Nga mbledhja e KQZ dhe fletë votimi

Zgjedhjet 2021/ Gjendja Civile para KQZ: Saktësimi i adresave nuk ndryshon qendrat e votimit

5 Dhjetor 2020, 16:47| Përditesimi: 5 Dhjetor 2020, 17:01

  • Share

Ndryshimet  e adresës së banimit janë bërë me kërkesë të qytetarit dhe ky veprim nuk do të sjellë ndryshim të qendrës së votimit për zgjedhjet e 25 prillit. Këtë shpjegim dha përfaqësuesi i drejtorisë së Gjendjes Civile në një seancë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Duke saktësuar adresën, ne nuk kemi ndryshuar as qendrën e votimit, as  zyrën e gjendjes civile dhe as kodin e banesës, që këto janë 3 atributet që shtetasit kanë në regjistrin e Gjendjes civile nga të cilat prodhohen listat zgjedhore”, shprehet drejtori  i IT-së në Drejtorinë e Gjendjes civile, Vangjush Stavro.

Anëtari i Komisionit Rregullator Muharrem Çakaj dha raste konkrete të familjarëve të tij.

“Çfarë ka ndodhur që qindra dhe mijëra  shtetas shqiptarë lëvizin në Sarandë. Vlorë ose Konispol? I kam këtu të gjitha dokumentet. Mbi ç’bazë ka ndodhur kjo lëvizje pa deklarimin e vetë shtetasit”, është shprehur Muharrem Çakaj i LSI.

Ndër të tjera, përfaqësuesi i gjendjes civile tha se ndryshimi i adresës së banimit është bërë me kërkesë të qytetarit, si pjesë e një programi në bashkëpunim mes OSHEE-së dhe Ministrisë së Brendshme.

Kujtojmë se Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën se qytetarëve po u ndërrohen vendbanimet e automatikisht dhe qendra e votimit.

Por në një reagim të bërë menjëherë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj siguroi se vendosja e adresave nuk ndryshon vendbanimin dhe se qytetarët duhet të jenë të qetë pasi listat e zgjedhësve do të dalin ekzaktësisht sipas vendbanimit  të qytetarëve, dhe këta të fundit do votojnë aty ku votuan për herë të fundit.

Ndërkohë që pak ditë më vonë Lleshaj garantoi se nuk ka asnjë rast konkret që një qytetar të ketë shkuar, të ketë verifikuar emrin e tij në listën zgjedhore pranë Njësive Administrative, ose online në e-Albania, dhe të ketë thënë që më kanë lëvizur Qendrën e Votimit.

 

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?