Politikë

Zgjedhjet e 11 Majit, Dumani takohet me Celibashin: Bashkëpunim SPAK-KQZ për denoncimin, hetimin dhe luftën ndaj krimeve zgjedhore

13 Shkurt, 15:05| Përditesimi: 13 Shkurt, 17:09

  • Share

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe SPAK forcojnë bashkëpunimin për parandalimin e krimeve zgjedhore dhe hetimin proaktiv të veprave penale në zgjedhjet e 11 Majit.

Më herët Prokuroria e Posaçme kishte publikuar edhe planin strategjik me ngritje zyrash në qarqe dhe ndjekje të problematikës, teksa do jetë nën drejtimin e kreut të saj, Altin Dumani.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, konfirmoi sot (13 shkurt) se zhvilloi një takim zyrtar me  Dumanin, për të diskutuar mbi forcimin e mekanizmave institucionale në funksion të parandalimit dhe ndjekjes së krimeve zgjedhore.

“Gjatë takimit, Dumani theksoi se SPAK synon një qasje më proaktive në trajtimin e rasteve me elementë penalë gjatë proceseve zgjedhore. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me KQZ-në dhe nevojën për ngritjen e një Protokolli të Koordinimit Institucional, i cili do të krijojë linja komunikimi të hapura 24/7 mes institucioneve. Në kuadër të këtij protokolli, SPAK do të organizojë struktura të specializuara në nivel qendror dhe lokal, të përbëra nga prokurorë dhe hetues, të cilat do të punojnë në sinkron me përfaqësuesit e KQZ-së në çdo nivel”, theksohet në njoftimin zyrtar pas këtij takimi.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte përfshirja më e gjerë e institucioneve ligjzbatuese në monitorimin e procesit zgjedhor. Sipas Drejtuesit Dumani, SPAK, në bashkëpunim me KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme, do të ketë prani aktive në terren për të monitoruar nga afër situatën tre muaj para zgjedhjeve dhe deri në përfundim të procesit të numërimit. Për këtë qëllim, do të krijohen mekanizma të dedikuar për të garantuar raportime të menjëhershme dhe ndërhyrje të shpejta në rastet kur evidentohen shkelje.

“SPAK kërkoi gjithashtu bashkëpunim në një sistem të unifikuar të denoncimeve, ku shtetasit dhe shoqëria civile apo edhe aktorë të tjerë të mund të raportojnë raste të mundshme të krimeve zgjedhore. Të dhënat e mbledhura do të analizohen nga prokurorët dhe hetuesit për të verifikuar vlefshmërinë e pretendimeve dhe për të nisur hetimet në rastet e dyshuara. Në këtë kuadër, Dumani i kërkoi KQZ-së organizimin e trajnimeve të përbashkëta mes prokurorëve të SPAK, hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe ekspertëve të KQZ-së, me fokus në identifikimin e veprave penale në zgjedhje dhe mbledhjen e provave për hetime të plota dhe efikase”, nënvizohet më tej.

Një tjetër kërkesë e SPAK ishte aksesimi i Ndërfaqes së Raportimit të Aktiviteteve Publike (NIR) të KQZ-së, sistemi që mund të ndihmojë në evidentimin e shkeljeve të mundshme gjatë fushatës dhe administrimit të zgjedhjeve.

Nga ana e tij, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, theksoi se përveç KQZ-së, edhe aktorë të tjerë të përfshirë në zgjedhje janë në mbështetje të krijimit dhe funksionimit të një mekanizmi të përqendruar të koordinimit ndërinstitucional mes KQZ, SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit. 

Ai njoftoi gjithashtu ngritjen e Qendrës së Monitorimit të Procesit Zgjedhor pranë KQZ, e cila do të furnizohet 24/7 me informacione nga terreni nëpërmjet përdorimit të teknologjisë dhe burimeve nga komisionerët, monitoruesit dhe përfaqësuesit e autorizuar të KQZ-së në terren. Në këtë qendër do të mund të angazhohen edhe hetues të SPAK, për të garantuar një ndjekje të menjëhershme të rasteve me elementë penalë.

“Në përfundim të takimit, Celibashi dhe Dumani ranë dakord për finalizimin e Protokollit të Koordinimit mes KQZ, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duke krijuar një mekanizëm të qartë për shkëmbimin e informacionit, ndjekjen e rasteve dhe bashkërendimin e përpjekjeve për të garantuar integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri. Me këtë marrëveshje, institucionet angazhohen për një bashkëpunim më të ngushtë dhe për veprime konkrete në luftën kundër krimeve zgjedhore, duke siguruar transparencë dhe llogaridhënie në të gjitha fazat e procesit zgjedhor”, përmbyllet ky njoftim mbi takimin.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Arrestimi i Veliajt, si e vlerësoni qëndrimin e Ramës ndaj drejtësisë?