Politikë

Zgjedhjet e 11 majit/ Ivi Kaso: Farsë elektorale, shkeljet i janë dërguar edhe ODIHR-it! S’ka bashkëpunim me PS

3 Qershor, 20:19| Përditesimi: 3 Qershor, 20:31

  • Share

Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, ishte i ftuar sot në emisionin “Frontline Interview” me Marsela Karapançon në Report Tv, ku komentoi zgjedhjet e 11 majit.

Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, ka deklaruar se procesi zgjedhor i 11 majit nuk ka qenë i rregullt dhe i ka cilësuar zgjedhjet si një ‘farsë elektorale’.

‘PD ka kërkuar transparencë për gjithçka që ka ndodhur më 11 maj dhe u panë si u trajtua kjo nga Rama kur u kërkua transparencë dhe me një mesazh të tij ata hoqën dorë dhe e njëjta gjë ndodhi edhe me kandidatët tanë që kërkuan transparencë. Berisha e ka inkurajuar këtë hapje të kutive, që kërkohet në qarqe. Ne i jemi drejtuar komisionit të zgjedhjeve duke kërkuar pavlefshmëri në qarqe të caktuara.

Parregullësi ka pa fund. Kërkesat tona për pavlefshmëri janë në të gjitha qarqet, që kanë cenuar të gjithë procesin. Dhe këto janë konstatime që i ka bërë ODHIRI, vet arbitri i pavarur që ka bërë vëzhgimin e zgjedhjeve. Janë shkelje që kanë të bëjnë me përdorimin e bandave dhe intimidimin e zgjedhësve, blerjen e votave, favore elektorale duke nisur nga tenderat elektoral, nga asfalti dhe mielli elektoral dhe një sërë shkelje të tjera. 11 maji nuk ishte një proces zgjedhor i mirëfilltë, por një farsë elektorale’, tha ai.

Lidhur me pretendimin e Partisë Demokratike se mungojnë 130 mijë fletë votimi të papërdorura në zgjedhjet e 11 majit 2025, Kaso se i është kërkuar edhe KQZ që të bëjë një hetim.

‘Ne kemi bërë kërkesë drejtuar KQZ ku janë këto 130 fletë votimi, sepse e ka për detyrim që nëse ka parregullsi lidhur me procesin të bëjë ajo vet hetim administrativ dhe ne i kemi thënë që të bëjë detyrën dhe të gjejë ku janë këto 130 mijë fletë. Dhe ne kemi thënë hapni kutitë ku janë këto fletët e papërdorura dhe verifikojini, janë aty apo jo. Dhe KQZ na tha duhet që të jenë atje dhe janë bërë gabim procesverbalet, por nuk ecet me duhet’, tha ai.

Kaso mohoi zërat për një bashkëpunim mes PS dhe PD.

‘Në rastin më të mirë janë zëra që nuk dinë se çfarë thonë, nuk ka asnjë lloj bashkëpunimi me PS. Të zbatosh ligjin nuk është bashkëpunim’, tha ai.

Ai deklaroi se shkeljet në zgjedhje i janë dërguar SHBA-së dhe ODIHR-it dhe priten qëndrimin e tyre

'Jemi në pritje të qëndrimit të tyre, ka edhe një interes nga partnerët ndërkombëtarë për të ditur atë që ka ndodhur më 11 maj. Ne kemi të gjitha të dhënat tona edhe pse nuk janë formalizuar në një raport përfundimtar, por jemi duke shkëmbyer informacione dhe presim që së shpejti ata të mbajnë qëndrimin e tyre’, tha ai.

Kaso tha se nuk sheh asnjë krisje në marrëdhëniet me Partinë e Lirisë, pavarësisht deklaratave për një dalje më vete të kësaj force politike në zgjedhjet lokale.

‘Nuk shoh që të ketë një krisje me PL. Nëse kanë thënë që do dal më vete në zgjedhjet lokale, janë në të drejtën e tyre që ta bëjnë këtë gjë. Janë edhe taktika elektorale që çdo parti është e lirë që ti bëjë. PD ka bërë më të mirën e tyre për të maksimalizuar votën e saj dhe koalicionit’, tha ai.

S.B/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?