Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, së bashku me bashkëshorten e tij Usha, ka mbërritur në Groenlandë për të vizituar bazën hapësinore amerikane në Pituffik.
"Këtu bën një ftohtë i madh", ishin fjalët e para të Vance sapo zbriti nga avioni.
Në këtë vizitë e shoqërojnë Mike Waltz, këshilltar për sigurinë kombëtare, Chris Wright, Sekretari për Energjinë, dhe senatori Mike Lee.
“Do të flasim për interesin tonë në Groenlandë”, u shpreh Vance para gazetarëve.
“Administrata dhe Presidenti janë shumë të interesuar për sigurinë në Arktik, një çështje e rëndësishme që do të bëhet edhe më kritike në dekadat e ardhshme”.
Pak para se të drekonte me ushtarët amerikanë, Vance foli për udhëtimin e tij me Air Force 2, të cilin e përshkroi si “spektakolar”, dhe theksoi se ai është zëvendëspresidenti i parë i SHBA që viziton Groenlandën.
“Do të kërkoj nga komanda e bazës të më informojë mbi aktivitetet e saj dhe kontributin e saj për sigurinë kombëtare”, shtoi ai.
Trump: "Na duhet Groenlanda për paqen në botë"
Ndërsa Vance viziton bazën në Pituffik, Presidenti Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën "për paqen në botë", duke shtuar se Danimarka dhe Bashkimi Evropian do ta kuptojnë këtë, ose ne do t’ua shpjegojmë".
"Nuk është çështja nëse mund të bëjmë pa të – sigurisht që mundemi – por nëse shohim ujërat përreth Groenlandës, janë të mbushura me anije kineze dhe ruse. Nuk mund t’i besojmë Danimarkës apo të tjerëve për të përballuar këtë situatë", shtoi Trump.
Itinerari i vizitës u ndryshua pas protestave
Fillimisht, Vance kishte planifikuar një itinerar më të gjerë, duke përfshirë një vizitë në garën kombëtare të slitave të qenve së bashku me bashkëshorten e tij, Usha.
Por vizita u reduktua pas protestave nga banorët e Groenlandës dhe autoritetet daneze, të cilët u zemëruan sepse nuk ishin konsultuar për planifikimin e saj.
Marrëdhëniet mes SHBA dhe Groenlandës janë tensionuar pas deklaratave të bujshme të Presidentit Trump, i cili madje ka folur për mundësinë e aneksimit të Groenlandës nga SHBA.
Itinerari i ri është krijuar për të shmangur përplasjet diplomatike dhe për të zvogëluar mundësinë që Vance dhe gruaja e tij të përballen me banorë të zemëruar nga komentet e Trump.
Reagime nga Danimarka dhe Groenlanda
Pritet që Vance t’i drejtohet ushtarëve amerikanë në bazën e Pituffik.
Sipas agjencisë AP, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, që foli në mënyrë anonime, tha se Vance do të theksojë se liderët danezë kanë "keqtrajtuar popullin e Groenlandës për dekada, duke i trajtuar ata si qytetarë të dorës së dytë dhe duke lënë infrastrukturën e ishullit në gjendje të mjerueshme".
Zyrtari shtoi se Vance do të insistojë për forcimin e sigurisë në Arktik, veçanërisht në baza si ajo e Pituffikut.
Kryeministri i ri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, reagoi ndaj vizitës së Vance duke thënë se ai "po viziton vetëm një bazë ushtarake amerikane", por kritikoi kohën e vizitës, pasi ajo ndodh ndërsa po formohet qeveria e re në Groenlandë.
"Mendoj se është për të ardhur keq, por tani kemi një qeveri që duhet të fillojë punën menjëherë", tha Nielsen.
Nga ana tjetër, Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha të martën se vizita e zyrtarëve amerikanë "krijon presione të papranueshme".
"Danimarka dëshiron të punojë me SHBA për mbrojtjen dhe sigurinë, por Groenlanda i përket popullit të saj", përfundoi Frederiksen.
Komente
