Politikë

Zgjedhjet/ Qeveria lejon edhe në Shqipëri votimin me dokumente identifikimi të skaduara, zgjat afatin e vlefshmërisë deri më 31 maj

7 Maj, 14:16| Përditesimi: 7 Maj, 17:09

  • Share

TIRANË- Në zgjedhjet e 11 majit do të kenë mundësi të votojnë edhe zgjedhësit që kanë dokumente identifikimi të skaduara. Vetëm 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare, Këshilli i Ministrave ka miratuar zgjatjen e afatit të vlefshmërisë për së dokumenteve të identitetit, të cilave u ka skaduar ose u përfundon ky afat në datë 11 maj 2025, për shtetasit me vendbanim brenda territorit të Shqipërisë.

Lajmi u bë me dije nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha i cili në një deklaratë për mediat nuk dha shifra se sa janë qytetarët që kanë dokumente identifikimi të skaduara, por theksoi se afati i vlefshmërisë është zgjatur deri më 31 maj.  Vendimi argumentohet me faktin se ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh me të drejtë vote me ID të skaduar.

“Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratuan dy akte shumë të rëndësishme për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identitetit, të cilave u ka skaduar ose u përfundon ky afat në datë 11 maj 2025, për shtetasit me vendbanim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Nga një analizë e të dhënave, rezulton se janë një numër i konsiderueshëm shtetasish me të drejtë vote, të cilëve u ka kaluar apo u skadon afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik dhe pasaportave biometrike deri në 11 Maj. Këto janë dokumente të domosdoshme për të marrë pjesë në procesin e votimit.

Miratimi i akteve normative merret me qëllim garantimin e të drejtës kushtetuese së të gjithë shtetasve për të votuar pa pengesa, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Sipas këtij vendimi, afati i vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit, letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike që përfundojnë në datën 11 maj 2025 - shtyhet deri në datën 31 maj 2025”, tha Hoxha.

Edhe PD kishte kërkuar të lejohej ky votim, pasi sipas saj janë rreth 600 mijë shqiptare me ID të skaduar.

“Së fundmi, subjekte politike i kanë kërkuar KQZ, Ministrisë së Brendshme dhe Këshillit të Ministrave, shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të skaduara. Bëjmë me dije se, në janar 2025, KQZ iu drejtua qeverisë nëpërmjet një kërkese lidhur me problemin e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit për shtetasit që jetojnë jashtë Shqipërisë”, tha Hoxha.

Në janar, qeveria shtyu vlefshmërinë e dokumenteve të skaduar për diasporën.

“Në Shkurt 2025 u miratuan Aktet Normative, që kishin të bënin me shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve për shtetasit shqiptarë në diasporë.

Ministria e Brendshme në bashkëpunim me KQZ, institucionet  e varësisë, si Shërbimi i Gjendjes Civile, apo agjencitë e tjera, kanë ndërmarrë të gjitha masat në përmbushje të detyrimeve ligjore, për të siguruar që procesi zgjedhor i 11 Majit të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa pengesa për qytetarët tanë jashtë dhe brenda kufijve.

Janë marrë ndërkohë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor nga pikëpamja e sigurisë. Policia e Shtetit do të kalojë në shërbim të përforcuar për të përballuar me sukses procesin para, gjatë dhe pas mbylljes së votimit, duke zbatuar me korrektësi ligjin dhe detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor”, vijoi Hoxha.

Ministria e Brendshme në bashkëpunim me KQZ, kanë ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar që procesi zgjedhor i 11 Majit të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa pengesa për qytetarët brenda dhe jashtë kufijve. Në pak ditë Policia e Shtetit do të ruaj rendin dhe sigurinë në 3 aktivitete madhore.

SI.E./E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • I REGULLTI: 07/05/2025 15:46

    Nuk keni për tu bërë shtet ligjor,JU LUMTË TË PA RREGULLTËVE GJITHMON ME FAVORIZIME.NJË SHPREHIE THOTË:-MË MIRË DJEPI BOSH SE SA SHEJTANIN NË TË. TË TJERAT I KUPTONI VETË.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?