Politikë

Zgjedhjet/ Bozdo i PD akuzon kryebashkiakun e Beratit Demo dhe 3 zyrtaret: Po telefonojnë nga hoteli emigrantët që të votojnë PS-në! Kallëzim në SPAK, Prokuroria të veprojë

17 Prill, 14:09| Përditesimi: 17 Prill, 14:37

  • Share

Kreu politik i PD-së për qarkun e Beratit në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Eno Bozdo, ka denoncuar ditën e sotme (17 prill) kryetarin e Bashkisë Ervin Demo dhe 3 zyrtarë të institucionit, se nga një hotel privat afër institucionit po telefonojnë të gjithë emigrantët që janë nga ky qark, që të votojnë për PS-në.

“Në këto çaste, në orar zyrtar, në një hotel privat ngjitur me Bashkinë Berat, në shkelje flagrante të ligjit zgjedhor, punonjësit e Bashkisë Berat dhe agjencive në varësi të saj po përdoren si punonjës të një call-center, duke telefonuar të gjithë emigrantët e qarkut Berat që janë regjistruar zyrtarisht për votime dhe duke i kërkuar atyre votën për Partinë Socialiste”, tha përfaqësuesi i opozitës.

Bozdo gjithashtu shprehet se do të depozitohet edhe një kallëzim penal për rastin në SPAK, duke kërkuar që Prokuroria e Posaçme të veprojë menjëherë dhe t’i kapë në flagrancë të dyshuarit në shkelje të ligjit dhe Kodit Zgjedhor.

Gjithashtu ai akuzoi Bashkinë berat dhe strukturat qeveritare për “asfaltin elektoral dhe ziftin” gjatë fushatës.

Sipas Bozdos, në krye të operacionit për orientimin e votës qëndrojnë Silvi Merdani, ish-drejtoresha e Turizmit, Arsida Toska, Sekretare e përgjithshme e Bashkisë dhe Joana Melengu, drejtoreshë në bashki, e akuzuar edhe në vitin 2021 për zgjedhjet.

Deklarata e plotë e Eno Bozdos:

"Në këto çaste, në orar zyrtar, në një hotel privat ngjitur me Bashkinë Berat, në shkelje flagrante të ligjit zgjedhor, punonjësit e Bashkisë Berat dhe agjencive në varësi të saj po përdoren si punonjës të një call-center, duke telefonuar të gjithë emigrantët e qarkut Berat që janë regjistruar zyrtarisht për votime dhe duke i kërkuar atyre votën për Partinë Socialiste.

Kështu administrata që paguhet nga taksat tona është kthyer në një ushtri të keqpërdorur patronazhistësh të partisë në pushtet.

Për më tepër, punonjësit e bashkisë përdorin numrat e celularëve të emigrantëve, mesa duket të marra direkt nga KQZ, gjë që përbën një thyerje gjithashtu të rëndë të ligjit zgjedhor dhe atij të ruajtjes së të dhënave personale.

Në krye të këtij operacioni antiligjor qëndrojnë Silvi Merdani, ish-Dretoreshë e Turizmit, si dhe Arisa Toska, Sekretare e Përgjithshme e Bashkisë Berat. Në telefonin e kësaj të fundit janë të gjitha grupet e patronazhistëve ku kërkohet llogari dhe jepen konfirmimet e votave sipas listave. Ndërsa ne laptopin e Ervin Demos, gjenden të gjithë numrat e të gjithë emigrantëve beratas që do të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.

Ky operacion antiligjor mbështetet në terren nga një operacion tjetër të blerjes së votës, që zhvillohet në mes të ditës: hedhja me shumicë e cakullit dhe asfaltit elektoral në rrugët dhe rrugicat e qarkut, denoncuar sa e sa herë nga deputetët e Partisë Demokratike, në thyerje flagrante të ligjit zgjedhor. 

Në krye te këtij operacioni tjetër qëndron Joana Melengu, drejtoreshë në bashki, e kapur me presh në dorë në zgjedhjet e vitit 2021 së bashku me furgonin me ndihma dhe karta identiteti!

Që pushtetarët e sotëm vjedhin dhe manipulojnë, ky fakt nuk përbën asgjë të re. por pyetja më e rëndësishme sot është: ku është SPAK dhe pse nuk vepron ai?

Nëse SPAK ka vullnet, mund të kapë në flagrancë punonjësit e Bashkisë Berat në sallën e konferencave të hotelit ngjitur, ndërsa janë në shkelje flagrante të ligjit zgjedhor. Mund të kapë në flagrancë edhe kamionët me çakull dhe zift që po shtrojnë me shumicë asfalt elektoral në mes të ditës! 

Ky është një denoncim publik nga ana e Partisë Demokratike. Depozitimi shkresor po ndodh gjithashtu. Ne i bëjmë thirrje SPAK të zbatojë ligjin dhe të ushtrojë funksionet që ligji e detyron. SPAK duhet të ndërhyjë menjëherë për të vënë përgjegjësit përpara drejtësisë dhe ruajtur standardin zgjedhor!” 

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?