Politikë

Zgjedhjet e 11 Majit/ PD zhvillon takime me Diasporën në Itali, Topalli, Alizoti, Hoti dhe Sula takojnë emigrantët në 3 rajone: Vota juaj na duhet për të rrëzuar Ramën

19 Janar, 17:58| Përditesimi: 19 Janar, 20:43

  • Share

Ndërsa fushata elektorale për zgjedhjet e 11 Majit 2025 po afron, dy partitë e mëdha politike në vend kanë shtuar intensitetin e takimeve me Diasporën.

Partia Demokratike ka zhvilluar takime në të paktën tre rajone të Italisë ditën e sotme (19 janar).

Emigrantët shqiptarë në Brescia kanë pasur një grup deputetësh prezentë, ku morën pjesë deputeti Dashnor Sula, Tomor Alizoti, përfaqësues të qarkut të Elbasanit dhe sekretari i PD, Flamur Noka.

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka qenë e angazhuar po sot në një takim me emigrantët në zonën e Pistoias, kurse deputetja Elda Hoti në atë të La Spezia.

Alizoti vuri theksin te domosdoshmëria e regjistrimit të emigrantëve shqiptarë, proces që përfundon më 4 mars, teksa u shpreh se vetëm me votën e emigrantëve mund ta rrëzojnë Edi Ramën nga pushteti. 

Deputeti demokrat Dashnor Sula theksoi se vota e diasporës është bërë një shqetësim i madh për kryeministrin Edi Rama, pasi shqiptarët jashtë vendit janë të pavarur nga presioni apo manipulimi i qeverisë.

Ndërkohë, i pranishëm edhe kryetari i degës së PD-së në Elbasan, Bledi Himçi, i cili i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen sa më shpejt për të siguruar mundësinë e ndryshimit përmes votës së tyre.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike e cilësuan votën e diasporës si një faktor historik për zgjedhjet e 11 majit, duke e vlerësuar atë si vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhen bërë publik emrat e politikaneve që kanë përdorur Sky Ecc?