TIRANË- Zgjedhjet e pjesshme vendore do jenë një testi real për Lulzim Bashën dhe Sali Berishën. Myslim Murrizi i ftuar në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv, thotë se ky test do jetë edhe më interesant për faktin se përçarja mes partisë opozitare më të madhe në vend do të sjell vetëm një fitues përballë opozitarëve. Sipas tij më 7 mars, një ditë pas zgjedhjeve, ose Berisha, ose Basha nuk do të kenë më legjitimitet ose moral për t’iu drejtuar opozitarëve.
“Unë besoj se ka më shumë Berisha, por 6 marsi do ta sfumojë njërin nga këta, nuk do të ketë më të drejtë legjitime, morale që t’iu drejtohet publikisht shqiptarëve që flas në emër të shumicës opozitare. Njëri nga këta do dalë para syve të opozitarëve si mashtrues”, thotë Murrizi.
Përballë gazetarit Ilir Babaramo, Murrizi thotë se edhe kryeministri Edi Rama nuk ‘shpëton’ dot nga ky test, madje ai është i mendimit se Partia Socialiste do të humbë disa bashki.
“Ky është një test, absolutisht se ndodh për herë të parë, interesanti do jetë mes dy kandidatëve që do përfaqësojnë opozitën klasike. Kandidatët që janë vendor nga Berisha dhe ata që vendosen nga Basha. Ka bashki që do i humb PS, edhe vetë Rama është në një farë baromteri, është një test një vit pas pushtetit të mandatit të tretë edhe për vetë PS”, u shpreh ai.
Murrizi ka hedhur poshtë teorinë e ‘Trekëndëshit të Bermudës’, duke thënë se Berisha, Meta, Rama dhe Basha janë të pozicionuar në këndet e një 'Katërkëndëshi simetrik' dhe kanë futur në ‘gropë’ 4 milionë shqiptarë dhe në 30 vite kanë ndarë para publike nga taksat e shqiptarëve.
“Ky është një test për tri polet e politikës, Luli është përballë trekëndëshit të bermundës, Ramën Metën, Berishën, Rama është përballë trekëndëshit të bermundës, me emrat që vë ky se janë dy trekëndësha, ky ka trekëndësh Bashën, Berishën dhe Metën. Po këta nuk janë trekëndësh, janë katrorë me brinjë simterike dhe në mes të këtij katrori, Rama, Berisha, Meta Basha, kanë futur 4 milion shqiptarë brenda që bëjnë sikur luftojnë njëri-tjetrin dhe prej 20 vitesh ndajnë para publike nga taksat e shqiptarëve me të njëjtët individë. Çifti Berisha-Meta kanë etiketuar një çift tjetër si kundërshtarë Ramën dhe Bashën”, tha Murrzi në Report Tv.
Ish-deputeti ka komentuar edhe koalicionin mes Berishës dhe LSI-së të quajtur ‘Shtëpia e Lirisë’. Sipas tij ky është një koalicion fals, ndërsa thotë se Berisha mund të kishte përdorur edhe një zgjidhje tjetër.
“E shikoj si pjesë të kësaj, që amoraliteti i moralit fallso të kësaj politike fallso 30-vjeçare. Nuk e di sa përkthehet në votë kjo simbiozë. Ka pasur edhe rrugë tjetër që 6 deputetë të vinin në dispozicion 6 firma nëpërmjet mandatit të tyre që të regjistroheshin 6 kandidatë të Grupit të Rithemelimit”, vijoi ai.