Benet Beci dhe Bardh Spahia i japin dorën njëri-tjetrit

Zgjedhja mes dy 'B'-ve, që nesër askush të mos thotë…

5 Maj 2023, 17:20| Përditesimi: 5 Maj 2023, 17:22

  • Share

Si askund tjetër në Shqipëri, zgjedhjet vendore në bashkinë e Shkodrës kanë në vete enigmën, të papriturën, kërshërinë dhe vëmendjen. Shkodra, ndoshta pas shumë viteve jetë plurale, me plot ngërthime politike, që disa herë kanë çuar drejt asfiksisë së mendimit një qytet të zgjuar si ajo, është para dy zgjedhjeve, apo, duke përdorur nismëtoret e dy kandidaturave, është në dilemën para dy “B”- ve, Benet Beci apo Bardh Spahia.

I pari që përfaqëson të majtën, që për herë të parë ka shpresën se mund të bëjë ndryshimin e madh në qytetin e lashtë, i dyti, Spahia, që përfaqëson të djathtën, e cila ka qeverisur qytetin për 32 vite, që nga dita kur Ali Spahia, babai i kandidatit demokrat, përmes një zgjedhjeje politike të Qeverisë së Stabilitetit, u emërua si kryetar i Komitetit Ekzekutiv pluralist, dhe në këtë post ishte kryetari i fundit, struktura që më pas u shkrinë.

Vëmendja e këtyre zgjedhjeve është në tri bashki; Elbasan, Durrës dhe në Shkodër. Në dy të parat qeverisin të majtët prej shumë kohe, por opozita ka vënë gjithë bastet e saj në dy bashki të mëdha, të cilat rrethojnë pjesë të konsiderueshme të kryebashkisë së vendit, Tiranën. Si një ogur për zgjedhjet politike. Të bindur se Erion Veliaj nuk mund të rrëzohet, ndaj edhe vendosën një kandidat kalimtar, që edhe vetë e di se humbja është emri i tij, duke mos guxuar të vënë asnjë emër të “madh”, si Metaj apo Kryemadhi, synimi është të kenë në duar ato pjesë të rrethimit blu të Tiranës, gjithnjë me shpresë përmbysjen dhe rehabilitimin e tyre.

Në Shkodër gjithçka është ndryshe. Dy figura që, sa kanë të përbashkëta, më shumë janë të ndryshme dhe herë pas here, edhe të kundërta. Në një qytet ku pasionet politike kanë qenë në vlim gjithnjë dhe ku duhet thënë hapur, ka synuar destabilizim e gjithë avangarda e shërbimit sekret serb dhe malazez. Të gjithë ngjarjet e mëdha ogurzeza që kanë ndodhur në Shkodër, pas 8 dhjetorit 1990, kanë lidhje me botën e nëndheshme serbe.

Ndaj, forcërisht, megjithëse enigma nuk është më aq e fshehtë, synohet që Shkodra të vazhdojë të jetë bastioni i së djathtës, që në fakt, edhe nga më dashamirësit e saj, është e njohur se nuk është bërë asgjë e dukshme, e saktë dhe në perspektivën e qytetit. Për të mos thënë se gjërat e ndodhura kanë qenë nën emrin e madh të këtij qyteti hijerëndë.

Ndryshe nga zakonisht, fushata ka temp të qetë, gjërat nuk janë ashpërsuar dhe megjithë gjuhën e ashpër të kreut të Foltores, gjithnjë me teorinë famëkeqe se Veriu është i sanksionuar nga Jugu, tezë e hershme e tij, që nuk është as origjinale dhe as e vetmja, me thirrjet se përballë nuk kemi kundërshtarë, por armiq, gjakrat nuk janë nxehur.

Cila është e përbashkëta e dy kandidatëve?

Të dy janë nga familje me rrënjë të thella në qytetin e Shkodrës. Fisi Beci, i njohur si dashamirës të kulturës, me jetë historike të brujtur nga qëndresa, me lidhje të hershme me familjet më të njohura të qytetit, gjithherë të respektuara, njerëz të fjalës së mbajtur dhe emrit të mirë. Më shpesh të goditur nga regjimi, se të përkëdhelur prej tij. Nëse gjysma e fisit ishte në strukturat e burokracisë, pjesa tjetër ishte në bodrumet e thella, ose në pjesë të internimeve të ndodhura, ç’ka është e zakonshme në Shkodër. Skënder Beci do të jetë njeriu që më 2 dhe 3 prill 1991, së bashku me njerëzit e familjes së tij, ruajtën nga djegia dhe shkatërrimi bibliotekën e Shkodrës, me vlerat dhe thesaret e saj, të cilën demonstruesit deshën ta digjnin.

Fisi Spahia, me figurën e tyre kryesore Ali Spahinë, mjek i njohur, i dënuar, e përsëri i rikthyer në qendër të vëmendjes në përkushtimin e tij si mjek, po ashtu kanë emrin e tyre në qytet. Pavarësisht nga theksimet e ashpra politike, pas së cilës ka qëndruar edhe mllefi për vitet e humbura, qyteti i ka dashur, edhe kur nuk kanë qenë në një mendje me to.

Ali Spahinë e kam takuar disa herë, veç të tjerave edhe pse njerëzit e familjes sime ishin përgjithësisht mjekë. Kemi qenë bashkë në themeluesit e parë të “Shoqatës atdhetare kulturore Kosova” në Shkodër, e para organizatë joqeveritare e krijuar në Shqipëri dhe thellësisht pluraliste.

Për herë të fundit e kam takuar kur u emërua si kryetar i Komitetit Ekzekutiv në Shkodër, në vendin e Tereza Marubit, më e shquara grua në Shkodër në 50 vite monizëm dhe menjëherë pasi nxori vendimin për shkarkimin nga puna të bashkëshortes sime, pasi unë isha gazetar në “Zëri i Popullit”. Më tregoi se veprimi ishte bërë me urdhër, se mund të zgjidhja çdo vend që të doja në institucionet e kulturës dhe të medias në Shkodër dhe të largohesha nga gazeta. Përgjigja ime ishte të nesërmen, në gazetë, hapur, duke refuzuar.

Pas disa ditëve më çoi fjalë se e respekton vendimin tim, ashtu si unë duhej të respektoja vendimin e saj.

Ku ndryshojnë?

Benet Beci është përgjithësisht një njeri që politika nuk e josh. Kur kemi pirë një kafe së bashku jam bindur se ai e kërkon politikën për të bërë punë të vyera, jo për të ngjitur shkallët e karrierës politike. Në parlament e ndjente veten ngushtë, pasi ai nuk ka stofin e njeriut të politikës. Edhe po të kishte qenë ministër, dhe unë do të doja të kishte qenë, ai do e ndjente ngushtë kostumin e politikës.

Nëse fushata është përgjithësisht e qetë në Shkodër, kjo është më shumë meritë e tij. Larg çdo konflikti politik, ai ndjen më shumë dëshirën për të ardhmen, sesa përplasjen e të sotmes. Pra, e do Shkodrën, jo si trampolinë drejt një shkalle tjetër, por që Shkodra të bëhet qyteti i ëndrrës së tij. I mbushur me ide të shumta, ai duket se do të shpërthejë.

Ka nevojë vetëm për hapësirën e tij, të cilën mund t’ia sjellë vetëm Shkodra. Emri i lënë në shumë vepra të tjera, kudo ku ka qenë drejtues, nuk e josh aq sa emri që mund të lërë në Shkodër. Fitoren ai do e përjetonte si shenjë besimi, por edhe fillesë për punë të vyera.

Bardh Spahia ka nisur rrugëtimin e tij si njeri i politikës, që në demonstratat e 1 dhe 2 prillit 1991, të cilat filluan pikërisht nga gjimnazi “Jordan Misja”, ku ai ishte gjimnazist. E ka vazhduar rrugën si i tillë. Nëse Benet Beci mund të tregojë lirisht veprat e mëdha ku ka qenë menaxhues, Bardh Spahia mund të tregojë shkallaret politike në të cilat është ngjitur. Deri në deputet dhe sekretar i përgjithshëm i Presidencës. Politika është frymëmarrja e tij. Ka në vete rrugën e hapur nga Ali Spahia, por edhe ka bërë rrugë vetë. Qetësia e zakonshme mund të shndërrohet në shpërthim, si ndodhi katër vite më parë, në zgjedhjet e bojkotuara nga opozita kur, si u bë e njohur, rrezikoi të digjte shkollën për të djegur fletët e votimit.

Së bashku me Voltana Ademin, ishin në përgatitjen e marshit drejt sheshit ku bënte miting Edi Rama dhe vetëm një telefonatë, disa pak metra larg, i ktheu nga rruga.

Benet Beci, sipas bisedës me të, nuk ka ndër mend që ditën e futjes në bashki të bëjë lëvizjet radikale që kanë ndodhur në çdo ndërrim primari. Ai synon të ndërtojë metodologji të re në punë, jo me njerëz të rinj, por me të gjithë ata që e duan punën.

Spahia, pas fitores së një viti më parë ndërroi gjithçka që ishte e mundur, edhe përkrahësit e Voltana Ademit, të cilët e mbështetën, ç’ka më kujtoi zarfat që dërgonte Ali Spahia me njoftimet për pushimet nga puna të të gjithë drejtorëve të uzinave, fabrikave, punishteve, kombinateve; të të gjithë kryeinxhinierëve dhe specialistëve të lartë – e gjithë kjo brenda një muaji dhe duke dërguar njerëzit e partisë, të cilët, në shumë raste, pasi shkatërruan gjithçka, bënë atë lesh e li të njohur, duke bërë të vdekur tërë zonën industriale të qytetit.

Po të kishte qenë ndryshe paraqitja e kandidatëve, pra, nëse Benet Beci do të kishte kandiduar për të djathtën dhe Bardh Spahia për të majtën, atëherë do të kishte qenë një rezultat katastrofik për të majtën, pasi do të kishte qenë ndoshta fitorja më e madhe e së djathtës pas marsit 1992.

Vetëm ky fakt tregon se Bardh Spahinë e mbajnë në lojë politike, ndërsa Benet Becin aftësia e tij si menaxher i sprovuar.

Në ditët e fundit, dy kandidaturat kanë paraqitur programet e tyre. Benet Beci më parë, Spahia sapo ka filluar. Është rastësi domethënëse që shumë nga projektet e Spahisë ngjajnë me çfarë ka paraqitur më parë Benet Beci, disa herë përsëritja është kaq e dukshme, saqë nuk mund të bësh dallime të qenësishme.

Në fund të fundit kjo dëshmon se e mira dhe e bukura, e dobishmja dhe racionalja janë të mirë pritura nga të gjithë, edhe kur pala tjetër nuk e di se si mund të bëhet një detajim i gjerë i së ardhmes së Shkodrës.

Rëndësi që e miraton, edhe përmes përsëritjes.

Shefi i opozitës reale, Foltores, në fjalën e tij në Shkodër, pasi sulmoi Benet Becin, e akuzoi atë se në dy vite në Parlamentin e Shqipërisë, asnjëherë nuk kishte folur për Shkodrën. Disa njerëz nuk flasin, veprojnë. Me aq sa ka folur Berisha për Shkodrën, duke e quajtur gjithçka, ai qytet do të ishte bërë sot më luks se Parisi dhe Milano së ashku, por dihet se si është.

Nuk luhet guri nga vendi me mendime – është thënie e vjetër e shkodranëve. Berisha e di këtë. Benet Beci , në një nga veprimet e para si deputet ishte ndalimi i unazës makabre që po krijohej, e cila ndante qytetin nga ujërat, e bënte lumin Buna dhe liqenin e Shkodrës të padukshëm për qytetin, privonte bukurinë dhe njomësinë e ujërave.

Ajo pjesë rruge që nisi të bëhej tani është gërmadhë buzë ujërave dhe në vend të saj është ngritur unaza e re, me tjetër frymëmarrje dhe jetë. Një vepër është më e mirë se njëmijë fjalë dhe qindra fjalime pa bukë, për më tepër, luftënxitëse.

Shkodra e ka shansin të zgjedhë. Mes dy “B”-ve, për të shkuar tek e ardhmja, apo mos qoftë e thënë, për të mbetur te mosndryshimi. Nesër askush të mos thotë se u vonuam përsëri. Gjithçka mund të zgjidhet përmes mendjes, jo përmes pasionit, i cili vjetërson idetë dhe humbet natyrshmërinë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Nini: 05/05/2023 23:08

    Beci

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?