Deputeti i Partisë Demokratike Xhelal Mziu u padit për shpifje në Gjykatën e Posaçme nga ish-kryebashkiaku i Burrelit Agron Malaj, që u zgjodh edhe deputet nën siglën e Partisë Socialiste. Padia erdhi pas një deklarate të bërë nga Xhelal Mziu një ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, se automjeti qe përdorej nga Malaj ka shpërndarë para në këmbim të votave.
Seanca e parë në GJKKO, u shty pasi mungonte deputeti demokrat, ndërsa i pranishëm ishte vetëm Malaj. Deputeti demokrat kishte njoftuar se nuk mund të ishte i pranishëm në seancën e parë të pajtimit dhe seanca e radhës u la më datë 21 korrik.
Më 10 maj 2025, një ditë para zgjedhjeve u shënua një incident, ku simpatizantët e Partisë Demokratike ndaluan një automjet duke pretenduar se personat që ishin në të, po shpërndanin para me qëllim blerjen e votave në favor të Partisë Socialiste.
Pas kësaj ngjarje, drejtuesi politik i qarkut Dibër i PD Xhelal Mziu, akuzoi kandidatin e PS Agron Malaj, duke thënë se automjeti që po shpërndante para ishte i tij.
Komente
