Politikë

Zgjedhjet/ Bardhi nga Cakrani: Nuk mund të vazhdohet më kështu pas 12 vitesh, këtë s’e thonë vetëm demokratët

6 Prill, 10:06| Përditesimi: 6 Prill, 10:15

  • Share

Prezantimi i kandidatit Gentian Koçi në Cakran nxori në pah dy problemet më të mëdha për qarkun e Fierit në këto 12 vjet: mungesën e financimeve në bujqësi dhe në zhdukjen e investimeve në infrastrukturë.

Duke reflektuar shqetësimet e banorëve, drejtuesi politik i qarkut të Fierit Gazment Bardhi vuri në dukje domosdoshmërinë për ndryshim.

“Pas 12 vitesh nuk mund të vazhdohet më kështu. Dhe këtë, jam i bindur që nuk e thonë vetëm demokratët. Por, nuk shtyhet më kështu e thonë edhe anëtarët e thjeshtë të Partisë Socialiste që janë lënë në harresë njëlloj si ne demokratët. Nuk shtyhet më kështu, se ka zero fonde për bujqësinë. Nuk shtyhet më kështu se po ikin të rinjtë. Unë jam shumë i lumtur që këtu ka shumë të rinj në sallë, sepse nuk e kemi gjetur këtë në asnjë zonë tjetër të Fierit. Kudo ku kemi shkuar, kemi parë që të rinjtë mungojnë, janë larguar nga fshati”, deklaroi drejtuesi politik i PD-së në qarkun e Fierit. 

 Gazment Bardhi ftoi votuesit e qarkut Fier të vendosin me votë në 11 maj jo për partinë e preferuar, por për programin më të mirë.

“Mesazhi që duhet t’i jepni secilit pensionist në zonë, meqë edhe këtu ka pensionistë, nëse duan që edhe vitin tjetër pensionin ta kenë 70 mijë lekë të vjetra, apo ta kenë 200 mijë lekë? Kjo është fushata për të cilën, ne po hyjmë.

Ata që janë në marrëdhënie pune, qoftë kjo edhe në biznese private, duan ta kenë rrogën 400 mijë lekë, sa e kanë sot, apo ta kenë minimalen 500 mijë lekë? Një mësues i zonës, do ta ketë rrogën 800 mijë lekë aq sa e ka sot apo ta ketë 1 milonë e 200 mijë lekë me ne në pushtet pas 1 viti?”, - tha Gazment Bardhi në takimin e Cakranit për prezantimin e kandidatit Gentian Koçi, duke shprehur bindjen se në këtë zonë Partia Demokratike do të jetë fituese. 

 “Dhe të gjithë ne bashkë këtu si ekip, dhe unë këtu në Cakran nuk e kam fare merak, sepse shoh burra, edhe zonja që do na bashkohen gjatë fushatës, shoh të rinj, që do të jenë një ekip i jashtëzakonshëm në këto ditë që kanë mbetur për të mbledhur çdo votë për Partinë Demokratike dhe për të siguruar në Cakran fitoren e Partisë Demokratike”, u shpreh Gazment Bardhi.

Xh.K/Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produkte me pesticide, sa besim keni te siguria ushqimore në Shqipëri?