Takimi i Sali Berishës me Këshillin Koordinues të Diasporës

Politikë

Zgjedhjet e 2025/ Berisha i ankohet Këshillit të Diasporës për qeverinë dhe Sorosin: Gjyqe politike ndaj opozitës, qeveri teknike për garantimin e votës së emigrantëve

20 Dhjetor 2024, 15:19| Përditesimi: 20 Dhjetor 2024, 15:24

  • Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, priti sot (20 Dhjetor) Këshillin Koordinues të Diasporës, delegacion i drejtuar nga Mark Gjonaj.

Ish-kryeministri i shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania dhe gjithashtu nën akuzë për aferën në dosjen “Partizani”, u shpreh se ‘diaspora duhet të ketë fjalën e saj kundër instalimit të një diktature në Shqipëri, nëpërmjet votës së saj të lirë’.

Ai iu ankua këtij Këshilli për gjendjen politike në Shqipëri, ku qeveria sulmon dhe arreston liderët e opozitës, teksa theksoi rëndësinë e qeverisë teknike për të shkuar në zgjedhjet e 11 majit 2025.

“Këshilli u informua mbi represionin dhe gjyqet politike ndaj përfaqësuesve të opozitës të cilët e kanë renditur Shqipërinë në nivelin e autokracive si Tunizia apo Bjellorusia. Një grusht shteti ky ndaj opozitës, i cili i shërben interesave kriminale të bandave ndërkombëtare të drogës, por dhe korrupsionit transnacional të lidhur me rrjetet e fondacionit Soros. Në këtë drejtim, diaspora duhet të vijojë të luajë një rol aktiv në mbrojtjen dhe promovimin e standardeve më të larta demokratike e qeverisëse perëndimore, por dhe në mbrojtje të interesit kombëtar duke garantuar sovranitetin e plotë të shtetit të Kosovës”, është shprehur Berisha gjatë takimit.

Ai theksoi se do angazhohet për krijimin e kushteve që Diaspora të ketë mundësi investimi.

“Por për këto dhe të tjera, duhet pikësëpari që vota e diasporës të garantohet maksimalisht edhe nga një qeveri teknike, e cila mund të shkruhet në Kushtetutë si një garanci për çdo zgjedhje të ardhshme, pavarësisht kahut politik në qeveri”, tha kreu i selisë blu ndër të tjera. 

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?