Politikë

Zgjedhjet/ Berisha vijon akuzat: Në vitin elektoral, Rama rrethoi Shqipërinë me plantacione droge! Bleu qindra mijëra vota duke ‘kanabizuar’ farsën elektorale

2 Qershor, 12:19| Përditesimi: 2 Qershor, 13:37

  • Share

Në konferencën e radhës për mediat për të “dokumentuar” manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit, Sali Berisha hodhi një tjetër akuzë ndaj qeverisë, se ka lejuar plantacionet e drogës në të gjithë vendin.

Kreu i PD tha se ligji i miratuar nga qeveria parashikon vetëm 200 hektarë për mbjellje kanabisi, por qeveria e Ramës, pretendon ai, ka lejuar shumëfishimin e kësaj shifre, për qëllime elektorale.  

“Në farsën elektorale të 11 Majit 2025, kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit shqiptar, Edi Rama, përdori të gjitha mjetet, ndër të cilat licencat për mbjelljen në kundërshtim flagrant me ligjin dhe të gjitha konventat ndërkombëtare të 29 mijë e 300 hektarëve drogë. Ligji i miratuar nga qeveria lejon, autorizon mbjelljen e 200 hektarëve në mbarë vendin. Por në vitin elektoral, kjo sipërfaqe u shumëfishua dhjetëra herë, qindra herë.

Pra, në vit elektoral Edi Rama rrethoi Shqipërinë në të katër anët e saj, dhe në thellësi, me plantacione droge, vlera e të cilave është kolosale po të kemi parasysh se në 28 mijë hektarë mund të mbillen dhjetëra milionë rrënjë kanabis, të cilat shkojnë në një vlerë të paktën 10 miliardë euro”, tha Berisha.

Me këtë, thotë Berisha, Rama bleu qindra mijëra vota “duke kanabizuar farsën elektorale”. Sipas Berishës, licensat e kanabisit i kanë marrë njerëz të lidhur me Ramën dhe se nuk ka pasur tendera për to. Por kur u pyet se kush qëndron pas këtyre licensave që ai thotë se janë dhënë, ai tha se nuk janë marrë konkretisht me emrat.

Ndërkohë, gazetari Armand Maho tregoi një hartë, që sipas tij, tregon 10 zonat kadastrale të miratuara në 7 qarqe.

“Kjo është katastrofa më e madhe dhe me këtë akt, Edi Rama nga veriu në jug, lindja në perëndim, bleu qindra mijëra vota. Thashë dhe njëherë, nuk ka ndodhur kurrë që të autorizohet, të shkelet me 140 herë sipërfaqja e parashikuar me ligjin, siç ka ndodhur në këto zgjedhje. Ky vendim dhe kjo praktikë, sikur të mos kishte asnjë faktor tjetër, kanabizon tërësisht farsën elektorale. Këto zgjedhje kurrë nuk mund të njihen.”, shtoi Berisha.

Ora 12:38
U bë meme pas humbjes së Interit në Champions League, Berisha: S'kam interes për futboll! Akuza Ramës: Udhëtoi me charter, bileta deri në 40 mijë euro

 

Në konferencën për mediat, Sali Berisha iu bë edhe një pyetje ‘pikante’ nëse është gëzuar për fitoren e PSG përballë Interit në finalen e Champions League si një tifoz i francezëve që është.  

Ai hodhi akuza ndaj kryeministrit, duke thënë se udhëtoi me charter për të parë ndeshjen ndërsa shtoi se doli në foto edhe me “Nusretin e biftekut 1 mijë dollarë”.

Pyetje: Si tifoz me francezët që jeni si e keni parë finalen e Champions League, fitoren me 5 shifra të Parisit me Interin. A u gëzuat?

Berisha: Një periudhë që interesi im për futbollin ka rënë në minimum. Kështu e kam unë. E dua futbollin por sipas mënyrës time.  Nuk them se e pashë. Desh të më thoshit mua se Rama me çarter dhe bileta tek 30-40 mijë euro ndoqi ndeshjen dhe doli me Nusretin e biftekut 1 mijë dollarë. Si sheik shijon krimet e tij, krimin monstruoz elektoral që ka bërë.

Kreu i PD u bë meme pas humbjes së thellë të Interit. Në rrjet qarkulloi një foto e Berishës me fanellën e Interit, ku shkruhej “Nuk njohim rezultatin”, një ironi lidhur me atë që ka përsëritur gjatë këtyre ditëve Berisha, se s’do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve pasi janë vjedhur nga qeveria.

 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?