Ka zgjatur vetëm dy ndeshje aventura e Bruno Telushit me Kukësin. Mesfushori 29-vjeçar, sipas një njoftimi të verilindorëve, ka arritur marrëveshjen për t’u transferuar te Neftchi Baku në Azerbajxhan.
Sezonin e kaluar Telushi ishte pjesë e Partizanit, ndërsa gjatë verës shijoi me Kukësin aventurën europiane, ndërsa tani do jetë pjesë e një kampionati tjetër. Dy klube për Telushin brenda një merkato vere, ndërsa kjo është aventura e dytë e tij jashtë vendit.
Për t’u transferuar në Azerbajxhan Telushi ka patur edhe mirëkuptimin e presidentit të Kukësit Safet Gjici, me të cilin ka patur një marrëveshje paraprake në rast se për të do kishte oferta jashtë vendit.
“Njoftim i klubit
Futboll Klub Kukësi njofton se ka arritur marrëveshje me klubin e Neftchi Baku për transferimin e mesfushorit Bruno Telushi. I afruar këtë merkato vere, Telushi kishte të drejtën të largohej nga skuadra në rast të një oferte.
Në këtë mënyrë, mesfushori është ulur për të diskutuër me presidentin Gjici pas ofertës që i ka ardhur dhe klubi ka vendosur të lejojë Telushin për të shkuar në kampionatin azer. Futboll Klub Kukësi i uron suksese Telushit!”