Kryeministri Edi Rama dhe kreu politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, duke dalë nga selia

Politikë

Zgjedhjet e 11 Majit/ Rama mbledh 1 orë drejtuesit politikë të qarqeve, në fokus vota e Diasporës! Asnjë fjalë për Kosovën, udhëton drejt Shkodrës

10 Shkurt, 10:15| Përditesimi: 10 Shkurt, 11:00

  • Share

Tiranë- Për gati 1 orë kryeministri Edi Rama mblodhi sot (10 shkurt) drejtuesit politikë të qarqeve ku në fokus ishte vota e diasporës.

Takimi u mbajt në selinë e Partisë Socialiste.

Kryeministri njëkohësisht kryetari i PS-së, që kërkon mandatin e katërt qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit u ka tërhequr vëmendjen drejtuesve politikë të qarqeve duke kërkuar për të punuar më shumë për rritjen e numrit të regjistrimeve të emigrantëve deri në përfundim të afatit që është 4 marsi, informoi gazetarja e Report Tv, Raziela Myslimaj.  

Pas mbledhjes Rama u largua me Taulant Ballën, drejtuesin politik për diasporën ndërsa nuk pranoi të jepte një prononcim për median.

Kryeministrit iu kërkua edhe një koment për zgjedhjet në Kosovë, por refuzoi prononcimin për mediat.

Mësohet se kryeministri udhëtoi drejt Shkodrës, ku do të zhvillojë një sërë inspektimesh. 

Lajmi ne perditesim... 

Ora 10:23
Zgjedhjet e 11 majit, Rama-diasporës: Regjistrohuni, mezi pres gjykimin tuaj për Shqipërinë e çliruar nga hija e paragjykimeve

Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se “11 maji do të jetë një votim historik edhe për faktin se për herë të parë shqiptarët e Europës dhe mbarë botës do të votojnë nga jashtë kufijve nga aty ku janë me postë”.

Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale nga selia e Partisë Socialiste, Rama iu drejtua shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.

Kur kanë ngelur vetëm 22 ditë nga përfundimi i regjistrimit të zgjedhësve në diasporë, Rama u shpreh se “kush do të bëhet pjesë e kësaj historie të re për demokracinë tonë duhet të regjistrohet deri në 4 mars”.

“Votimi bëhet me postë dhe koha për t’ia çuar fletën e votimit në shtëpi çdo zgjedhësi me një zarf të parapaguar edhe për kthimin është kohë e domosdoshme”, tha Rama.

Kryeministri informoi se deri më tani numri i të regjistruarve është premtues, ndërsa shprehu bindjen se pa diskutim mund dhe duhet të jetë shumë më i madh akoma.

“Fjala e çdo shqiptari jashtë kufijve vlen. Gjykimi i çdokujt që e sheh progresin e Shqipërisë sonë të përbashkët nga një distancë e arsyeshme vlen dhe unë mezi pres që të shoh se cili do të jetë gjykimi i shqiptarëve të Europës dhe të botës për Shqipërinë e çliruar nga hija e zezë e paragjykimeve të deridjeshme, për Shqipërinë e respektuar nga Europa dhe nga bota si asnjëherë më parë, për Shqipërinë që në mandatin tonë të katërt do të hedhë hapin përfundimtar të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shtoi Rama.

Kryeministri u bëri thirrje shqiptarëve jashtë vendit të regjistrohen dhe të mos e lënë për ditën e fundit kur edhe mund të ngarkohet faqja e KQZ dhe të bëhet pastaj shumë e vështirë.

“Është fare e thjeshtë, nga telefoni ose kompjuteri për disa minuta për t’u bërë pjesë e një momenti historik në rrugën e demokracisë sonë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit ku të gjithë së bashku do ta çojmë përpara Shqipërinë drejt majës të shumë ëndërruar të 2030-ës, ku do të ngulim flamurin shqiptar në rreshtin e 27 flamujve të tjerë të familjes së bashkuar europiane”, tha Rama.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Fotaq Angoni: 10/02/2025 14:36

    Te ben te fala Nesti Angoni.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Arrestimi i Veliajt, si e vlerësoni qëndrimin e Ramës ndaj drejtësisë?