Moment nga procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore nga KZAZ-të

Politikë

Ndahen materialet zgjedhore për 11 majin! Gjykata vendos të votojnë edhe 36 gra të Burgut të Pojskës në Pogradec

10 Maj, 12:29| Përditesimi: 10 Maj, 19:58

  • Share

Nesër në Shqipëri mbahen zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Fushata elektorale përfundoi prej mesnatës së mbrëmshme, pas një muaji takimesh elektorale dhe fjalimesh në mitingje.

Në shumë qarqe të vendit ka nisur dhe po vijon procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore nga KQZ në KZAZ-të e ngritura dhe më pas nga këto të fundit drejt qendrave të votimit në njësitë administrative apo bashkitë ku janë ngritur.

Ditën e sotme raportohet deri tani se po vijon procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore nga KZAZ-të drejt qendrave të votimit në fshatra dhe lagje.

Në Pogradec informohet se KZAZ nr. 70 po shpërndan bazën materiale, teksa konfirmohet se sipas vendimit të Gjykatës, do të votojnë edhe gratë e Burgut të Pojskës.

36 gra janë në listën e votuesve në burgun e Pojskës, por do votojne në një qendër jashtë burgut, në qendrën më të afërt të votimit. 

Edhe në Kukës ka nisur shpërndarja e materialeve nga KZAZ drejt fshatrave më të thellë malorë fillimisht, që të mbërrijnë në kohë. Edhe në Lezhë procesi po vijon normalisht dhe gjithashtu në qarqet e tjera, ku deri tani nuk raportohet ndonjë problematikë apo incident dhe pengesë.

Shpërndarja e materialeve zgjedhore po bëhet edhe në KZAZ nr. 2, që përfshin zonën e Dukagjinit dhe Njësitë Administrative të Bashkisë Shkodër dhe në të trija KZAZ-të e Lushnjës dhe Divjakës.

Gjithashtu ka filluar mesditën e sotme shpërndarja e materialeve zgjedhore në tre KZAZ- të 58, 59 dhe 60 në bashkinë Fier.

Edhe në Lezhë dhe Pukë ka nisur procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore ditën e sotme në të gjitha qendrat e votimit dhe pritet të përfundojë në oret e mbrëmjes. 

Ora 19:54
Shkodër/ Në 9 qendra votimi nuk janë dorëzuar ende materialet zgjedhore

Për Bashkinë Shkodër kanë mbetur vetëm 9 Qendra Votimi pa u dorëzuar.

Procesi po vijon normalisht dhe brenda orës 20:00 do jetë përfunduar dorëzimi i plotë i materialeve zgjedhore.

Ora 19:13
Zgjedhjet e 11 majit/ Shpërndahen materialet zgjedhore në bashkitë Mat, Klos dhe Bulqizë, drejt fundit në Peshkopi

Ka përfunduar procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore për votimet e 11 majit, në bashkitë Mat, Klos dhe Bulqizë, ndërsa në Peshkopi janë drejt fundit.

Ora 18:40
Zgjedhjet e 11 majit/ Nis shpërndarja e materialeve zgjedhore edhe në Pukë

Ashtu si në shumë qarqe të vendit edhe në Pukë ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore. 

Të dielën e 11 majit, shqiptarët do t'u drejtohen kutive të votimit për të ushtruar të drejtën e votës.

Nisja e procesit të votimit bëhet nesër në orën 07:00 dhe qendrat mbyllen në orën 19:00.

Ora 16:22
Lezha bëhet gati për zgjedhjet e 11 majit, nis shpërndarja e materialeve zgjedhore në të gjitha qendrat e votimit

Qarku i Lezhës është bërë gati për zgjedhjet e përgjithshme të së dieles të 11-majit. Sipas të dhënave zyrtare, janë thirrur për të ushtruar të drejtën e votës gjithsej 164,954 zgjedhës, në këtë zonë e cila prodhon 7 mandate deputetësh, që do të ndahen në bazë të votave të fituara nga subjektet politike dhe kandidatët në garë.

Ndërkohë autoritetet zgjedhore po vijojnë përgatitjet, ku proçesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore ka nisur ditën e sotme në të gjitha qendrat e votimit dhe do të përfundojë në oret e mbrëmjes, duke i hapur rrugë një zhvillimi normal të ditës së votimit.

Ky operacion është mbikëqyrur nga katër Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), të cilat kanë koordinuar punën në të tri bashkitë e qarkut.Bashkia Lezhë përbën zonën më të madhe elektorale me 128 qendra votimi, e ndjekur nga Kurbin me 74 qendra dhe Mirdita me 48.

Komisionet Zonalë dhe strukturat e tjera përkatëse kanë bërë apel për një proces zgjedhor të qetë dhe të rregullt, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në votime dhe të kontribuojnë në forcimin e demokracisë përmes votës së lirë.Masat e sigurisë janë gjithashtu në fokus, ku policia e shtetit dhe institucionet e tjera janë angazhuar për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit, duke nisur nga shpërndarja e materialeve e deri në numërimin e votave.

 Janë parashikuar gjithashtu masa për aksesin dhe lehtësimin e votimit për grupet e ndjeshme, përfshirë të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar.Procesi zgjedhor në Lezhë do të ndiqet nga vëzhgues të ndryshëm vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët do të monitorojnë ecurinë e votimit dhe respektimin e standardeve demokratike.

Ora 16:08
Mungon shiriti i sigurisë në një qendër votimi në Vithkuq, Policia nuk e merr në dorëzim

Në një qendër votimi në Vithkuq në Korçë, e cila mban numrin 41/70, mungon shiriti i sigurisë që vihet tek dera e qendrës së votimit.

Materialet zgjedhore janë dorëzuar në këtë qendër votimit, por plicia nuk po merr qendrën e votimit në dorëzim, ndërsa pritet që KZAZ të kryej verifikimet përkatëse.

Ora 16:03
Zgjedhjet e 11 majit/ Nis shpërndarja e materialeve zgjedhore në Elbasan

Në Elbasan ka nisur zyrtarisht shpërndarja e materialeve zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. 

Komisionet e qendrave të votimit kanë marrë në dorëzim kutitë dhe pajisjet e nevojshme, ndërsa ditën e nesërme qytetarët do të drejtohen në qendrat e votimit për të votuar. 

Ora 15:16
Shkodër/ Nis shpërndarja e materialeve zgjedhore në KZAZ nr. 2 për Dukagjinin dhe njësitë administrative (VIDEO)

Ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore në KZAZ nr. 2, që përfshin zonën e Dukagjinit dhe Njësitë Administrative të Bashkisë Shkodër. 

Gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja, informon se deri tani nuk ka asnjë problematikë sa i takon procesit të shpërndarjes.

Ora 14:48
Zgjedhjet/ Fillon shpërndarja e materialeve elektorale për tri KZAZ-të e Lushnjës dhe Divjakës

Lushnjë- Ka nisur në të trija KZAZ-të e Lushnjës dhe Divjakës shpërndarja e materialeve zgjedhore. 

Materialet po tërhiqen nga komisionet zgjedhore pranë ambienteve të Muzeut Historik të Lushnjës, për KZAZ 56, në ambientet e palestrës së shkollës ‘Skënder Libohova’ për KZAZ 55 dhe në ambientet e qendrës së kulturës Divjakë për KZAZ 57.

Gazetari i Report Tv, Yrjet Saliasi informon se Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhjeve në Lushnjë dhe Divjakë po japin dhe udhëzimet përkatëse për komisionet e qendrave të votimit, në lidhje me hapjen dhe mbylljen e procesit zgjedhor të 11 majit.

Materialet e marra në dorëzim me procesverbal nga të paktën dy anëtarë të QV-ve do të mbyllen në ambientet e miratuara më parë dhe do të ruhen nga Policia e Shtetit deri nesër në mëngjes, kur të hapet procesi zgjedhor.

Ora 12:54
Zgjedhjet/ Nis në Fier shpërndarja e materialeve zgjedhore në tre KZAZ (VIDEO)

 

Ka filluar mesditën e sotme shpërndarja e materialeve zgjedhore në tre KZAZ- të 58, 59 dhe 60 në bashkinë Fier.

Sipas ligjit zgjedhor ato janë tërhequr nga kryetarët dhe sekretarët e qendrave të votimit ndërsa shpërndarja në kohë i paraprin organizimit, administrimit, zhvillimit dhe mbikqyrjes sa më të mirë të ecurisë së procesit zgjedhor në të 97 qendrat e votimit për 157 761 zgjedhës.

Në KZAZ-në 60 është bërë shpërndarja për 97 qendrat e votimit të qytetit, ndërsa në KZAZ- të 58 dhe 59 po bëhet shpërndarja për qendrat e votimit në njësitë administrative.

Gjithashtu në orën 12:00 ka filluar shpërndarja e bazës materiale zgjedhore edhe në bashkitë Patos Roskovec dhe Mallakastër.

Ora 12:05
Zgjedhjet e 11 majit/ Nis edhe në KZAZ-në e Kukësit shpërndarja e materialeve në të gjitha qendrat e votimit! Të parat fshatrat e thellë malorë (VIDEO)

Kukës- Edhe në Bashkinë e Kukësit ka nisur sot (10 maj) shpërndarja e materialeve zgjedhore për zgjedhjet që do të mbahen të dielën (nesër). 

Procesi ka nisur nën masa sigurie dhe në prani të përfaqësuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KZAZ Kukës dhe forcave të rendit. Të parat që kanë marrë materialet ishin qendra e votimit me numër 0677, të vendosura në fshatrat Pakisht dhe Kosharisht të njësisë administrative Zapod. 

Këto dy fshatra përfshihen në të njëjtën qendër votimi dhe numërojnë gjithsej 318 votues të regjistruar.

Shpërndarja po vijon drejt qendrave të tjera të votimit në territorin e bashkisë, fillimisht me të largëtat, fshatrat e thellë malorë, me qëllim që të gjitha të jenë të pajisura në kohë me materialet përkatëse si; fletët e votimit, kutitë, regjistrat dhe pajisjet për identifikimin biometrik, kamerat etj.

KZAZ Kukës ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për zhvillimin e një procesi zgjedhor të qetë, të rregullt dhe transparent, si dhe shpërndarjen e materialeve zgjedhore në 73 qendra votimi, 15 orë para nisjes së procesit të votimit, të dielën e 11 majit.

Ora 11:57
Zgjedhjet/ Nis shpërndarja e materialeve zgjedhore edhe në KZAZ nr. 70 të Pogradecit, Gjykata vendos që të votojnë edhe gratë e Burgut të Pojskës! (VIDEO)

Korçë- Ndërsa nesër, 11 maj, mbahen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KQZ në KZAZ-të e qarqeve.

Ditën e sotme edhe në KZAZ nr. 70 të qytetit të Pogradecit po vijon ky proces, si në të gjithë qarkun e Korçës. Grupet e komisionit te qendrave të votimit janë paraqitur pranë KZAZ për të tërhequr materialet. 

Mandi Mekolli, kryetar i KZAZ, tregon se procesi ka nisur që në orën 09:00 dhe pritet të përfundojë brenda pak orësh. Materialet do të shpërndahen në 7 njësitë administrative, ndërkaq për herë të parë pritet të votojnë edhe gratë të cilat vuajnë dënimin në Burgun e Pojskës. 

Gjykata është shprehur me vendim, ndërsa pritet që ky vendim të komunikohet zyrtarisht edhe në KZAZ.

A.Q/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju është dukur fushata zgjedhore?