Zv.sekretarja e NATO dhe Sorensenin

Kosova & Rajoni

Zëvendëssekretarja e NATO-s takon Sorensenin: NATO-BE, bashkë për stabilitet në Ballkan

1 Prill, 10:03| Përditesimi: 1 Prill, 10:05

  • Share

Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet NATO-s dhe BE-së për të ruajtuar stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ajo e dha këtë deklaratë në një postim në X, pas një takimi të zhvilluar me Peter Sorensenin, përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Sorensen iu përgjigj deklaratës së Shekerinskës duke thënë se “mezi pres të bashkëpunojmë ngushtë së bashku”.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, vazhdon të luajë një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, ndërsa BE-ja është e angazhuar në lehtësimin e dialogut politik ndërmjet palëve.

Në vitet e para pas luftës, KFOR-i kishte 50.000 trupa, por, pas vlerësimeve të vazhdueshme të sigurisë, ky numër sot ka rënë në rreth 4.600 ushtarë.

Prania e trupave në Kosovë është rritur sa herë që situata ka qenë e tensionuar, sikurse pas sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Aktualisht, pjesë e misionit të KFOR-it janë 29 shtete anëtare të NATO-s.

Në mes të marsit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi Prishtinën, ku tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura.

Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të përmirësonte stabilitetin dhe sigurinë në mbarë rajonin.

Rreth një javë më vonë, Prishtinën e vizitoi edhe i dërguari i ri i BE-së për dialogun, Peter Sorensen. Ai vizitoi edhe Beogradin dhe në të dyja vendet theksoi se prioritet i tij është të sigurojë një takim ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi në shkurt se i ka marrë parasysh kritikat për formatin aktual të dialogut Kosovë-Serbi dhe se ajo, së bashku me Sorensenin, do t’i shqyrtojnë opsionet për ta bërë atë funksional.

Bisedime të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur qysh në shtator të vitit 2023.

Më 14 të atij muaji, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel, me ndërmjetësimin e udhëheqësve të atëhershëm evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak.

Dhjetë ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë vrarë një polic të Kosovës.

Viteve të fundit, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është përballur me kritika të herëpashershme nga zyrtarë të BE-së dhe zyrtarë amerikanë, për shkak të disa veprimeve në veri të vendit, të cilat i kanë cilësuar si të pakoordinuara dhe me ndikim të keq te komuniteti serb./REL

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?