Ndërsa vetëm 6 ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare, PD i ka bërë kërkesë KQZ e Ministrisë së Brendshme që qytetarët të votojnë edhe me ID të skaduara.
Shkresa, e nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i Demokratëve, Franci Nuri, i është adresuar edhe Këshillit të Ministrave, përpos kryekomisionerit Ilirjan Celibashi dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.
Sipas partisë opozitare, janë 600 mijë zgjedhës që të dielën nuk do të kenë as pasaportë, e as kartë identiteti, pasi u kanë skaduar e nuk i kanë rinovuar. PD i kërkon qeverisë dhe KQZ-së, të merren masa, që kushdo që ka dokument biometrik, qoftë edhe të skaduar, të votojë, siç është bërë edhe herët e tjera.
Ministria e Brendshme nuk ka konfirmuar se sa zgjedhës nuk do të kenë të dielën dokumente, ndërsa PS ka mbrojtur më herët tezën se votime me dokumente të skaduara, nuk do të ndodhë më.
Sipas mazhorancës, Shqipëria është kritikuar nga ndërkombëtarët pse ka lejuar në të shkuarën të votohet me dokumente të skaduara.
Kërkesa e PD
PARTIA DEMOKRATIKE - KOALICIONI PËR SHQIPËRINË MADHËSHTORE
Të nderuar,
Komisinerit Shtetëror të Zgjedhjeve, z.Ilirjan CELIBASHI Adresa: Rruga "Ibrahim Rugova", Nr. 4, 1001, Tiranë.
Ministrit të Brendshëm, Z. Ervin HOXHA
Adresa: Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Nd. 1, 1001, Tiranë.
- Këshillit të Ministrave, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm z. Engëll Agaçi
Adresa: Bulevardi "Dëshmorëte Kombit", Nr. 1, 1001, Tiranë.
MBI MARRJEN E MASAVE PËR ZGJATJEN ME VKM TË VLEFSHMËRISË SË DOKUMENTAVE TË IDENTIFIKIMIT ID DHE PASAPORTAVE TË SKADUARA TË SHTETASVE SHQIPTARË, PËR EFEKT TË VOTIMIT NË ZGJEDHJET PËR KUVEND TË 11 MAJIT 2025.
Z. Franci NURI, përfaqësuesi ligjor i Koalicionit PD-ASHM në KQZ.
Në referim të të dhënave të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), si dhe në përputhje me shqetësimet e ngritura nga qytetarë dhe aktorë të ndryshëm, ju drejtohemi me këtë kërkesë për të ndërmarrë masat përkatëse formalo-proceduriale me qëllim garantimin e ushtrimit të të drejtës kushtetuese për të votuar të shtetasve shqiptarë të cilëve dokumentat ID apo Pasaporta mund t'u ketë skaduar.
Një numër i konsiderueshëm shtetasish shqiptarë me të drejtë vote rrezikojnë të mbeten të përjashtuar nga procesi i votimit për shkak të pavlefshmërisë ose mosrinovimit në kohë të kartës së identitetit apo pasaportës biometrike. Për të shmangur përsëritjen e rasteve të papranueshme, si ai i konstatuar në zonën e Himarës gjatë vitit 2024, ku me mijëra qytetarë me të drejtë vote nuk patën mundësi të marrin pjesë në zgjedhje për arsye të kësaj natyre, kërkojmë ndërhyrjen tuaj urgjente. Sipas informacioneve tona, përllogariten rreth 600.000 shtetas shqiptarë në mbi 3.7 milion zgjedhës prezentë në listat e votimit, të cilët i kanë të pa-rinovuara dokumentat ID ose Pasaportat.
Konkretisht, nisur nga kjo situatë, propozojmë që të shqyrtohet mundësia ligjore për shtyrjen e përkohshme të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit (ID kartë dhe pasaportë) për të gjithë shtetasit shqiptarë me banim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, deri në përfundim të procesit të votimit më datë 11 maj 2025. Kjo praktikë është ndjekur nga ana juaj edhe në proceset zgjedhore të mëparshme, hera e fundit ishte në Maj të 2023.
Ky akt do të shërbente si garanci për respektimin e së drejtës për të votuar, e cila nuk duhet të cenohet nga vështirësi administrative apo pengesa burokratike të natyrës dokumentare.
Në pritje të reagimit dhe veprimeve tuaja, për angazhimin në funksion të integritetit dhe gjithëpërfshirjes së procesit zgjedhor.
Komente
