Nga Patosi ku zhvilloi një takim me qytetarët, në kuadër të takimeve elektorale për zgjedhjet e 11 majit, kryesocialisti Edi Rama ka ironizuar kreun e PD Sali Berisha.
Rama tha se në 11 maj, shqiptarët do të zgjedhin mes PS dhe Sali Berishës, ku duke iu referuar gafave në takimet e tij tha se nuk di se çfarë thotë.
‘Mjaft më si qytetarë të dorës 2, është koha që Shqipëria dhe shqiptarët të hyjnë në familjen europiane njëherë e mirë. Nuk jemi vetëm ne që duam të hyjnë në BE, por edhe BE do që ne të hyjë në shtëpinë e saj. Në 11 maj Shqipëria nuk do të zgjedh vetëm mes forcash politike, por do të zgjedh mes nesh dhe një 80 e kusar vjeçari që nuk di ca thotë. Dhe unë kam shumë besim që shqiptarët në këto ditë, do ta ndjejnë peshën e përgjegjësisë së 11 majit’, tha ai.
Rama u shpreh me bindje se Partia Socialiste do të arrijë një fitore rekord në zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Fierit.
'Koha që çdo shqiptar të marrë përsipër fatin europian të Shqipërisë, duke bërë zgjedhjen e duhur të vendosë se cili dhe cila të kenë pasaportën europiane. Pasaporta që është statusi i ri i shqiptarëve si qytetarë të barabartë me bashkëqytetarët europianë. Status që i jep fund atij korridorit të veçantë. Ku na mbajnë me radhë dhe na kontrollojnë me policë pasaportën. Me pasaportë do hymë në Europë njësoj si ju nga Patosi hyni në Tiranë. Hyrja përveçse status është një fuqi e re për Shqipërinë. Fuqi morale, politike dhe ekonomike. Ne do të arrijmë një fitore rekord këtu në qarkun e Fierit më 11 maj', tha ai.
Rama tha se është koha të hyjmë në shtëpinë e bashkuar europiane. Ai tha se kjo është edhe dëshirë e BE që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes europiane.
“Patosi nuk na e ka kursyer asnjëherë mbështetjen, asnjëherë si sot nuk janë mbledhur në këtë shesh për të na pritur dhe mbështetur që deri në 11 maj. Mjaft më si një popull i trajtuar si të huaj në Evropë, është koha të hymë në shtëpinë e bashkuar europiane. Këtë kohë e kemi sjellë me shumë përpjekje, por nuk jemi vetëm ne që duam të hyjmë në BE por është edhe BE që do që Shqipëria të hyj në shtëpinë e tij. 11 maji nuk është dita e zgjedhjeve, çdo zgjedhje ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit por ndonjëherë zgjedhjet nuk janë vetëm ballafaqim forcash politike, por të jenë një takim me historinë', tha ai.
Komente
