Partia Socialiste do të mbledhë këtë të premte kryesinë për zgjedhjet e 61 kryetarëve të degëve në PS.
Sipas burimeve do të shqyrtohet i gjithë procesi i zhvilluar deri më tani si dhe do të analizohen kandidatët e paraqitur në secilin takim të zhvilluar në të gjitha zonat. I njëjti burim shprehet se ka patur më shumë se 540 kandidatë të përfshirë në garë.
Pas marrjes së rezultateve nga komisioni i ngarkuar për të zhvilluar dëgjesat, kryesia e PS, në vijim do të bëjë edhe vendimarrjen e saj, për të caktuar kryetarët e rinj.
Në Kongresin e Partisë Socialiste u vendos shkarkimi i të gjithë kryetarëve të degëve me qëllim riorganizimin e partisë për zgjedhjet vendore të 2023. Të gjithë kandidatët për krerët e degëve shpalosën programin e tyre përpara anëtarësisë.
Po si do zgjidhen kryetarët e rinj të degëve dhe Sekretari Ekzekutiv?
Në nenin 26 të statutit të PS përcaktohet mënyra se si do të zgjidhen kryetarët e rinj të degëve, të cilët kanë një mandat 4-vjeçar
1. Kryetari i partisë i bashkisë përzgjidhet mes kandidatëve të propozuar nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë Socialiste të bashkisë dhe me miratimin e Kryesisë sipas procedurës së përcaktuar në Librin e rregullave.
2. Mandati i kryetarit të partisë të bashkisë është, si rregull, katër vjet. Ai ndërpritet para kohe kur kryetari i partisë i bashkisë:
a. Jep dorëheqjen;
b. Shkarkohet nga Kryesia e Partisë për dobësi në punë e shkelje të normave të Statutit dhe etikës;
c. Humbet besimin e anëtarësisë dhe të organizatave socialiste të bashkisë, nuk fiton në mocionin e votëbesimit të zhvilluar për të;
d. Humbet në zgjedhjet vendore ose arrin rezultat më të dobët se zgjedhjet e mëparshme politike në bashkinë përkatëse.
3. Në rastet e mësipërme, mandati ndërpritet automatikisht. Në mungesë të kryetarit të partisë të bashkisë, detyrat e tij i kryen Sekretari ekzekutiv, ose një i ngarkuar nga Kryesia e Partisë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
4. Kryetari i partisë i bashkisë është anëtar i Asamblesë Kombëtare (AK), si përfaqësues i anëtarësisë së partisë të bashkisë përkatëse.
5. Kriteret, procedura e zgjedhjes dhe e shkarkimit si dhe detyrat kryesore të kryetarit të partisë të bashkisë përcaktohen në Librin e Rregullave.
Ndërsa neni 27 përcakton mënyrën se si do të zgjidhet sekretariati ekzekutiv në nivel bashkie. Sekretari Ekzekutiv do zgjidhet në nivel bashkie dhe do të jetë punonjës me kohë të plotë dhe përgjigjet për administrimin e aktivitetit të përditshëm të partisë.
1. Pranë çdo Asambleje Socialiste të Bashkisë ngrihet Sekretariati ekzekutiv që drejtohet nga një person i përzgjedhur nga Sekretariati ekzekutiv i Partisë, i cili do të ushtrojë funksionin e Sekretarit Ekzekutiv.
2. Sekretari Ekzekutiv i Partisë në nivel bashkie është punonjës me kohë të plotë dhe përgjigjet për administrimin e aktivitetit të përditshëm të partisë, dokumentacionin, burimet materiale dhe çdo aspekt tjetër administrativ të funksionimit të partisë në nivel bashkie. Në punën e tij ai mund të ndihmohet dhe nga staf mbështetës.
3. Për zbatimin e detyrave të tij Sekretari Ekzekutiv përgjigjet përpara Kryetarit të Partisë së Bashkisë si dhe Sekretariatit Ekzekutiv të Partisë Socialiste.
4. Kriteret, procedura e përzgjedhjes, kushtet e punës, paga, mënyra e raportimit, struktura si dhe detyrat funksionale të Sekretarit ekzekutiv të partisë së bashkisë përcaktohen në Librin e Rregullave.
Sondazhi i ditës:
Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?
-
T'i mbyllë
82.2%
-
Vendos filtra
15.1%
-
Nuk e di
2.7%
Vota total: 6190