Mes mijëra simpatizantëve kryetari i Partisë Social Demokrate Tom Doshi dhe kandidatët për deputet në qarkun Shkodër zhvilluan një takim në Pallatin e Sportit me elektoratin e PSD.
Doshi u shpreh se programi si pika të forta në këto zgjedhje të 11 majit ka mbështetjen për shtresat sociale.
“Programi jonë është një program social, është për të varfërit, është për të sëmurët. Në Shqipëri 80.000 pacientë janë të prekur nga kanceri, 7000 janë prekur nga kjo sëmundje në çdo vit. Të bësh një analizë bën 1500 euro. Ne kemi një aparaturë të tillë, Kosova ka pesë. Çfarë janë 10 mijë euro për qeverinë. Inagurohen përditë spitale të reja, vidhen miliona. U bëj thirrje 88 mijë familjeve dhe Diasporës që të votojnë PSD”, tha Doshi.
Gjatë fjalës së tij kreu i PSD Doshi për gjendjen e vështirë ku ndodhet Shqipëria fajësoi dy partitë e mëdha PS dhe PD.
"Në 2013 Sali Berisha la pushtetin të korruptuar. Edhe sot të vjen turp kur sheh gjysmën e qeverisë në burg dhe hetim. Si mund të shkojmë në Europë kur ne s’kemi aparatura për të sëmurët, si mund të shkojmë në Europë ku pensionet tona janë 100 euro, si mund të shkojmë në Europë kur akoma s kemi ndarë tokat. Kanë hap fjalë se do të bashkëpunojmë me Sali Berishën. Më parë bën Edi Rama koalicion me Sali Berishën sesa Tom Doshi me Sali Berishën", shtoi ai.
Takimet elektorale të PSD do të vijojnë në gjithë vendin ndërsa social demokratët synojnë që në zgjedhjet e 11 majit përveçse të sigurojnë grup parlamentar deputetësh të jenë edhe forca politike që do vendosë qeverinë e ardhshme.
Komente
