Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pasi SPAK vendosi që të zgjasë me tre muaj hetimet ndaj tij. Teksa nxjerr një video të momentit të arrestimit të tij dhe një video të kryeministrit Rama, Meta thotë se më 27 maj iu komunikua një akuzë politike, ndërkohë që dje, u zgjatën edhe më tej afatet e hetimit ndaj tij.
Por, sipas Metës, përfundimi dihet se nuk ka asnjë provë apo qindarkë të paligjshme në emër të tij që mund të jetë zbuluar nga veprimtaria hetimore 6-vjeçare e SPAK ndaj aktivitetit të tij politik 32-vjeçar.
“Përfundimi dihet, zero fakte, zero prova, zero qindarkë të paligjshme, zero cent të paligjshëm, zero pasuri të paligjshme të Ilir Metës të zbuluar në të gjithë veprimtarinë hetimore 6-vjeçare të SPAK për aktivitetin tim publik 32-vjeçar.”, shkruan kreu i PL, duke shtuar se po ‘përdorin’ letër porosi për të për ta mbajtur në burg.
“Nuk ka mbetur kontinent, shtet, ishull dhe bankë në botë pa çuar letër-porosi për mua.”, thotë Meta.
Ai thotë se po mbahet në burg me qëllim për të penguar aktivitetin e tij politik si i vetmi opozitar i pashantazhueshëm nga regjimi. Meta shprehet ndër të tjera se PL ndodhet në një përballje me regjimin ndërkohë që shton se brenda javës do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe më pas drejt asaj të Strasburgut. Më tutje, ai shprehet se fundi i drejtësisë me regji do të jetë i turpshëm.
“Partia e Lirisë nga kjo përballje me Narkoregjimin do të dalë shumë herë më e fortë sepse kauzat tona janë të pathyeshme dhe Ilir Meta do të jetë gjithmonë besnik i 2 Marsit deri në rikthimin e plotë të sovranitetit të popullit shqiptar, që u përdhos aq rëndë edhe me farsën e 11 Majit, për të cilën jo pak ndihmë dha edhe Task-Force imagjinare e SPAK-ut. Brenda javës ezaurojmë Gjykatën Kushtetuese dhe ecim me shpejtësi drejt Strasburgut.”, thotë Meta.
Një ditë më parë, SPAK zgjati hetimet për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe pasurinë deri më 10 shtator. Zgjatja afatit të hetimeve edhe me 3 muaj u kërkua nga ana e Prokurorisë së Posaçme me argumentin se janë në pritje të provave të reja.
Ish-presidenti Meta akuzohet së bashku me ish-bashkëshorten e tij Kryemadhi për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Akuzat iu komunikuan zyrtarisht më 27 maj kur u morën të pandehur. Zgjatja e hetimeve i është komunikuar personalisht të hënën avokatit Kujtim Cakrani, i cili deklaroi se do e ankimojë vendimin si të paligjshëm, i marrë nga sipas tij një prokurori politike.
Reagimi i plotë:
Sot duhet të mbylleshin hetimet zyrtare ndaj meje, që ishin shtyrë njëherë me 6 muaj pas rrëmbimit tim kriminal dhe banditesk pa akuzë, siç e kanë parë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe e gjithë bota. https://www.youtube.com/watch?v=GyRp1yR5LFs
Edhe pse më 27 maj 2025 më ishte komunikuar një akuzë tërësisht politike, që është formuluar në Asamblenë e Partisë Socialiste të datës 7 maj 2022 https://www.youtube.com/watch?v=jso2z85dz04, “çuditërisht” dje m’u komunikua një shtyrje tjetër e afatit të hetimeve për të mbledhur gjoja prova të mjaftueshme, ndërkohë që hetimet ndaj meje kanë nisur që në dhjetor 2019 nën kujdesin e veçantë të Charles McGonigal, kryezbuluesit të FBI të korruptuar nga Edi Rama.
Nuk ka mbetur kontinent, shtet, ishull dhe bankë në botë pa çuar letër-porosi për mua.
Përfundimi dihet, zero fakte, zero prova, zero qindarkë të paligjshme, zero cent të paligjshëm, zero pasuri të paligjshme të Ilir Metës të zbuluar në të gjithë veprimtarinë hetimore 6-vjeçare të SPAK për aktivitetin tim publik 32-vjeçar.
Për të justifikuar mbajtjen time të paligjshme në burg presin letër-porosi për persona të cilët gëzojnë liri të plotë dhe që uroj të gëzojnë liri dhe shëndet gjithmonë.
Ndërsa unë, Presidenti i Partisë së Lirisë, duhet të vazhdoj të qëndroj në paraburgim vetëm për të penguar aktivitetin tim politik dhe publik si lider opozitar i pashantazhueshëm nga narkoregjimi dhe veglat e tij.
Për mua le të çojnë letër-porosi edhe në planete të tjera se inceneratori përsëri nuk ekziston dhe shqiptarët vazhdojnë të paguajnë 90 mijë euro/ditë që një pjesë e këtyre parave të shkojnë edhe për mediat e regjimit, për gazetarët dhe analistët në shërbim të “Rilindjes” dhe të SPAK-ut.
Partia e Lirisë nga kjo përballje me Narkoregjimin do të dalë shumë herë më e fortë sepse kauzat tona janë të pathyeshme dhe Ilir Meta do të jetë gjithmonë besnik i 2 Marsit deri në rikthimin e plotë të sovranitetit të popullit shqiptar, që u përdhos aq rëndë edhe me farsën e 11 Majit, për të cilën jo pak ndihmë dha edhe Task-Force imagjinare e SPAK-ut.
Brenda javës ezaurojmë Gjykatën Kushtetuese dhe ecim me shpejtësi drejt Strasburgut.
Fundi i drejtësisë me regji do të jetë i turpshëm dhe i “falenderoj” që kurrë nuk më kanë zhgënjyer sepse me veprimet e tyre tërësisht sorosiste, arbitrare dhe kriminale vetëm kanë provuar atë që kam thënë prej shumë kohësh, që kjo është një drejtësi me regji, garante e pandëshkueshmërisë të Edi Ramës, e arkitektit dhe vendimmarrësit absolut për aferën e shekullit të inceneratorëve, i vetmi kryeministër në botë që shpall fituesit pa lindur akoma, emri i të cilit është të paktën 14 herë në dosjen e mikut të tij McGonigal.
Pluralizmi politik në Shqipëri do të rivendoset dhe do të jetë plotësisht funksional dhe bashkë me të edhe LLOGARIDHËNIA për Kryemercenarin e Shqipërisë dhe të gjithë mercenarët e tij që shkelin ligjin dhe Kushtetutën.
Komente
