Fushata elektorale për zgjedhjet e 14 majit, Rrumbullaku: Janë evidentuar 54 raste të krimeve zgjedhore! 88 persona nën hetim

12 Maj 2023, 18:27| Përditesimi: 12 Maj 2023, 22:48

  • Share

Disa orë para mbylljes së fushatës zgjedhore të 14 majit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka bërë me dije se janë gjatë kësaj fushate nga data 14 prill deri në datën 12 maj janë evidentuar 54 raste të krimeve zgjedhore dhe se janë vënë nën hetim 88 persona.

Ai theksoi se gjatë fushatës elektorale janë angazhuar në terren 5081 punonjës policie për mbarëvajtjen e 1471 aktiviteteve elektorale dhe deri më tani nuk është evidentuar ndonjë incident që ka cënuar persona të caktuar.

Mes krimeve zgjedhore të evidentuara nga policia renditen nga shitblerja e votës deri në kërcënimin e qytetarëve me të drejtë vote.

Krimet zgjedhore të ndara sipas veprave penale:

1-Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve, 25 raste me 45 autorë;

2-Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike apo zgjedhore, 1 rast me 1 autor;

3-Korrupsioni pasiv në zgjedhje, 20 raste me 25 autorë;

4-Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, 2 raste me 3 autorë;

5-Pengimi i zgjedhësit, 3 raste me 7 autorë;

6-Shkelja e të drejtës së zgjedhjes, 3 raste me 7 autorë.

Rrumbullaku kërkoi që qytetarët të denoncojnë çdo rast që u cënon të drejtën e tyre për të votuar. Gjithashtu bëri thirrje që partitë politike të bashkëpunojnë me policinë e shtetit për çdo rast ku do të ketë shkelje të ligjit.

“Në përfundim, apeloj që qytetarët të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar, apo që synon të tjetërsojë votën e tyre. Njëkohësisht, apeloj për të gjitha subjektet politike, që të zbatojnë me korrektësi detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, për çdo rast të cenimit të ligjit”- tha drejtori i policisë.

I pyetur për arrestimin e kandidatit Fredi Beleri për bashkinë e Himarës, Rrumbullaku tha se të gjitha hetimet janë kryer nga prokuroria dhe se do të vijohet me zbatimin e procedurave të nevojshme për hetimin e plotë të rastit. Deri më tani ka pasur denoncime nga partitë politike për pretendime të ndërsjellta lidhur me presionin ndaj votuesve dhe blerjen e votave në qytete të ndryshme të vendit. 

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?