Kreu i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Lamberto Zannier, ka mbërritur në Tiranë.
Zannier ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm, Igli Hasani dhe më pas në orën 14:00 ai zbarkoi më Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku edhe takoi kryekomisionerin Ilirjan Celibashi.
Të dy zyrtarët e lartë reaguan pas këtij takimi, duke konfirmuar angazhimin për luftën ndaj krimit zgjedhor, zgjedhje të lira dhe me standarde.
Përgjatë këtij takimi, Ministri Hasani ka nënvizuar se:
"Shqipëria vlerëson fort asistencën e OSBE/ODIHR gjatë proceseve zgjedhore dhe ne mbetemi të vendosur për të zbatuar rekomandimet, duke shfrytëzuar njëkohësisht ekspertizën dhe ndihmën e tij”.
Ndër të tjera, Hasani ka cilësuar edhe angazhimin e vendit tonë për të organizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, në përputhje të plotë me standardet e OSBE/ODIHR.
Edhe Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi reagoi me një postim në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, duke bërë me dije se informoi kreun e Misionit OSBE-ODIHR për masat e marra deri tani, përgatitjet për zgjedhjet e 11 majit, problematikat dhe ecurinë.
“Diskutimi u fokusua edhe te masat për të garantuar integritetin e procesit dhe transparencën e administrimit zgjedhor. Informuam me hollësi mbi përpjekjet institucionale bashkë me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme për të luftuar krimet zgjedhore dhe shmangien e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë”, nënvizon kreu i KQZ.
Ai shpjegon gjithashtu se KQZ mbetet e angazhuar për një proces zgjedhor transparent dhe të besueshëm.
Përgjatë këtyre ditëve, kreu i misionit vëzhgues të OSBE do të zhvillojë disa takime, në institucionet përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, parti politike si dhe shoqërinë civile.
OSBE do të shqyrtojë nga afër të gjithë procesin zgjedhor dhe në 12 maj në mesditë, një ditë pas zgjedhjeve, pritet raporti paraprak i misionit për zgjedhjet, që do të pasohet pak muaj më pas me raportin përfundimtar.
Postimi i Ilirjan Celibashit:
“Takimi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR me KQZ.
Sot, në KQZ Shqipëri, mikpritëm në takim delegacionin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, të kryesuar nga Ambasadori Lamberto Zanier.
Gjatë takimit, prezantuam një tablo të plotë të përgatitjeve për zgjedhjet e 11 majit 2025, procesin e regjistrimit dhe ecurinë e procesit të votimit nga jashtë dhe adresuam të gjitha çështjet me interes për ekipin e z. Zanier.
Diskutimi u fokusua edhe te masat për të garantuar integritetin e procesit dhe transparencën e administrimit zgjedhor. Informuam me hollësi mbi përpjekjet institucionale bashkë me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme për të luftuar krimet zgjedhore dhe shmangien e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë.
Në vijim, Misioni i Vëzhgimit të OSBE/ODIHR zhvilloi takime edhe me trupat e tjera të KQZ-së, përfshirë Komisionin Rregullator dhe Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, për të siguruar një vëzhgim të plotë dhe gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor.
KQZ mbetet e angazhuar për një proces zgjedhor transparent dhe të besueshëm!”.
Postimi i kreut të KQZ pas takimit me Zanier
Komente
