Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadili

Opinion

Zgjedhjet e PD, ringritja mbetet në kalenda

14 Qershor 2021, 09:44| Përditesimi: 14 Qershor 2021, 09:47

  • Share

Gjëja më shqetësuese në zgjedhjet e PD-së kanë mbetur ankimimet e listës së anëtarësisë, të cilët nuk gjenin emrat për të votuar. Më shumë se probleme sistemi dhe organizimi, ato tregonin një lloj nënvleftësimi të hapur (dhe manipulimi mbase), që është përjetuar keq prej anëtarësisë. Madje, kur ankimi vinte nga një prej kryetarëve të forumeve më të larta të PD-së, Bujar Nishani, lehtësisht mund të gjykosh se ç’ndodhte me të tjerët. Edvin Kulluri në ankimet e përsëritura këtë herë shtoi dhe paradoksin e vet: Nuk gjente as veten në lista! Fatmirësisht ishin vetë strukturat e PD-së që e kishin gjetur zgjidhjen për të mos e trashur më shumë problematikën. Zoti Jemin Gjana mëtonte se nuk ishin përditësuar listat, sikur ato të bëhen sot me dorë si dikur dhe jo në sisteme kompiuterike. Shqetësim i madh për publikun ishte edhe fakti ose mënyra sesi Z. Gjana u shpreh për vëzhguesit e Z.Shehaj, duke treguar se në tagrin e tij ku duhej të ishte më i qetë dhe mbi palët, ai nuk e bënte dot. Më racional në logjikën e tij dukej vetëm mëtuesi z. Kadilli që e tha me pak fjalë të gjithë atë që po ndodh aty: Ashtu si nisi ashtu dhe po përfundon!

Nëse kjo fjali është ajo që i tregon këto zgjedhje në strukturat e brendshme atëherë ringritja e kësaj partie do jetë e vështirë. E para sepse në Partinë Demokratike nuk ka më besim nga anëtarësia për ringritje dhe kjo u duk në pjesëmarrje; kurse e dyta vetë njerëzit që e mendojnë ndryshimin e kanë krejt të pabesueshëm se gjërat mund të shkojnë ndryshe.

Nga ana tjetër, një shqetësimi i madh ngrihet edhe për mënyrën sesi kjo parti e ka të vështirë të bëj zgjedhjet e brendshme (deri me vonimin e numërimit), fakt që problemet zgjedhore te ne nuk kanë origjinë partie por janë në ADN-në politike të formacioneve shqiptare. Përveç  Z.Basha të gjithë kandidatët e tjerë kanë treguar parregullsi dhe mbi të gjitha një proces zgjedhor problematik, por mbi të gjitha mosdhënien e aksesit të duhur demokratëve për të votuar. Kjo e bën edhe kauzën e së të ashtuquajturës “masakër zgjedhore” një nul që po e justifikojnë deridiku edhe vendimet që po marrin autoritetet zgjedhore ditë pas dite. Mbi të gjitha vetë PD është e papërgatitur për atë lloj demokracie sterile që ia kërkon PS-së, kundërshtarit të saj më të madh.

E vetmja gjë për të ardhmen duket se qëndron në faktin që Partia Demokratike nga një parti front të kthehet në një parti mirëfilli të Djathtë, që do të thotë të kthehet në kanonet konservatore si partitë simotra të Familjes së partive evropiane ku aderon, ashtu si edhe të korrigjojë vizionin e saj për Shqipërinë e së ardhmes, domen i Ramës deri më sot.

Më shqetësuese akoma është se ky proces që duhej të kthehej në një festë demokracie i ka hapur plagë të re PD-së me vetë procesin por edhe vonesat e numërimit, bash nga ato që tregojnë se ringritja është shumë e vështirë edhe pas 13 Qershorit. Dhe, madje mund të thuhet se është në kalenda.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?