Rikthimi i ish-kryeministrit Sali Berisha sot në Parlament, zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit dhe deklarata e të dërguarit special të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ishin çështjet që u diskutuan këtë mbrëmje në emisionin 'Repolitix' të gazetarit Denis Minga në 'Report Tv'.
Ish-kryetari i shoqatës së prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, teksa komentoi zgjedhjet e pjesshme vendore tha se nëse dy kampet e selisë blu e shtyjnë 'luftën' përtej 6 marsit, do të ketë një garë të vërtetë në zgjedhje.
“PD është më e favorizuar, ka komisionerë, numërues, por që opozita shqiptare me 2 apo 3 kadidatë, nëse ndodh ndonjë mrekulli hyjnore. Opozita nëse thotë se e shtyjmë luftën pas 6 marsit, atëherë ka garë.”-tha Hajdari.
Teksa komentoi deklaratën e Escobar, Hajdari u shpreh se është një qëndrim që mund të lexohet në disa variante.
“Duket se Berisha nuk e merr dot me letra PD-në, pra duket se Escobar e mban lojën brenda Berishës. Por edhe ndonjë partie tjetër ndoshta që mund të ketë të shpallur non grata në të ardhmen. I mbetet institucioneve shqiptare nëse kanë të dhëna për Berishën, apo dhe të të tjerëve që nuk janë non grata, t’i bëjnë kërkesë SHBA-ve për informacione se çfarë kanë ata. SPAK, në dhjetor e ka mbyll me shqiptarët që u plotësua. BKH u bë i plotë. SPAK-un nuk e pengon askush që të fillojë hetimet. SHBA i ka dhënë rrugën nëse duan provat.”-u shpreh Hajdari.
Ndërsa ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Gent Malko tha se Berisha ka dy opsione për zgjedhjet e pjesshme lokale, ose kandidat i pavarur ose koalicion me partitë e vogla të djathta, ku për këto të fundit tha se i ka të sigurta. Ndërsa për deklaratën e Escobar, Malko tha se rruga për drejtësinë shqiptare ka qenë e hapur prej kohësh.
“Zgjidhja më e mundshme, besoj se Berisha sado keq të jetë nuk çedon, do ta zgjidhi koalicionin me ndonjë parti të vogël, me LSI. Jo të jetë me siglën e një partie, përshembull PR dhe LSI në mes me koalicion. Besoj që minimalisht ai dy parti për koalicion i ka në xhep. Partitë e vogla të djathta i ka pasur nën ombrellë. Rruga për drejtësinë ka qenë gjithmonë e hapur, se nëse binin në djeni për korrupsion, apo diçka tjetër, mund të nisnin një hetim. Nuk ishte e nevojshme deklarata e Escobar nëse këta kanë një indicie dhe të hetojnë.”-tha Malko.
Ndërsa ish-deputeti i PD, Azgan Haklaj, tha se deklarata e Escobar, tregon se kanë në vëmendje fenomenin e korrupsionit në Shqipëri ndërsa për zgjedhjet lokale të 6 marsit tha se PD fiton, Shkodrën, Dibrën, Durrësin dhe Lushnjën.
"Kemi një marrëdhënie të shkëlqyera me institucionet tha. Nëse i nisni hetimet, do ju sjellin provat. Po përplasen dy mentalitete, një tribal, me vare, dhe një perëndimor që përfaqëson Basha. Takimet e Fierit, Korçës, Kurbinit, janë një fytyrë e re. Kjo parti me fytyrë të re nuk mund të jetë non grata. PD fiton në zgjedhjet Durrësin, Shkodrën, Dibrën dhe Lushnjën.”-tha Haklaj.
Ndërsa ish-deputeti Myslim Murrizi u shpreh se shpreson që organet e drejtësisë së re, që për ironi të fatit drejtohen nga ish-sigurimsat e vjetër, të veprojë.
“Më duket si antikap që gjithë magjistratët kanë ik dhe gjyqtarë pas 90 kanë kaluar vettingun. Shumë studentë në 90 u ngritën kundër një regjimi. Jo Escobar, çfarë janë gjallë, vetëm të rrijnë te dera e SPAK, mund të belbëzojnë këta. Është deklaratë politike. Nuk e ka penguar njeri SPAK-un të nisë hetime për ndonjë.”-tha Murrizi.
Presidenti Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në 6 bashki, përkatësisht në Durrës, Shkodër, Rrogozhinë, Lushnje, Vorë dhe Dibër. Ndërsa i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Grabriel Escobar, deklaroi sot se asnjë person ‘non grata’ s’mund të jetë fytyra e PD apo e ndonjë partie tjetër.