Presidentët shqiptarë në 30 vite

Zgjedhja e 6 presidentëve 1992-2017, mungesë konsensusi, intriga e pazare! Si bleu Berisha 6 deputetë në 2007 për të zgjedhur presidentin dhe shmangu rrëzimin e qeverisë

7 Maj 2022, 16:14| Përditesimi: 7 Maj 2022, 23:45

  • Share

Kuvendi i Shqipërisë pritet të zgjedhë në fund të këtij sesioni parlamentar Presidentin e Republikës, i teti në historinë e pluralizmit në Shqipëri. Presidenti i ri do të pasojë në zyrën e kreut të shtetit Ilir Metën, për të cilin kishte dy tentativa për ta shkarkuar, ndërsa është konsideruar si presidenti më i njëanshëm pikërisht nga mazhoranca që zgjodhi në 2017, është izoluar prej 3 vitesh nga SHBA-BE dhe ishte protagonist konliktualiteti në zgjedhjet parlamentare të 2021.

Mazhoranca ka nisur një proces konsultimesh për zgjedhjen e presidentit të ri, por një emër konsensus mund të moj jetë i mundur, edhe për shkak se opozita është ndarë në dy pjesë.

Po si janë zgjedhur Presidentët nga viti 1992 deri në vitin 2017? Është një histori e pazakontë, e karakterizuar me revanshe, zgjedhje në gjendje lute dhe mungesë konsensusi, por edhe nga pazare, intriga, blerje votash etj.

Ilir Meta, 28 prill 2017 (pa konsensus)

Në 28 prill 2017, Parlamenti zgjodhi Ilir Metën President të Shqipërisë, me 87 vota pro dhe dy kundra. Kundër Metës, i cili mbante postin e Kryetarit të Kuvendit, votuan Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi. Meta u propozua nga deputetët e PS-LSI-së, në atë kohë në aleancë qeverisëse. Meta ishte kandidati i vetëm dhe u zgjodh në raundin e katërt, pas konsumimit formal të tre raundeve të parave, ku presidenti parashikohet të zgjidhet me 3/5 e votave të Kuvendit, ndërsa në raundet e katërt dhe të pestë mund të zgjidhet me 71 vota. Partia Demokratike, opozita zyrtare, u deklaruar kundër kandidaturës së Ilir Metës dhe bojkotoi procesin. Meta mori detyrën në datë 24 korrik, kur i skadoi mandati presidentit Bujar Nishani.

Bujar Nishani, 11 qershor 2012, (pa konsensus)

Në 11 qershor 2012, Parlamenti zgjodhi në postin e Presidentit Bujar Nishanin, i cili mbante postin e Ministrit të Brendshëm në qeverinë e Sali Berishës. Nishani i propozuar nga Partia Demokratike pa konsensusin e opozitës së atëhershme (PS), u zgjodh në raundin e katërt. Zgjedhja e Nishanit mbart intriga, tension dhe kthesa të forta. Sali Berisha dhe PD-ja e tij kishin propozuar si kandidat për president analistin Artan Hoxha, i cili u tërhoq në minutat e fundit. Para Artan Hoxhës, Berisha kishte propozuar kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorin, i shkarkuar më pas nga Vetingu. Që nga fundi i muajit maj 2012, Berisha drejtoi një proces, duke pretenduar se ishte në kërkim të konsensusit me opozitën, ndonëse kishte deklaruar paraprakisht se president do të zgjidhej një figurë e lartë e PD-së. Palët nuk iu afruan kurrë marrëveshjes për një president konsensual.

Bamir Topi, 20 korrik 2007 (pa konsensus dhe rrjedhje votash)

Në 27 shkurt të vitit 2007, Parlamenti Shqiptar, zgjodhi me 85 vota President Bamir Topin, në atë kohë nënkryetar i Partisë Demokratike dhe krahu i djathtë i Sali Berishës. Procesi i zgjedhjes së Bamir Topit ishte dramatik, i rrethuar me tension, intriga, pazare për blerje votash, kandidatura formale dhe kulisa. Zgjedhja e Presidentit të ri erdhi pas një debati disa mujor dhe dështimit të bisedimeve mes PD-së dhe PS-së për zgjedhjen e një presidenti konsensual. Sali Berisha, i cili kontrollonte shumicën në Parlament, konsumoi formalisht tre raundet e para.

Fatos Nano i vetëshpallur si kandidat për president, ishte përjashtuar nga Rama si kandidaturë qysh në nisje të negociatave të tij me partitë e vogla, aleate me PD.

Në raundin e katërt, Berisha hodhi si kandidatura Bamir Topin dhe Neritan Cekën, i Partisë Aleanca Demokratike. Kushtetuta në atë kohë përcaktonte se presidenti zgjidhej me 84 vota në pesë raunde votimi. Në rast se nuk mund të zgjidhej një president me 84 vota në pesë raunde, atëherë vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme. Dhe pikërisht kësaj i trembej Berisha; Zgjedhjeve të parakohshme dy viteve pasi kishte ardhur në pushtet.

Berisha kishte përballë edhe një kërcënim tjetër. Bamir Topi kishte krijuar një grup me 20 deputetë dhe kërcënonte me çarjen e PD-së nëse Berisha e linte ‘në baltë’ në garë për President. 

PD-ja nuk i kishte 85 vota. Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë, braktisi sallën e Kuvendit për të evituar rrjedhjen e votave, por këtij vendimi politik nuk iu bindën 6 deputetë të PS, që cilësoheshin si mbështetës të ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili në atë kohë flirtonte me Berishën.

Durim Hushi, Taulant Dedja, Hamit Kosta, Bukurosh Stafa, Paulin Sterkaj, Durim Lamaj, ishin socialistët që dezertuan dhe deklaruan votën pro Bamir Topit. Ata njiheshin si mbështetës të kandidimit të Nanos për president dhe si mbështetës të tij në parti. Bamir Topi mori 85 nga 90 votat e deputetëve. Pas votimit, Berisha tha se "sot u realizua edhe një detyrim tjetër madhor i respektit të plotë të funksionimit, të dinjitetit të këtij institucioni kushtetues themelor të vendit". Nga ana tjetër PS-ja reagoi ashpër dhe akuzoi Berishën për blerje deputetësh. Kryetarit të grupit parlamentar të PS, Ben Blushi, e cilësoi procesin e zgjedhjes së Presidentit si të papranueshëm dhe të turpshëm. Pas kësaj, Blushi njoftoi edhe dorëheqjen e tij.

Alfred Mosiu 24 qershor 2002 (me konsensus)

Në 24 korrik 2002, Parlamenti Shqiptar zgjodhi Alfred Moisiun President të Shqipërisë. Në votim morën pjesë 134 deputetë nga 134 deputetë që ishin prezent. Mosiu mori 97 vota, pra numrin e nevojshëm prej 3/5 të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Mosiu është presidenti i vetëm i zgjedhur me konsensusin e opozitës dhe mazhorancës në historinë e pluralizmit në Shqipëri. Mosiu konsiderohet edhe si presidenti më i ekuilibruar, ndonëse nuk kanë munduar përplasjet me Sali Berishën dhe Fatos Nanon.

Rexhep Meidani 24 korrik 1997 (pa konsensus)

Në seancën e 24 korrikut 1997, mes një situate kaotike politike, 100 deputetë të Parlamentit votuan Rexhep Meidanin në postin e Presidentit të Shqipërisë, pas dorëheqjes së Sali Berishës së imponuar nga humbja e zgjedhjeve, revoltat popullore dhe SHBA-BE. Kandidatura e Meidanit u propozua nga 25 deputetët, mes tyre edhe Fatos Nano, Arben Imami, Dritëro Agolli etj. Meidani mori vetëm 3 vota kundra nga deputetët e pranishëm. Partia Demokratike ishte kundër kandidaturës së Meidanit.

Sali Berisha 3 mars 1997 (gjendje lufte, pa konsensus)

Në 3 mars të vitit të mbrapshtë 1997, Parlamenti Shqiptar, mes një situate trazirash dhe gati lufte civile, zgjodhi për herë të dytë Sali Berishën President të Republikës së Shqipërisë. Berisha u zgjodh pas zgjedhjeve të kontestuara dhe të gjakosura të 26 majit 1996, të parat në historinë e pluralizmit në Shqipëri që nuk u njohën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Seanca drejtohej nga Pjetër Arbnori, ndërsa nuk merrte pjesë asnjë përfaqësues i opozitës socialiste.

“Është nder shumë i madh për mua që në emër të një grupi deputetësh të PD t’ju paraqes sot kandidaturën për një mandat të ri 5-vjeçar për President të Republikës së Shqipërisë, të zotit Sali

Berisha”, thoshte deputeti Ali Spahia. 113 votuan pro Berishës, një deputet kundër dhe 4 abstenuan. Shqipëria ishte ndërkohë në anarki për shkak të formave piramidale, dhunës shtetërore përmes SHIK-ut dhe policisë, por edhe të zgjedhjeve të 26 marsit 1996. Sali Berisha do ta mbante vetëm 4 muaj postin e presidentit në mandatin e dytë.

Sali Berisha dha dorëheqjen nga posti i Presidencës me 24 korrik viti 1997, pasi humbi thellë zgjedhjet e parakohshme të 29 qershorit 1997. Mijëra armë u shkrepën në Tiranën për më shumë se një orë në shenjë gëzimi për largimin e Berishës.

Sali Berisha, 9 prill 1992

Në 9 prill 1992, Kuvendit i Shqipërisë zgjodhi me 96 vota pro Sali Berishën President të Shqipërisë, i cili në atë kohë kishte kompetencat ekzekutive si kompetencat e kryeministrit sot. Berisha u propozua nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, e cila kishte fituar zgjedhjet e 22 marsit 1992. Në votim morën pjesë 132 deputetë. 96 vota ishin pro, 35 vota kundra dhe 1 votë a pavlefshme. Seanca ishte normale, me pjesëmarrjen e opozitës socialiste dhe zgjedhja e Berishës ishte e natyrshme pasi PD-ja fitoi për herë të parë zgjedhjeve parlamentare.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • serveti: 07/05/2022 16:43

    Nga te gjith keta vetem njeri ka qene burre shteti dhe ai quhet ALFRED MOJSIU... Jete te gjate o president...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?