Politikë

Zgjedhjet/ Pullazi: PS e organizuar, PD merret me hallet e Berishës! Kopliku: Bandat janë bërë pjesë e fushatës elektorale! Kthupi: Aleati i opozitës duhet të ishte SPAK

7 Prill, 22:30| Përditesimi: 7 Prill, 23:07

  • Share

Zgjedhjet e 11 majit kanë qenë në fokus mbrëmjen e sotme në emision ‘5 pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv.

I ftuar në emision kandidati i PS Florian Pullazi, tha se PS në këto zgjedhje është me e organizuar se Partia Demokratike. Sipas tij, PD është parti që Berisha e përdor për të zgjidhur problemet e veta.

‘Kur ka zgjedhje thuhet Partia Socialiste kështu, jo bandat, ndërkohë institucionet e drejtësisë kanë vënë para drejtësisë ata që quhen banda. U fol që një grup deputetësh pritën zotin Berisha dhe nuk besoj se BE mbështet njerëz që janë të akuzuar nga drejtësia. Unë shoh që Berisha shkon atje për të justifikuar problemat e veta personale. E gjitha PD fokusohet te Berisha. PS patjetër që është më e organizuar”, tha Pullazi.

Teksa u ndal tek reforma në drejtësia, Pullazi tha se drejtësia është nismë e PS dhe është duke funksionuar.

‘Berisha ishte në arrest shtëpie dhe ka një proces penal të hapur ndaj tij. Institucionet e drejtësisë po funksionojnë, drejtësia e re po funksionon dhe kjo ka qenë nismë e PS. Për dy vite pritet çelja e negociatave në 2027. Janë bërë reforma në ekonomi në drejtësi dhe në arsim dhe ne jemi gati të çelim negociatat në 2027’, tha ai.

Për koordinatorin për diasporën në PD, Tedi Koplikun bandat janë bërë pjesë e fushatës elektorale dhe mbledhin vota për persona të caktuar.

‘Votën duhet ta mbrojë secili prej nesh, për ti dhënë fund këtij sistemi që është ngritur në 12 vitet e fundit. Një pjesë e bandave janë pjesë e fushatës elektorale. Në Shkodër bandat janë pjesë e sistemit që mbledhim vota për persona të caktuar. Sa dosje të krimit elektoral që janë çuar deri në fund edhe nga SPAK’, tha ai.

Ndërkohë, deputeti i ‘Djathtas 1912’, Rezart Kthupi tha se të dyja partitë i përdorin bandat në fushatë elektorale. Ai tha se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste bënë bashkë votat dhe votuan kodin zgjedhor që është sot.

‘Partia demokratike e ka futur si koncept patronazhimin, kurse PS e ka ngritur në një nivel më të lartë. Administratën e ka përdorur edhe PD në të njëjtën formë. Nëse PD vjen në pushtet prap do të mbush administratën me militantë. Të dyja krahët i përdorin bandat, PS ka të vetat dhe PS ka të vetat. PD dhe PS bënë bëtë kod zgjedhor që ne kemi sot. Aleati më i madh i opozitës duhet që të kishte qenë SPAK, nuk bëhet fjalë për një qeveri të korruptuar në terma poltikë, ish zv kryeministri në hetim deputet në hetim’, tha ai.

Marsel Rupi i Nisma ‘Shqipëria Bëhet’ tha se qytetarët janë të zhgënjyer nga partitë politike. Ai tha nga takimet që ka zhvilluar me qytetarët ka parë se ka një refuzim për të marr pjesë në votime.

 ‘Kur takojmë qytetarët janë të zhgënjyer edhe nga PS dhe nga PD dhe thonë edhe ju jeni si ata se vini nga ata. Këtu lind nevoja e forcave të reja për ti dhënë fund tranzicionit. Njerëzit na thonë na u largoni se s’duam gjë nga politika, nuk merremi me politikë. Pjesa gri rritet sepse ata që mund të bëjnë ndryshimin nuk merren me politikë, por ata duhet që të merren sepse të merresh me politikë merresh për të zgjedhur problemin tënd. Problemi më i madh nuk është kush do ta bëjë rotacion dhe cilat bandt janë më të fuqishme se të tjerat, kush ka më shumë lekë për ti blerë votat. Njerzit sot refuzojnë që të votojnë.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë se si duhet të votoni më 11 maj?