Moment nga procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore nga KZAZ-të

Politikë

Zgjedhjet e 11 majit/ KZAZ-të në qarqe vijojnë shpërndarjen e materialeve elektorale në qendrat e votimit! Gjykata vendos të votojnë edhe gratë e Burgut të Pojskës në Pogradec

10 Maj, 12:29| Përditesimi: 10 Maj, 14:52

  • Share

Nesër në Shqipëri mbahen zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Fushata elektorale përfundoi prej mesnatës së mbrëmshme, pas një muaji takimesh elektorale dhe fjalimesh në mitingje.

Në shumë qarqe të vendit ka nisur dhe po vijon procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore nga KQZ në KZAZ-të e ngritura dhe më pas nga këto të fundit drejt qendrave të votimit në njësitë administrative apo bashkitë ku janë ngritur.

Ditën e sotme raportohet deri tani se po vijon procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore nga KZAZ-të drejt qendrave të votimit në fshatra dhe lagje.

Në Pogradec informohet se KZAZ nr. 70 po shpërndan bazën materiale, teksa konfirmohet se sipas vendimit të Gjykatës, do të votojnë edhe gratë e Burgut të Pojskës.

Edhe në Kukës ka nisur shpërndarja e materialeve nga KZAZ drejt fshatrave më të thellë malorë fillimisht, që të mbërrijnë në kohë.

Edhe në Lezhë procesi po vijon normalisht dhe gjithashtu në qarqet e tjera, ku deri tani nuk raportohet ndonjë problematikë apo incident dhe pengesë.

(lajmi ne përditësim...)

Ora 14:48
Zgjedhjet/ Fillon shpërndarja e materialeve elektorale për tri KZAZ-të e Lushnjës dhe Divjakës

1746881160_lezhe.jpg

Lushnjë- Ka nisur në të trija KZAZ-të e Lushnjës dhe Divjakës shpërndarja e materialeve zgjedhore. 

Materialet po tërhiqen nga komisionet zgjedhore pranë ambienteve të Muzeut Historik të Lushnjës, për KZAZ 56, në ambientet e palestrës së shkollës ‘Skënder Libohova’ për KZAZ 55 dhe në ambientet e qendrës së kulturës Divjakë për KZAZ 57.

Gazetari i Report Tv, Yrjet Saliasi informon se Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhjeve në Lushnjë dhe Divjakë po japin dhe udhëzimet përkatëse për komisionet e qendrave të votimit, në lidhje me hapjen dhe mbylljen e procesit zgjedhor të 11 majit.

Materialet e marra në dorëzim me procesverbal nga të paktën dy anëtarë të QV-ve do të mbyllen në ambientet e miratuara më parë dhe do të ruhen nga Policia e Shtetit deri nesër në mëngjes, kur të hapet procesi zgjedhor.

Ora 12:54
Zgjedhjet/ Nis në Fier shpërndarja e materialeve zgjedhore në tre KZAZ (VIDEO)

 

Ka filluar mesditën e sotme shpërndarja e materialeve zgjedhore në tre KZAZ- të 58, 59 dhe 60 në bashkinë Fier.

Sipas ligjit zgjedhor ato janë tërhequr nga kryetarët dhe sekretarët e qendrave të votimit ndërsa shpërndarja në kohë i paraprin organizimit, administrimit, zhvillimit dhe mbikqyrjes sa më të mirë të ecurisë së procesit zgjedhor në të 97 qendrat e votimit për 157 761 zgjedhës.

Në KZAZ-në 60 është bërë shpërndarja për 97 qendrat e votimit të qytetit, ndërsa në KZAZ- të 58 dhe 59 po bëhet shpërndarja për qendrat e votimit në njësitë administrative.

Gjithashtu në orën 12:00 ka filluar shpërndarja e bazës materiale zgjedhore edhe në bashkitë Patos Roskovec dhe Mallakastër.

Ora 12:05
Zgjedhjet e 11 majit/ Nis edhe në KZAZ-në e Kukësit shpërndarja e materialeve në të gjitha qendrat e votimit! Të parat fshatrat e thellë malorë (VIDEO)

Kukës- Edhe në Bashkinë e Kukësit ka nisur sot (10 maj) shpërndarja e materialeve zgjedhore për zgjedhjet që do të mbahen të dielën (nesër). 

Procesi ka nisur nën masa sigurie dhe në prani të përfaqësuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KZAZ Kukës dhe forcave të rendit. Të parat që kanë marrë materialet ishin qendra e votimit me numër 0677, të vendosura në fshatrat Pakisht dhe Kosharisht të njësisë administrative Zapod. 

Këto dy fshatra përfshihen në të njëjtën qendër votimi dhe numërojnë gjithsej 318 votues të regjistruar.

Shpërndarja po vijon drejt qendrave të tjera të votimit në territorin e bashkisë, fillimisht me të largëtat, fshatrat e thellë malorë, me qëllim që të gjitha të jenë të pajisura në kohë me materialet përkatëse si; fletët e votimit, kutitë, regjistrat dhe pajisjet për identifikimin biometrik, kamerat etj.

KZAZ Kukës ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për zhvillimin e një procesi zgjedhor të qetë, të rregullt dhe transparent, si dhe shpërndarjen e materialeve zgjedhore në 73 qendra votimi, 15 orë para nisjes së procesit të votimit, të dielën e 11 majit.

Ora 11:57
Zgjedhjet/ Nis shpërndarja e materialeve zgjedhore edhe në KZAZ nr. 70 të Pogradecit, Gjykata vendos që të votojnë edhe gratë e Burgut të Pojskës! (VIDEO)

Korçë- Ndërsa nesër, 11 maj, mbahen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KQZ në KZAZ-të e qarqeve.

Ditën e sotme edhe në KZAZ nr. 70 të qytetit të Pogradecit po vijon ky proces, si në të gjithë qarkun e Korçës. Grupet e komisionit te qendrave të votimit janë paraqitur pranë KZAZ për të tërhequr materialet. 

Mandi Mekolli, kryetar i KZAZ, tregon se procesi ka nisur që në orën 09:00 dhe pritet të përfundojë brenda pak orësh. Materialet do të shpërndahen në 7 njësitë administrative, ndërkaq për herë të parë pritet të votojnë edhe gratë të cilat vuajnë dënimin në Burgun e Pojskës. 

Gjykata është shprehur me vendim, ndërsa pritet që ky vendim të komunikohet zyrtarisht edhe në KZAZ.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju është dukur fushata zgjedhore?