Tiranë- Fushata elektorale nis sot zyrtarisht, ndërsa misioni i OSBE/ODIHR ka zbarkuar në Tiranë prej ditësh, duke filluar edhe nga takimet me partitë politike e institucionet ligjzbatuese, me mision zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si dhe ndëshkimin e çdo paligjshmërie.
Kreu i misionit, ambasadori Lamberto Zannier, ishte në krye të delegacionit OSBE/ODHIR në takimin që ka zhvilluar sot (11 prill) në Prokurorinë e Përgjithshme, me kreun e saj Olsian Çela.
Më pas ai vijoi turin e misionit edhe me një takim në zyrat e Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Në pamjet e siguruara nga Report Tv, shihet ambasadori Zannier duke dalë nga godina e SPAK pas takimit të zhvilluar.
Ky takim vjen një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 dhe vjen pikërisht në ditën e parë të fushatës.
“Objekt i takimit, ishte njohja e përfaqësuesve të Misionit me masat e marra nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, si dhe mundësitë e mbështetjes së punës së Misionit nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”, njofton institucioni i drejtuar nga Çela.
Më tej informohet se në të gjitha prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, janë ngritur seksione të posaçme të përkohshme, me në krye drejtuesit e prokurorive, të cilat do të mbështeten edhe nga Policia e Shtetit me oficerë të policisë gjyqësore si dhe nga një forcë operacionale.
Gjithashtu do koordinohet edhe me SPAK dhe KQZ.
Edhe Prokuroria e Posaçme, me në krye Altin Dumanin, ka ngritur edhe një Task-Forcë për krimin elektoral dhe po bashkëpunon me KQZ-në dhe Prokurorinë e Përgjithshme, në bashkërendim të punëve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe ndëshkimin e paligjshmërive, sidomos blerja e votës, duke kryer edhe përgjime.
Njoftimi nga Prokuroria e Përgjithshme:
“Masat për zgjedhjet e 11 majit, Prokurori i Përgjithshëm takim me kreun e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, priti në një takim ditën e sotme, kreun e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të OSBE/ODHIR, Ambasadorin Lamberto Zannier.
Objekt i takimit, ishte njohja e përfaqësuesve të Misionit me masat e marra nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, si dhe mundësitë e mbështetjes së punës së Misionit nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, në të gjitha prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, janë ngritur seksione të posaçme të përkohshme, me në krye drejtuesit e prokurorive, të cilat do të mbështeten edhe nga Policia e Shtetit me oficerë të policisë gjyqësore si dhe nga një forcë operacionale.
Gjithashtu, në bazë të marrëveshjeve të lidhura, puna do të koordinohet me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Posaçme, në drejtim të komunikimit të shpejtë të raportimeve mbi veprat penale, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit efikas të hetimeve”.
Komente
