kthehet në një zgjatim të politikës. Institucionet publike thonë ata e kanë përkeqësuar transparencën, kryesisht në dhënien e informacionit mbi çështje që lidhen me afera korruptive duke penguar investigimet mbi korrupsionin, kontratat koncensionare, dhe mbi mënyrën se si shpenzohen paratë e buxhetit të shtetit. »

Ai që e dëgjon këtë paraqitje pret të shohë përfaqësuesit e këtij komuniteti të madh gazetarësh dhe të dëgjojë se ku është cenuar liria e medies, ku është përkeqësuar transparenca në dhënien e informacionit për kontratat korruptive e koncesionare e kështu me radhë. Mirëpo nga ky komunitet i madh gazetarësh janë intervistuar tre të tillë, mes tyre edhe Kryetari i Unionit të Gazetarëve z. Çipa, që nuk thonë asnjë gjë ose nuk sjellin asnjë fakt për të vërtetuar paraqitjen me ngjyrat e narrativës së « Foltores « që bën « Zëri i Amerikës ».

Gazetarja e parë që punon për një rrjet informativ flet për vështirësitë që ka ajo për marrjen e informacionit, por nuk specifikon asnjë rast konkret. Gazetari tjetër nuk kuptohet se për çfarë flet dhe zoti Çipa tregon me realizëm atë që ndodh në botën e medias vështruar kjo si biznes me ulje-ngritjet e tij. Shqetësimi i vetëm që ngre ai është lëvizja e gazetarëve nga një redaksi në tjetrën. Siç duket « Zëri i Amerikës » është i shqetësuar se përse qeveria nuk i dërgon lajmet e freskëta si qofte në mëngjes në çdo redaksi dhe harron se puna e çdo gazetari, ashtu siçdo profesion tjetër, është të investigosh, të lodhesh e të djersish mbi faktet derisa të ndërtosh një raportim të besueshëm.

Amerikanët na kanë mësuar përmes institucioneve të tilla si « The International Research & Exchanges Board » (IREX) se liria e medies matet dhe për këtë ka disa tregues të cilat përmblidhen lirinë e shprehjes të garantuar me ligj, profesionalizmin e gazetarisë, pluralitetin e informacionit, menaxhimin e medies e disa të tjera.

Shqipëria, të gjithë këta tregues, por sidomos njërin atë që lidhet me legjislacionin dhe mbrojtjen e lirisë së mediave e ka ndër më të mirët në rajon. Prej vitesh e vitesh nuk ka asnjë gazetar të ndjekur penalisht për shkak të profesionit. Shqipëria ka një shumëllojshmëri mediash televizive dhe një numër të madh portalesh on-line. Në Shqipëri aksesi në internet është i pakufizuar dhe i shtrirë në të gjithë vendin.

Si mund të thotë « Zëri i Amerikës » që liria e shprehjes në këtë vend është përkeqësuar dhe si ka mundësi që në disa raportime ky institucion raporton perceptime të njerëzve të frustruar me Edi Ramën dhe jo opinionet e institucioneve të pavarura që merren me median në Shqipëri ? Është një gazetar në këto vite që ka rënë në sy për investigimet e tij dhe të grupit mediatik që ai përfaqëson. Ky është Adriatik Doçi, i cili së bashku me grupin mediatik të « Report tv » kanë raportuar në mënyrë profesionale për skandalin e tjetërsimit të pronave të ish-klubit « Partizani », për inceneratorët dhe tani në fund për përfshirjen e dy familjarëve të Ilir Metës në skema korruptive të pastra. Kur Ilir Meta në atë kohë president e sulmoi me fjalor kriminal këtë gazetar, asnjë institucion dhe asnjë nga këto OJQ-të vanitoze nuk e mori në mbrojtje. Ndërkohë kur një gazetar i mediave me kondicioner bëri një pyetje provokative dhe kryeministri iu përgjigj po me provokim, një tufë gazetarësh dolën në protestë para kryeministrisë.  Si ka mundësi që « Zëri i Amerikës » për të mësuar se si sigurohet informacioni për investigim nuk pyet gazetarët e dy emisioneve të njohura « Fiks Fare » dhe « Stop », por edhe të « Top Stosy » dhe të disa blogjeve të tjera që janë hapur tani në fund dhe që kanë materiale nganjëherë tronditëse nga investigimi për botën e errët të krimit në këtë vend.

Vetëm tani e kuptoj përse. « Zëri i Amerikës », për fat të keq, në disa raportime nga Shqipëria është i interesuar më shumë për fatin e Berishës dhe të aleancës së tij me Metën sesa për atë që ndodh realisht në këtë vend. Këtë përfundim e kam nxjerrë sidomos nga intervista e Arben Xhixhos me zotin Eskobar më 25 tetor 2022. Ja një fragment i saj:

Zëri i Amerikës: Dua t’ju pyes edhe për statusin e demokracisë në Shqipëri. Opozita, është në një gjendje të çorganizuar që pas shpalljes non-grata të ish Presidentit Sali Berisha. Vendimi e rigjallëroi atë, ai drejton sot partinë, ose të paktën shumicën e partisë. Mund të argumentohet se vendimi ndaj tij, në një farë mënyre pati efektin e kundërt, veçanërisht po të kihet parasysh se nuk u shoqërua me ngritje akuzash nga organet e drejtësisë. Si e ndihmojnë vendime të tilla betejën kundër korrupsionit në Shqipëri?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribuues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion.

Zoti Xhixho këtu jo vetëm që është tendencioz, por ka humbur atë objektivitet dhe paanësi me të cilën na është shfaqur ne shqiptarëve ky stacion prestigjoz. Sali Berisha nuk është drejtues i partisë, pra nuk e drejton PD-në, ai e ka rrëmbyer atë sepse çështja është në gjykatë. Entuziazmi i Xhixhos për ta paraqitur non gratën e Berishës sikur ka sjellë efektin e kundërt është një përpjekje e dëshpëruar për të shprehur dëshpërimin e tij personal ndaj demokracisë në Shqipëri. Nuk mendoj se bisedat me gazetarë vanitozë në Shqipëri do ta shëndoshin këtë gjendje të tij.

Ndaj raportimi i fundit për gjendjen e lirisë së medias në Shqipëri ishte i varfër, i paplotë dhe tendencioz.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?