Vetëm 6 nga 13 kandidatët që aspiruan të bëheshin gjyqtarë Kushtetues, do të vazhdojnë garën për vendin e Holta Zaçajt. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka përmbyllur fazën e verifikimeve, duke përjashtuar 6 emra, dhe me dorëheqjen e Denar Bibës, ngelen 6 të tjerë në tryezë për tu renditur sipas meritës.
***
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka përmbyllur verifikimin e të gjithë kandidatëve që shprehën interes për të zëvendësuar gjyqtaren kushtetuese, Holta Zaçaj.
Këtë të enjte, Denar Biba, kandidati i fundit i mbetur në proces verifikimi, u tërhoq, duke lënë në garë vetëm 6 emra, nga 13 që aplikuan 10 muaj më parë.
Gjatë kësaj faze, Këshilli ka verifikuar kandidatët nëse përmbushnin kriteret ligjore dhe kushtetuese, duke vlerësuar dokumentacionin, pasurinë, integritetin e figurës dhe përvojën profesionale.
Kështu, beteja vazhdon për juristët, ish-anëtari i KLGJ-së, Alban Toro, ish-komisionerja e vettingut, Alma Faskaj, gjyqtari i lartë, Asim Vokshi, ish-komisioneri publik, Florian Ballhysa, ish-kryetarja e komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Bungo dhe ish-kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami.
Në një mbledhje tjetër, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të bëjë renditjen e tyre sipas pikëve, dhe lista do t’i përcillet Gjykatës së Lartë.
Kjo e fundit, si organ emërtese, është e detyruar të zgjedhë si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, që një nga tre emrat që ka marrë më shumë pikë nga KED.
Për vendin e Zaçajt shfaqën interes dhe ish-anëtari i KPK, Lulzim Hamitaj, ish-Komisionerja Publike Irena Nino, ish-anëtarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan(Seiti) Meta dhe juristët Klodian Rado, Rezana Balla dhe Sinan Tafaj. Këta gjashtë kandidatë janë skualifikuar nga gara prej KED.
Mandati i Holta Zaçaj shkaktoi përplasje publike mes asaj personalisht dhe Gjykatës së Lartë. Zaçaj nguli këmbë se do të ikte në fund të vitit 2025, ndërsa Gjykata e Lartë, kërkoi që të largohej në mars të këtij viti.
Pavarësisht se vetë Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Gjykatës së Lartë dhe jo kryetares së saj, Zaçaj, zgjatja e procedurave për zëvendësimin e saj, në fakt e sposton ikjen e saj nga karrigia.
Komente
