Shpallja e koalicionit mes 'Djathtas 1912' dhe LZHK

Politikë

Dorëzohen në KQZ 3 koalicione, Berisha bashkohet me Metën dhe 24 parti të tjera në zgjedhjet e 11 majit, Alibeaj e Shehi bashkë, si Lapaj e Shabani me ‘Nismën Shqipëria Bëhet’!

3 Mars, 21:18| Përditesimi: 4 Mars, 00:40

  • Share

Pak minuta para mesnatës, afati i fundit për të paraqitur regjistrimin për koalicionet në KQZ, Partia Demokratike e Sali Berishës deklaroi koalicionet e saj bashkë me Partinë e Lirisë së Ilir Metës dhe 24 forca politike të tjera. Koalicioni i Berishës quhet PArtia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Sipas marrëveshjes PL e ilir Metës do të marrë 4 deputetë në lista të sigurta, ndërsa nga 1 do të marrin Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule dhe Agron Duka. KËshtu çamët dhe grekët bashkohen rreth Berishës i cili ka lënë në këtë mënyrë 8 mandate të sigurta për aleatët.

Partia Socialiste ka vendosur përfundimisht të garojë e vetme pa asnjë koalicion, ashtu si PSD, Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe PArtia e re e Lulzim Bashës. Sipas gazetares së Report TV Esiona Konomi, përfundimisht 31 parti garojnë në 3 koalicione, ndërsa 22 të tjera do të garojnë të vetme.

Gjatë ditës së sotme u dorëzua gjithashtu në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesa e parë për koalicionet elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Është grupimi ‘Djathtas 1912' i Enkelejd Alibeajt dhe LZHK-së së Dashamir Shehit ai që i është drejtuar sot KQZ-së me kërkesën për regjistrim disa orë para se të përfundojë ky afat.

Koalicioni është emërtuar “Djathtas për Zhvillim”, duke shkrirë dy siglat e partive në fjalë, për një mision zgjedhor dhe politik.

Ky koalicion do përbëhet nga këto dy parti dhe sigla e përfaqësimit të saj do të jetë “DZH”. Në shkresën e dorëzuar renditen edhe synimet politike dhe zgjedhore të koalicionit.

Pak më pas dorëzoi kërkesë edhe Adriatik Lapaj, për koalicionin "Nisma Shqipëria Bëhet", me partinë 'Nisma Thurje' të Endri Shabanit.

 

Afati kushtetues për regjistrimet e koalicioneve skadon mesnatën e sotme.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
 

Ora 22:59
Zgjedhjet/ Negociatat me Idrizin mbajnë 'peng' deri në minutat e fundit koalicionin e PD me aleatët!

Shpëtim Idrizi dhe Sali Berisha

Kur mbetet rreth një orë nga përfundimi i afatit zyrtar të dorëzimit të koalicioneve, PD ende nuk ka mbyllur marrëveshjen e bashkëpunimit politik me aleatët. 

I vetmi që nuk është bindur ende është Shpëtim Idrizi, i cili kushtëzon pjesëmarrjen në koalicion me më shumë se 1 mandat në lista të mbyllura. PD ofron vetëm 1. Ndërkohë që është mbyllur marrëveshja me rreth 20 parti të tjera.

Aleatëve të tjerë historikë, PD i ka dhënë 7 vende në zonë të sigurt, 4 PL, 1 Mediu, 1 Dule dhe 1 PAA. Ato do të kenë kandidatë edhe në listat e hapura.

Ora 22:17
Dorëzohet një tjetër kërkesë në KQZ për koalicion zgjedhor, ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ e Lapaj-Shabani

1741037118_adriatiklapajendrishabani.jpg

Adriatik Lapaj, Endri Shabani dhe kërkesa për regjistrim si koalicion në KQZ

Një tjetër kërkesë për koalicionet zgjedhore për 11 majin është dorëzuar në KQZ.

‘Shqipëria bëhet’, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, ka bërë kërkesë që të jetë në një koalicion me ‘Nisma thurje’ e Endri Shabanit.

Një tjetër parti pjesë e këtij koalicioni do të jetë edhe Partia “Lidhja për të drejtat e punëtorëve shqiptarë” (PLDSH).

Ditë më parë ata deklaruan edhe bashkimin e tyre. Mësohet se emri i koalicionit është “Nisma Shqipëria bëhet”, e Adriatik Lapaj.

Teksa theksohet në kërkesë se veprimtaria garuese dhe rregullat vendosen mes vetë partive të koalicionit. Baza ligjore është Neni 64 i Kodit Zgjedhor të Shqipërisë. Ky koalicion është i dyti pas atij “Djathtas për Zhvillim”.

A.Q/a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?