Pa nisur ende viti zgjedhor i 2025, kur pas 4 muajsh e gjysme vendi do të votojë për parlamentin e ri, Enkelejd Alibeaj dhe Dashamir Shehi kanë zyrtarizuar koalicionin e parë të 11 majit.
“Procesi i ndërtimit të këtij koalicioni do të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës, duke angazhuar politikën dhe qytetarët në mënyrë të barabartë”, tha Dashamir Shehi.
Edhe pse u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese, Alibeaj dhe Shehi thanë se ky koalicion do të ketë bazë të veten listat e hapura, por edhe një vend të posaçëm për diasporën në çdo zonë zgjedhore.
‘Vota që do të mbledh secili nga kandidatët do të përcaktojë se kush do të jetë dhe kush do ta meritojë për të qenë nesër deputet’, tha Enkelejd Alibeaj.
Lista e përbashkët dhe lista e hapur është gjeneratori që i jep moral kësaj lëvizje’, tha Dashamir Shehi.
Ftuan çdo parti t’i bashkohet, duke lënë hapësira për koalicion me të gjithë, veç Sali Berishës.
“Koalicioni është i hapur për çdo parti politike, lëvizje politike, organizatë politike ose individë të angazhuar në politikë, të cilët ndajnë të njëjtat vlera themelore. Çdo individë tjetër që ka bërë publik qëndrimin e vet e mosdakordësisë me grupimet e vjetra nuk do të duhet të hyjë në zgjedhje me rregullat që do ti caktojë Rama dhe Berisha”, tha Alibeaj.
Në zgjedhjet e 2025, opozita rrezikon të shkojë e përçarë përballë shumicës në qeveri. PD si forca më e madhe opozitare ende nuk ka zyrtarizuar koalicion me aleatet më në krye PL-në ndërsa një sërë partish të vogla kanë deklaruar se nuk bashkohen në një front me Sali Berishën.