Pamje nga luftimet në Sudan

Zgjatet armëpushimi, por luftimet në Sudan vazhdojnë

28 Prill 2023, 10:13| Përditesimi: 28 Prill 2023, 10:16

  • Share

Ushtria dhe një grup paramilitar në Sudan janë pajtuar që të zgjasin marrëveshjen e armëpushimit, disa orë para se armëpushimi paraprak prej 72-orësh të skadonte.

Zgjatja e armëpushimit – edhe për 72 orë – vjen pas përpjekjeve intensive diplomatike nga shtetet fqinje, por edhe nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kombet e Bashkuara.Por, pavarësisht armëpushimit, në kryeqytetin sudanez, Kartum, po vazhdojnë luftimet e ashpra.

Armëpushimi paraprak mundësoi largimin e mijëra personave, teksa disa shtete vazhduan përpjekjet e tyre për evakuimin e qytetarëve të tyre.

Pothuajse dy javë luftime të ashpra midis ushtrisë dhe një grupi paramilitar kanë lënë të vdekur qindra persona.Në Sudan po luftojnë ushtria dhe grupi paramilitar i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë.Sudani Jugor ka ofruar që të ndërmjetësojë bisedimet e paqes dhe ushtria sudaneze është pajtuar që të dërgojë përfaqësues në këto bisedime.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni “në mënyrë shumë aktive” ka punuar në zgjatjen e armëpushimit, duke shtuar se pavarësisht se armëpushimi i parë nuk u respektua plotësisht, ai mundësoi uljen e dhunës.

Por, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, më vonë tha se situata mund të përkeqësohet në çdo moment.Ndërkaq, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë dhe dëshmitarët thanë se ushtria ka sulmuar pozicionet e grupit paramilitar në Kartum.

Të paktën 512 persona janë vrarë në luftime që nisën më 15 prill dhe pothuajse 4.200 të tjerë janë plagosur, edhe pse numri real i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.Dhuna shpërtheu fillimisht në kryeqytet, Kartum, midis fraksioneve rivale ushtarake, që po luftojnë për kontrollin e Sudanit – shtetit të tretë më të madh në Afrikë.

Që nga grusht shteti i vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve në krye me dy ushtarakët që aktualisht po luftojnë: gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, që është kreu i forcave të armatosura dhe presidenti i shtetit, dhe zëvendësi i tij, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, që udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Dy gjeneralët kanë mospajtime lidhur me mënyrën se si shteti do të shkojë drejt sundimit civil.

Mosmarrëveshjet kryesore në planin për trazicion kanë të bëjnë me përfshirjen e 100.000 anëtarëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtrinë e rregullt, dhe se kush do të udhëheqë ushtrinë e re.REL

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?