Opozita vijon fushatën e saj elektorale, teksa më aktivë në terren janë deputetët më me zë që kanë mbetur në listat e hapura.
Një prej tyre është edhe Jorida Tabaku, e cila vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 11 majit, ka shpërndarë një mesazh të qartë dhe të vendosur në rrjetet sociale, për mbështetësit e saj në qarkun e Tiranës, ku kandidon edhe në listën e hapur të PD.
Ajo thekson se politika që përfaqëson është një politikë që dëgjon, që mban fjalën dhe që punon për njerëzit.
“Nuk kam hyrë në politikë për pushtet apo privilegje. Kam hyrë për të ndërtuar një model ndryshe – një politikë qytetare, që dëgjon dhe u shërben qytetarëve, që i çon deri në fund betejat që nis”, shprehet Tabaku në video-mesazhin e saj.
Ajo rikujton se që prej shtatorit ka përcaktuar tri prioritete që do të jenë edhe themeli i angazhimit të saj politik në mandatin e ardhshëm: Lufta kundër korrupsionit, duke çuar deri në fund hetimet për aferat më të mëdha qeveritare si ajo e inceneratorëve; mbështetja për shtresën e mesme, përmes politikave të ndershme fiskale dhe mbrojtjes së profesionistëve të lirë, siç dëshmoi me fitoren në Gjykatën Kushtetuese; fuqizimi i grave, vajzave dhe të rinjve, për të ndalur zbrazjen e vendit dhe për të rikthyer shpresën tek çdo familje shqiptare.
“Nëse nuk japim zë për këto grupe, Shqipëria do të zbrazet dhe do të mbetet pa të ardhme. Prandaj më 11 maj kërkoj mbështetjen tuaj për të çuar përpara këtë model të ndershëm dhe qytetar të politikës”, thekson Tabaku mes të tjerash.
Komente
