Prokuroria e Gjirokastër ka regjistruar sot dy procedime penale që lidhen me zgjedhjet e 11 Majit. Sipas materialeve të marra nga policia e Gjirokastrës ditën e sotme u regjistrua hetimi për veprën penale të “Dëmtimit me dashje të materialit zgjedhor”.
Për rastin e parë mësohet nga Report Tv se personi është Sekretar i PS-së në KZAZ dhe njëkohësisht nën/kryetar i Bashkisë Dropull.
Kallëzimi erdhi nga një anëtar i ZAZ Dropull, i cili konstatoi mungesën e vulës së zonës së administrimit zgjedhor. Prokuroria ka ngritur grupin hetimor dhe ka kryer veprimet e para në lidhje me ngjarjen.
Po sot, Prokuroria regjistroi hetimin penal “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” nga personi E.S.
E.S. pretendon se, më 22.04.2025, është kërcënuar nëpërmjet rrjeteve sociale nga personi A.M., pas opinionit që ai kishte shprehur publikisht për një subjekt zgjedhor.
Në kallëzimin e bërë, thuhet se kërcënimet janë shoqëruar me gjuhë intimiduese. Prokuroria Gjirokastër thotë në deklaratë se do të ushtrojë të gjitha kompetencat ligjore për të vënë para përgjegjësisë penale çdo person që tenton të ndërhyjë në proceset zgjedhore.
Komente
