Sali Berisha, gjatë takimit me krerët e degëve të PD dhe drejtuesit e qarqeve

Politikë

Zgjedhjet/ Berisha akuzon Ramën për programin: E vodhi nga PD! Porosi kandidatëve: Kushti kryesor votat e partisë, pastaj për veten! Shkarkoni VPN për TikTok-un

1 Prill, 19:34| Përditesimi: 1 Prill, 22:15

  • Share

Tiranë- Kryetari i PD-së, Sali Berisha mblodhi sot (1 prill) në një takim krerët e degëve të PD-së në rrethe dhe drejtuesit politikë në qarqe për zgjedhjet e 11 majit.

Ai u dha porosi për fushatën elektorale dhe kërkoi që kandidatët ta kërkonin votën për partinë në radhë të parë dhe pastaj për veten e tyre, dukshëm i shqetësuar edhe për shifrat e sondazheve që e nxjerrin shumë pikë poshtë kundërshtarit.

Këtë të fundit e sulmoi hapur, duke e akuzuar edhe kryeministrin Edi Rama për vjedhjen e programit.

“Kandidatët kanë një detyrim madhor, paraqitjen e projektit dhe ky është kryesor, votimi për PD-në, si kusht i të gjitha kushteve, pastaj vota për veten. Pala tjetër merret me gënjeshtra, shpifje e mashtrime. Pas dy muajsh pas shëtitjeve në park zoologjik, Rama kuptoi se po rrokulliset. Qytetarët u neveritën me monologët e tij çdo mëngjes, me zhaba, hardhuca, bretkosa e zhapikë. Po mundohet të gjejë strehë të programi i PD-së. Më këtë faktoi se ishte pa asnjë program vetë. Më parë deklaronte se elementët e këtij programi të PD janë katastrofë, por dëshmoi se ky program është i realizueshëm. Po kush e pengoi për 12 vite atë? Kush e pengoi të formësonte elementë thelbësor të paketës së dhembshurisë. Përgjigjen do e marrë më 11 maj nga shqiptarët dhe ajo është se do votojnë origjinalin dhe jo kopjen”, u shpreh Berisha.

Teksa theksoi se Rama kishte zgjedhur si strategji të programit të tij sharjen e kundërshtarit, porositi të tijët që të fokusoheshin vetëm te programi elektoral.

“Ai është i paktë nga ana e nocioneve, i reduktuar po aq sa ato vizatimet që bën. Kur i leverdiste merrte GDP-në reale dhe kur jo diçka tjetër. As një gjimnazist nuk e bën atë që bëri ai. Ai ka ekipin e mëkatarëve të mëdhenj, një pjese të tyre i dha një mburojë me listat e mbyllura, që t’i hedhë fill sapo të mbarojë punë. Rama njihet si njeriu i pabesë, që hedh një nga një bashkëpunëtorët e tij. Në garë në këto zgjedhje është bota e krimit”, u shpreh kreu i selisë blu mes të tjerash, duke u përpjekur të krijojë edhe diversion politik mes mazhorancës. 

Berisha bëri një thirrje tjetër duke orientuar mbështetësit dhe qytetarët se si ta kundërshtojnë mbylljen e TikTok dhe të kundërshtojnë ligjin e Qeverisë, duke i nxitur edhe për shkelje. Duke marrë referencë fitoren e presidentit amerikan Donald Trump nëpërmjet rrjeteve sociale, të njëjtën gjë la të kuptonte se e ëndërronte edhe vetë ta përsëriste.

“Ndaj dhe të bëjmë ç’është e mundur për përdorimin maksimal. Shkarkoni VPN-të për TikTokun, mos e injoroni. Pse u them unë mos e injoroni? Se TikToku e tmerroi atë. E tmerroi saqë e ka dërguar deri në atë shkallë sa ndërhyn për persona të veçantë dhe ua fshin llogarinë. Por këto janë akte dëshpëruese të tij. Prandaj mundësisht krahas FB dhe IG, kthehuni tek VPN dhe shpresoj që të funksionojë TikToku në telefonat tuaj”, u shpreh ai.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?