Zgjedhja e 32 shefave të rinj në Spitalin Rajonal “Nënë Tereza”, ka sjellë reagime në radhët e mjekëve. Disa prej mjekëve që ishin në garë për shef shërbimi kanë çuar në gjykatë vendimin e marrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit. Bëhet fjalë për Shërbimi i Kardiokirurgjisë, Dermatologjisë, Endokrinologjisë dhe Kirurgjisë Infantile. Një prej tyre është dhe dr. Florian Toti, mjek në sherbimin e Endokrinologjisë, i cili pretendon se kandidati fitues nuk i plotëson të gjitha kriteret.
Sipas dr. Florian Totit, kriteret e vendosura në këtë garë dukshëm favorizonin mjekët që ishin në poste drejtuese, ose kishin pasur një të tillë më parë. Sipas doktorit, ligji i Arsimit të lartë nuk i ka sqaruar mirë disa prej kritereve.
9 shërbime të tjera në QSUT kanë mbetur ende pa drejtues, kjo si pasojë e çështjeve që janë çuar në Gjykatë, dhe mungesa e kandidatëve të kualifikuar. Pritet që të ketë një ribërje të këtij procesi për këto shërbime.