Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur tre skenarë se ku mund të zhvillohet votim dhe numërim elektronik në zgjedhjet e 11 majit. Variantet u janë dërguar për konsultim partive politike dhe Komisionit Rregullator, i cili në fund fare do të vendosë se ku do të eksperimentohet ky proces.Në të tre propozimet e përgatitura nga Ilirjan Celibashi, votimi e numërimi elektronik ndahet mes bashkive: Tiranë, Vorë dhe Durrës.
Në skenarin e parë, propozohet ky model votimi në bashkinë Tiranë, njësitë 1, 3, 5, 8, 9, 10 dhe nga bashkia Vorë: Njësitë Bërxull, Prezë dhe Vorë .
Skenari i dytë, ndahet sërish mes Tiranës e Vorës. Përkatësisht, njësitë 2, 3, 5, 9, 10 të bashkisë Tiranë, dhe nga bashkia Vorë: Njësitë Bërxull, Prezë dhe Vorë .
Skenari i tretë del përtej Tiranës dhe Vorës, e përfshin edhe një pjesë të bashkisë Durrës. Celibashi në këtë variant propozon që të votohet elektronikisht në njësitë 5 dhe 10 në Tiranë, Njësitë: Bërxull, Prezë dhe Vorë, si dhe rajonet 1,2,3,4,5, bashkia Durrës.
Ajo që bie në sy është se të gjitha variantet përfshijnë njësitë 5 dhe 10 në Tiranë, si dhe zonën e Vorës, Bërxullit dhe Prezës në bashkinë Vorë. Nuk dihet ende se cilin nga këto 3 variante preferojnë partitë politike. Për shkak se partia më e madhe opozitare, PD, ka refuzuar që votimi elektronik të shtrihet në nivel qarku, KQZ në 3 skenarët propozon votim elektronik vetëm në disa njësi administrative.
Votimi dhe numërimi elektronik u provua për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2021, në njësinë 10 në kryeqytet. Ndërsa në vitin 2023, u zgjerua në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë. Pavarësisht se këto makineri janë të shtrenjta, ato mund të prodhojnë rezultat brenda një orë nga mbyllja e votimit, duke shmangur orë e ditë të tëra numërimi, që hera herës prodhonin konflikte.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
