Politikë

Edi Rama në Report Tv: Më 11 maj na duhet një fuqi e re, yjet na janë bashkuar me BE! Opozita s’e arrin më rezultatin e 2021-shit, lobimi 6 mln dollarë ‘masazh’ për ata që paguajnë

6 Maj, 08:42| Përditesimi: 6 Maj, 23:28

  • Share

Ndryshe nga çdo palë zgjedhje të tjera, kryeministri Edi Rama kërkon mandatin e katërt me premtimin për ta integruar vendin në Bashkimin Europian. I ftuar në Report Tv, përballë gazetarëve në emisionin ‘Repolitix’, Rama thotë se për herë të parë yjet e fatit janë bashkuar me BE, e cila na ka hapur dyert me mundësinë që negociatat të mbyllen deri në vitin 2027.

Por, për të arritur këtë premtim që e ka shoqëruar përgjatë një muaji fushatë zgjedhore, kryesocialisti kërkon një mandat edhe më të fortë se ai i 2021 me 74 mandate.

“Yjet janë bashkuar sepse ata tani kanë hapur derën. Gjeopolitika e tyre kërkon të hapet dera. Por ata s’të marrin brenda po s’bëre punët. Prandaj na duhet një mandat i fortë që të mbyllim negociatat brenda 2027. Vetëm ne e çojmë në BE. Nuk është çështja çfarë pranojnë ata, çështja është se kapacitet qeverisëse që kemi ne, nuk i ka askush tjetër në Shqipëri”, tha Rama në Report Tv.

Për kryetarin e PS, integrimi nuk është as iluzion e as një truk magjik, por një mundësi historike, për të cilën thotë se për herë të parë BE na hapi dyert. Ai nuk kërkon asgjë “falas”, por thotë se kriteret janë plotësuar dhe shigjeton edhe opozitën për të cilën thotë se "mendoni nëse Shqipëria do të përfaqësohej në forumet ndërkombëtare me bufin e kënetës".

“Ata janë një shtëpi të pasurish, dhe shtëpitë e pasurve nuk e mbajnë derën hapur. E kanë derën mbyllur. Ti mund t’i biesh derës sa të duash, e hapin vetëm kur ata që janë brenda kanë interes të të hapin derën. Kriteret i kemi plotësuar disa herë që dera të hapej për negociatat”, tha Rama.

Mandatin e katërt e kërkon më të fortë, por u rezervua të japë shifra, ndërsa për Partinë Demokratike projeksionin e ka të qartë, për të cilën thotë se nuk mund të marrë më kurrë rezultatin e 2021-shit.

“2021 ka pasur tjetër atmosferë, tjetër tension. Ata ishin të bindur që do të fitonin, të bindur se që ne do të humbisnim. Ishin më të organizuar sesa janë sot. Edhe rezultatin e 2021 nuk e arrijnë më.”, u shpreh Rama.

Një koment e ka edhe për lobimin 6 mln dollarë të Sali Berishës. Kreun e PD e quan fatkeqësi kombëtare, por pavarësisht shigjetimeve për kundërshtarin e tij politik, kryeministri Rama shprehet se asnjëherë nuk ka qenë i kënaqur për non gratën e një njeriu që ka qenë kryeministër dhe president. 

"Po, jo, ai nuk e dinë të gjithë ata që shkojnë paguajnë miliona e miliona dhe kujtojnë se me milionat që paguajnë do ndryshojnë mënyrën si funksionojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po të funksionojnë lobimet nuk do ishin superfuqi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Se që të funksionojnë lobimet, imagjino sa ka me para nëpër botë shtete që mund të kishin blerë Amerikën deri tani 35 herë. Ku funksionojnë lobimet në Amerikë? Lobimet janë për t'i bërë masazh atyre që paguajnë. Janë masazhe", tha Rama. 

Sali Berishën e partitë e tjera të reja, nuk i njeh si kundërshtarë dhe ballafaqimin me ta PS ka zgjedhur ta bëjë me bilancin e 12 viteve qeverisje.

Ora 23:08
Si ka ndikuar arrestimi i Veliajt në fushatën e Tiranës? Ja si përgjigjet Rama

Kryesocialisti Edi Rama i ftuar në Report Tv pyetet edhe për arrestimin e Erion Veliajt dhe se si ka ndikuar në fushatën e Tiranës. Por, kreu i qeverisë përgjigjet shkurt “S’kam asnjë ide".

Rama flet edhe për inceneratorët, duke thënë se janë tre projekte që shpëtuan tre qytete nga plehrat, Tiranën, Elbasanin dhe Fier.

Armand Mero: A ka qenë projekti i inceneratorëve një projekt i dështuar i qeverisë suaj? Nisur nga fakti, përveç anës penale dhe faktit që sot e kësaj dite asnjëri prej tyre nuk funksionon me impiantin e djegies. Në Tiranë, as ka filluar të ndërtohet.

Rama: Ato tre projekte kanë bërë që tre qytetet të shpëtojnë nga plehrat. Dhe jo tre, po më shumë se të tre. Në qoftë se sot ne kemi Tiranën shumë më të pastër, në qoftë se sot ne kemi Elbasanin shumë më të pastër, Fierin shumë më të pastër është falë atyre tre projekteve. Brenda atyre tre projekteve ka një pjesë, që është pjesa e korrupsionit, që duhet shkuar deri në fund. Por ka një konfuzion kaq të madh në sa komentohet dhe në sa diskutohet, që unë s'di ç'të them, por ama nga pikëpamja e dobisë së atyre projekteve, dobia e tyre as nuk diskutohet fare. Nëse nuk do ishin bërë ato tre projekte, unë nuk e di se çfarë do ndodhte me këto qytete në aspektin e plehrave.

Ora 22:54
Rama në Report TV: S’më ka gëzuar non grata për një person që ka qenë kryeministër dhe president

Duke folur për Sali Berishën në emisionin "Repolitix" në Report TV, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk e ka gëzuar non grata e tij. Kryesocialisti u shpreh se edhe nëse do t'i hiqej nuk do t'i shkaktonte asnjë mërzi për një njeri që ka qenë president dhe kryeministër. 

"Nuk kemi harxhuar. E para punës njëherë, ne kemi bërë një kontratë shumë vite më parë. Nuk kemi harxhuar një gjë të madhe. Por nuk ishte koha kur nuk e njihnim si funksionon bota dhe Amerika. Tani unë, domethënë më vjen të vë kujën, jo kur të tjerët që nuk kanë pasur mundësi ta njohin thonë, po kur njerëz që janë në politikë prej kaq shumë vitesh kanë këto lloj iluzionesh është kuje. Të them një gjë shumë, sinqerisht, mua nuk më ka gëzuar dhe nuk më gëzon ajo non grata. Nuk më gëzon, besoje ose jo. Në qoftë se do të ishte hequr nuk do më kishte krijuar asnjë mërzi. Sepse është e tmerrshme për faktin që bufi ka qenë president, kryeministër e të gjitha, dhe ha një damkë ballit, të cilën nuk ia ka vënë George Sorosi. Lëre pastaj unë, e lëre pastaj lobimin.

Nuk lobohen dot. Po të lobohej Departamenti i Shtetit, nuk do ishte Amerika superfuqi. Si mund ta lobosh ti Departamentin e Shtetit? Këta janë superfuqi, ti shkon lobon superfuqi, nuk ndodh. Janë procedura, procese të një shteti që dominon botën. Si e bëj këtë unë me George Soros? Damka është më e thellë se ç'duket,  bufi e di shumë mirë këtë gjë. Po ai sigurisht i duhet një narrativë, se çfarë do të thotë, do të thotë që po unë meritoj damkën për korrupsion madhor dhe për minim demokracisë.", u shpreh Rama. 

Teksa u përmend rasti i MCGonigal, kryeministri tha se rasti është hetuar nga FBI dhe nuk është gjetur asnjë gjë. 

"McGonigal e ka hetuar FBI-ja dhe nuk ka gjetur asnjë gjë. ", u përgjigj Rama pas pyetjes së analistit Arion Sulo. 

"Domethënë ti të japësh para një zyrtari amerikan, cilido qoftë, për çfarëdo lloj axhende nuk është vetëm ai që e pëson, po të vjen dhe ty damka dhe të vjen damka nga të katër anët. Ku të lënë amerikanët të të ku mbyllin ata se ti jep para. Nuk ka asnjë lidhje mes atij transaksioni që është bërë mes tyre dhe Tiranës nuk ka lidhje, është pa lidhje. Mua më vjen edhe për të qeshur me këtë histori. Unë di marrëdhëniet që kam pas me të.", shtoi Rama.

Ora 22:48
Lobimi i PD/ Rama në Report TV: 'Masazhe' për ata që paguajnë, kujtojnë se do ndryshojnë SHBA! Mori lekët Latifi dhe i vuri bufit një kapele që e bëri dhe më qesharak

Kryeminitri Edi Rama, i ftuar në emisionin “Repolitix” në Report TV, ironizoi lobimin 6 milionë dollarësh të PD në SHBA. I pyetur nga gazetari Denis Minga, Rama i cilësoi lobimet si një mënyrë "finoke" për të marrë para nga ata që nuk e dinë se si funksionojnë Shtetet e Bashkuara. 

"Lobimet në shtetin më të fuqishëm, mua më kanë mësuar eksperienca ime kur isha i vogël, që thotë Arjoni, që janë mënyra më e thjeshtë dhe më finoke e Shteteve të Bashkuara për të marrë para nga të katër anët, nga ata që s'dinë si funksionojnë Shtetet e Bashkuara. Kështu janë për mua ato lobime", u shpreh Rama. 

Sipas Ramës, nëse do të funksiononin lobimet nuk do të ishin superfuqi SHBA-të. Kjo metodë, tha Rama, janë për t'u bërë "masazhe" atyre që paguajnë. 

"Po, jo, ai nuk e dinë të gjithë ata që shkojnë paguajnë miliona e miliona dhe kujtojnë se me milionat që paguajnë do ndryshojnë mënyrën si funksionojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po të funksionojnë lobimet nuk do ishin superfuqi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Se që të funksionojnë lobimet, imagjino sa ka me para nëpër botë shtete që mund të kishin blerë Amerikën deri tani 35 herë. Ku funksionojnë lobimet në Amerikë? Lobimet janë për t'i bërë masazh atyre që paguajnë. Janë masazhe. Është njësoj si të rregullosh me masazh një problem struktural, nuk e rregullon dot. Një masazh, të nxjerr një artikull në një gazetë dorës së dytë. Del një kongresmen bën një deklaratë. Janë dy senatorë që nuk e dinë fare ku bie Shqipëria që dalin në fotografi. Këto janë lobime, ça lobimesh? Lobim për të lobuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku lobohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës?", u shpreh Rama. 

Më tej, ai ironizoi edhe këshilltarin amerikan Chris LaCivita teksa tha se do të bënte "magji" por në fakt i vuri Berishës një kapele që e bëri edhe më qesharak. 

"Ke Latifin, pra ja Latifi, mori lekët e dynjasë. Unë them, Latifi është siç i thonë andej nga zona ku është Mentori, po s'po e them. Burri i zgjuar domethënë mori lekët, ça bëri Latifi, do bënte magjinë e madhe, ça bëri Latifi, ça bëri? I vuri bufit një kapele që e bëri dhe më qesharak. Sorosi bashkë me mua i pashkëshim vënë damkën. U hoq damka?", shtoi kryeministri.
 

Ora 22:44
Kishte planifikuar vizitë në SHBA para zgjedhjeve? Rama-analistit: Kur kam bërë foto me Obamën kam qenë i 'vogël'! Tani pyetja është kush bën foto me mua

Kryeministri Edi Rama, i ftuar  në emisionin “Repolitix” në Report TV, u pyet nga gazetari Denis Minga edhe për një deklaratë të bërë disa javë më parë, ku shprehej se nuk kishte probleme për të kaluar oqeanin ndërsa paralajmëronte edhe një “surprizë’ të këndshme. 

Sipas analistit Arion Sulo, “surpriza” për të cilën foli kryeministri mund të ishte ndonjë udhëtim në SHBA para zgjedhjeve për të treguar se ka mbështetje nga amerikanët. Teksa përmendi si taktikë foto me figura të larta, Rama iu përgjigj duke thënë se kur ka bërë foto me Barack Obamën ka qenë tjetër njeri. Me ironi, kryesocialisti iu përgjigj duke thënë se “tani pyetja është kush bën foto me mua, jo me kë bëj foto unë.” 

Pjesë nga diskutimi: 

Arion Sulo: Surpriza nuk bëhet. Ishte për SHBA.

Edi Rama: Pse duhet të kishte ndodhur në kohë, vura ndonjë afat unë? Gjatë zgjedhjeve duhet ta bëj unë? 

Arion Sulo: A pse duhet të shkosh pas zgjedhjeve? Të merrni ndonjë mbështetje dhe logjike është para zgjedhjeve? Si të gjithë ju që keni bërë foto atje me Obamën, me Trumpin, për të thënë se keni mbështetjen e presidentëve amerikanë...Surpriza ishte që të shkoje para zgjedhjeve gjasme.

Edi Rama: Arion, kur kam bërë foto me Obama-n, unë kam qenë shumë i vogël. Tani jam tjetër njeri. Kam qenë i vogël dhe bota ka qenë e re për mua në atë aspekt. Bota ka qenë e re, tani pyetja është kush bën foto me mua, jo me kë bëj foto unë.

Arion Sulo: Nga shqiptarët apo edhe në botë kështu?

Edi Rama: Kush bën foto me mua në kuptimin me kë qëlloj që bëhen foto në këtë sens e thashë. Jo kush bën foto se shqiptarët bëjnë foto me mua nga të katër anët.

Arion Sulo: Surpriza ishte për një vizitë në SHBA, ju thoni jo ok.

Ora 22:39
‘Mos bëni gabim të më merrni telefonin tim!’ Ja si përgjigjet Rama për deklaratën ndaj SPAK

Kryeministri Edi Rama, i ftuar në Repolitix, u pyet edhe për deklaratën e tij se prokurorët s’duhet të bëjnë gabim që t’i marrin telefonin. Kreu i PS tha se ishte një batutë pasi për ta marrë telefonin e tij duhet shkuar në parlament.

“Kjo e telefonit është batutë, sepse telefonin tim për ta marrë, duhet shkuar në parlament, e tjerë, e tjerë. Ajo është batutë dhe është batutë që lidhet me ç'ka ndodh me shumë telefona që i janë marrë njerëzve rrugëve. Ishte batutë, për gjithë ata që janë në parlament ka procedura të tjera. Nuk ka qenë fare lidhja konkrete me telefonin tim.”, u shpreh Rama. 

Lidhur me deklaratën se s’do të pranojë më arrestime pa gjyq të SPAK dhe vendimet si noter të GJKKO, kreu i qeverisë tha: 

“E kam ngritur vazhdimisht problemin dhe ne kemi problem shumë të madh si shtet, që jemi në listën e zezë të Komitetit të Torturës për paraburgimet. Kjo ka qenë gjithmonë ajo që unë kam pasur si shqetësim”.

Ora 22:24
Socialistët pas hekurave? Rama: S’bëhem avokat i askujt, përgjegjësia ime do ishte sikur të pengoja drejtësinë! Bufi vrau njerëz në Bulevard, s’lejoi të pyeteshin drejtuesit e policisë

Kryeministri Edi Rama i pyetur nga gazetarët në Report Tv nëse duhet të mbajë përgjegjësi për socialistët e arrestuar, ai thotë se nuk bëhet avokati i askujt. Kreu i qeverisë thotë se përgjegjësi do ishte e tij vetëm në rast se do pengonte drejtësinë, duke i kujtuar kështu Sali Berishës vrasjet e 21 janarit, kur thotë se bufi nuk lejoi që drejtuesi e policisë të merreshin në pyetje. 

Edi Rama: Dymbëdhjetë vjet, unë kam pasur mbi 60 ministra. Janë më pak se sa 5 gishtat e dorës ata që kanë pasur probleme me drejtësinë. Mund të ishin dhe dhjetë, nuk ka rëndësi. Nëse ka ndodhur kjo, kjo ka ndodhur sepse vetëm me Edin dhe me Partinë Socialiste mund të ndodhte. Të bënin hapin e madh, t'i jepnin drejtësisë shpatën, që të vinte dhe brenda shtëpisë. Sepse bufi kur vrau njerëz në bulevard i vuri gjoksin tre drejtuesve të policisë dhe nuk la që të merreshin në pyetje tre drejtues policie, jo më të merrej në pyetje ministri e tjetri e tjetri. Ndërkohë që kjo është kohë tjetër komplet dhe unë jam krenar për këtë. 

Nuk jemi një trup amorfe në një botë më vete, ne bëjmë detyrën tonë. Qeveria, kryeministri nuk ka detyrë të merren me hetime. Ne kemi detyrë të bëjmë të tjera gjëra në luftën kundër korrupsionit. Atë detyrë e ka drejtësia dhe në qoftë se dikush, një individ, i cili është pjesë e jona, shkel jashtë perimetrit të qëllimeve të përbashkëta dhe hyn në probleme me drejtësinë. Ne nuk gjykohemi, ne nuk gjykohemi nga fakti pse ai shkel. Ne gjykohemi nga fakti si reagojmë ndaj shkeljes së tij. Nuk e marrin mbrojtje, nuk bëhemi avokat.

Mentor Kikia: Si kryeministër s'keni asnjë përgjegjësi për një, dy, tre, katër, pesë, pesëmbëdhjetë njerëz që shkuan në burg, sepse kanë vjedhur lekë e taksave.

Edi Rama: Përgjegjësia ime do të ishte sikur të mos kishte drejtësi, ose unë të pengoja drejtësinë.

Mentor Kikia: Drejtësia është atje, bën punën e vet.

Edi Rama: Nuk ka asnjë rast në vendet e mëdha demokratike ku një ministër anëtar i kabinetit të ketë hyrë në një situatë që të ketë pasur probleme me drejtësinë dhe kryeministrit të ketë marrë një përgjegjësi tjetër përveç distancimit prej tij. Nuk ka, çfarë përgjegjësie politike.

Ora 22:15
Reforma në drejtësi, Rama për Report Tv: Ne ia dorëzuam shpatën dhe u çarmatosëm! Bufi nëse ka gjë në dorë më 12 maj, e shkrin SPAK

“Ne kemi dorëzuar shpatën dhe kemi çarmatosur veten”, kështu e komenton kryeministri Edi Rama reformën në drejtësi i ftuar në Report Tv. Përballë gazetarëve, kreu i qeverisë thotë se ishte Partia Socialiste që e ndërmori këtë reformë. Pyetjes se çfarë do të ndodhë me SPAK pas 12 majit, Rama i përgjigjet shkurt, që nëse bufi ka ndonjë gjë në dorë, në datën 12 do ta shkrijë. 

Armand Mero: Në lidhje me drejtësinë, unë kisha vetëm një pyetje, meqenëse, sidomos pas arrestimit të Zotit Veliaj, pati disa daljet tuaja publike, ku u vutë në dukje problemet që kishte dhe dritësia e re, ndërkohë që së fundmi ju keni thënë disa herë se Zoti Dumani, i cili drejton prokurorinë e posaçme, është një prokuror i zoti, por se pa ju, edhe ai më parë ishte askush, sepse ka patur raste në dorë dhe nuk ka patur gjë. Ajo që do pyesja unë është kjo, a nuk është kjo një mënyrë ndoshta e tërthortë për t'i çuar mesazh kreut të SPAK-ut, që mazhoranca e ka në dorë pas 11 majit? Sepse ju keni premtuar që doni të merrni reforma.

Edi Rama: Ne kemi dorëzuar shpatën, edhe kemi çarmatosur veten. Me vetëdije të plotë, sepse nuk ka asnjë rrugë tjetër për të bërë Shqipëri në BE. Nuk ka rrugë tjetër, pushtetet janë të ndara, dhe në qoftë se s'ke një drejtësi të pavarur realisht, dhe në qoftë se shpatën që duhet ta përdorë drejtësia e mban ti në zyrë, nuk ka, nuk ka shans të kesh barazi para ligjit. Dhe unë e them në sensin e çfarë kapërcimi historik kemi bërë ne dhe kush e ka bërë? Ne e kemi bërë. Se thotë mentori, ç'është kjo vetëm me Edin dhe me Partinë Socialiste. Edi me Partinë Socialiste e ka bërë këtë, se kush e bëri. unë kam vajtur te Angela Merkeli personalisht dhe i kam thënë, dua mbështetje për vetingun. Europianët nuk na jepnin mbështetje për vetingun. S'është histori e vjetër. Kjo është histori e Shqipërisë, kjo është një nga gjërat që do mbeten në histori, kur ne mos jemi më nëpër studio. Në qoftë se bufi ka ndonjë gjë në dorë, në datën 12 do ta shkrijë, se kështu ka thënë.

Një koment e ka edhe për komisionin antikorrupsion “Xhafaj”, duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me SPAK. 

Denis Minga: Do funksionojë komisioni Xhafaj? 

Edi Rama: S'ka lidhje me SPAK-un ai. Pesëdhjetë e shtatë për qind e negociatave janë për drejtësinë. Se s'është vetëm SPAK-u.

Ora 22:09
Rama: Bufi fatkeqësi kombëtare, pengmarrës i opozitës! S’ka as kthjelltësi mendore

I ftuar në emisionin Repolitix në Report Tv, kryeministri Edi Rama thotë se bufi është një fatkeqësi kombëtare. Përballë gazetarëve, kryeministri thotë se Sali Berisha është pengmarrësi i opozitës dhe se sot ai është kandidat për kryeministër, por nuk ka as kthjelltësi mendore. 

Edi Rama: Unë nuk them kush nuk më voton mua, është gjysmak. Po sepse është vërtetë, të mos jesh në gjendje të gjykosh, pastër politikisht të shkosh mbas bufit këndej. Voto kë të duash, më ka të tjerë plot. Mos voto fare, dil bëj një parti tjetër, dil bëj revolucion, bëj ça të duash, portë legalizosh atë lloj qasje që është një qasje monstruoze ndaj kulturës shqiptare, ndaj mënyrës së të folurit shqip me tjetrin Pa respektuar asnjë etikë, pa respektuar asnjë normë. Ti ndash njerëzit, kush është me mua është qëndrestar, kushdo tjetër është mafioz, është kriminel. Është kandidat për kryeministër. Një njeri që nuk ka më as kthjelltësi mendore është kandidat për kryeministër. E kupton ti apo? Dhe juve keni legalizuar në opozitë, cila opozitë?

Arion Sulo: Qyryk është sharje, është ofendim i rëndë, bile, ofendim për sëmundje mendore.

Edi Rama: Nuk është personale ndaj askujt në jetën private të gjithë njerëzit që votojnë këtë të duan, mund të jenë njerëz të jashtëzakonshëm në jetën private. Ne këtu jemi skuadra dhe po të them të jesh tifoz pas një krijese të atillë që është fatkeqësi kombëtare, që është pengmarrësi gjithë opozitës me vite po them. Është pengmarrësi i opozitës, është fatkeqësi.

Arion Sulo: E ke kundërshtar politik. 

Edi Rama: Cili kundërshtar. Nuk e kam kundërshtar unë atë.

Ora 22:03
‘Buf kënete’, ‘çyryk’, Rama përgjigjet për gjuhën në fushatë: Bufi merret me librin e shtëpisë, mua më mbetet satira! Të shkosh pas kënetës, je gjysmak politik 

Kryeministri Edi Rama flet në Report Tv edhe për tonet e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, etiketimin e Sali Berishës si buf kënetë. Rama thotë në emisionin Repolitix përballë gazetarëve, se kur përballë një kundërshtar që merret me librin e shtëpisë rregullisht dhe të etiken si kriminel, mafioz, atij nuk i mbetet gjë tjetër veçse satirës. 

Sa i takon 11 majit, Rama thotë se të shkosh pas bufit të kënetës, je gjysmak politik.  Sa i takon Berishës, Rama thotë se “i keni dhënë bufit një status të veçantë”, duke shtuar se nëse ai do të fliste me gjuhën e Berishës, nuk e di se çfarë do të bëhej. 

Rama: Kur ke një kundërshtar që merret me librin e shtëpisë tënde rregullisht. Që të ngre kriminel, të ul mafioz, të ngre trafikant, të ul përdhunues e të tjerë, e të tjera. Ti nuk ke shumë zgjedhje, unë personalisht kurrë nuk e kam bërë dhe nuk e bëj dot që t'i kthehem kundërshtarit me këto lloj, me këto akuzash. Se kjo nuk hyjnë tek komunikimi jo njerëzor, po as tek komunikimi politik. Këto janë, barbari, unë s'e bëj dot. Asnjëherë nuk i kam thënë asnjë kundërshtari, ti je kriminel, ti je mafioz, ti je hajdut, ti je maskara. Le pastaj t'i futem në shtëpi, le pastaj t'i nxjerr të vdekurit e të gjallët në fushatë, apo jo? Atëherë, ç'armë mbetet mua? Më mbetet karikatura dhe satira. Karikatura dhe satira janë forma të larta komunikimi, nuk janë fyerje.

Unë thashë që ne jemi partia më e mirë dhe unë e kam bindje këtë. E tregon një fakt që pesëdhjetë e gjashtë përqind e grave në Republikën e Shqipërisë votojnë për ne. Dhe unë besoj që gjykimi i grave është shumë më shumë më objektiv, kur vjen puna te politika, sepse gratë janë shumë më pak tifoze. Gratë nuk janë tifozë, janë më të distancuara në tërësi. Burrat janë shumë më tifozë. Kjo diferencë tek burrat është më e ngushtë, gjysma është me ne, dhe pak më pak se gjysma është më kënetën. Dhe dihet që thashë që gjysma është çyryk, dhe ynë e besoj këtë. Nuk është çështje çyrykësh në jetën e tyre provat, është çështje politike. Ata mund të jenë opozitarë me mua.

Juve keni bërë një gjë të gjithë. Keni bërë një gjë, ju i keni dhënë një status të veçantë bufit. I keni dhënë një status të veçantë bufit, pse? Sepse në qoftë se të ishte një njeri tjetër, unë nuk diskutohet njëherë. Se meqë më the që duhet të thuash buf, po buf politik, po unë kur dola thashë autizëm politik, janë autik politik. M'u hodhën të tërë. M'u hodhën të tërë. Autizmi politik është koncept. Dhe unë kërkova ndjesë. Po më imagjinon ti mua? Një ditë të vetme të dal edhe të flasë si bufi, po e di ç'a bëhet këtu. Për mua të shkosh pas bufit të kënetës, je gjysmak politik.

Ora 21:45
Sa mandate merr PS më 11 maj? Rama në Report Tv: Nuk vë numër, na duhet një fuqi e re! Mendoni bufin të na përfaqësojë në BE

Kryeministri Edi Rama i ftuar në Report Tv në Repolitix flet për integrimin në BE, ndërsa thekson se vetëm PS mund ta ulë Shqipërinë në tryezën e Unionit. Votën ua kërkon të gjithë shqiptarëve për të çuar para procesin e negociatave dhe për t’i mbyllur ato në 2027, që siç thekson që është një afat i vendosur nga vetë BE, me të cilën për herë të parë na janë bashkuar yjet. 

Por, për të realizuar këtë, kryesocialsiti shprehet se i duhet një mandat edhe më i fortë qeverisës. Por, i pyetur nga gazetari Denis Minga nëse PS po synon 84 mandata, Rama nuk preferon të flasë me numra, por thotë se i duhet një mandat edhe më i fortë se ai që ka marrë në 2021 me 74 mandate. Me ironi flet edhe për kundërshtarët, kur thotë se nuk mund të imagjinohet që bufi të përfaqësojë Shqipërinë në forumet ndërkombëtare.

Edi Rama: Yjet janë bashkuar sepse ata tani kanë hapur derën. Gjeopolitika e tyre kërkon të hapet dera. Por ata s’të marrin brenda po s’bëre punët. Prandaj na duhet një mandat i fortë që të mbyllim negociatat brenda 2027. Vetëm ne e çojmë në BE. Nuk është çështja çfarë pranojnë ata, çështja është se kapacitet qeverisëse që kemi ne, nuk i ka askush tjetër në Shqipëri. 

Arion Sulo: NATO-n liberalizimin e vizave ato i kanë bërë. 

Edi Rama: Po si ka mundësi mor...
 

Arion Sulo: Fakte, mund t’i heqim faktet
 

Edi Rama: Të kam njohur si rebel, nuk të shoh dot në kënetë. Nuk e shoh dot në kënetë. Unë pranoj të më vësh ti para me shqelma, por duke më tërhequr nga e ardhmja. Por kur të shoh ty dhe më thua liberalizmi i vizave dhe NATO njësoj si ata komentatorët me profile fallso të kënetës. E parafytyron vërtetë Shqipërinë të përfaqësohet nga bufi i kënetës dhe ajo lloj force politike në forumet ndërkombëtare. Nga viti 2011 deri në 2013 nuk ka shkelur njeri në Shqipëri, s’ka pasur një vizitë zyrtare të nivelit të lartë në Shqipëri. 

Denis Minga: Kur thoni mandat i fortë, 84 vota nënkuptoni?

Edi Rama: Unë nuk vë numër, unë them që duhet një fuqi e re.

Denis Minga: Mandatin e fortë e keni edhe sot. 

Edi Rama: Na duhet më i fortë...nuk është numër, është çështje mesazhi.

Ora 21:40
'Prezumohem si autokrat që iu shtyp...’, Rama-gazetarit: Ka momente që jam i hidhur por s’kam ça bëj! Unë fushatën time e kam 4 vjet, jo 3 muaj

Kryeministri Edi Rama pati edhe një "debat" me gazetarin Mentor Kikia në emisionin "Repolitix" të Denis Mingës në Report TV. Teksa gazetari ndërhyri gjatë fjalës së tij, Rama tha me ironi se është e vështirë që të marrë fjalën nëpër studio ndërkohë që e cilësojnë si autokrat. 

Më tej ai iu drejtua Kikias duke i thënë se "do të durosh edhe pjesën time se ka momente që nuk jam i ëmbël, por i hidhur". 

"Më lër ta jap përgjigjen. Ju tani i ngrini të gjitha hipotezat e juaja. Unë iu dëgjoj me respekt pavarësisht se në një pjesë të tyre nuk bën sens. Sa filloj e flas menjëherë ndërpriten. Ore është luftë për të marrë fjalën nëpër studio. Unë jam edhe njeriu që prezumohen që iu shtyp juve nga mëngjesi deri në darkë se jam edhe autokrat ça është kjo histori, më lër ta mbaroj. Do të durosh edhe pjesën time. Nuk jam i thjeshtë tani. Do të durosh edhe pjesën time. E di që ka momente që nuk jam i ëmbël, ka momente që jam i hidhur dhe s’kam ça bëj. E kam problem kur duhet të trajtoj non sens", u shpreh Rama. 

Më tutje, Rama vijoi në përgjigje të akuzave se po bën fushatë me "folklor" teksa tha se takime mbajnë qark më qark. Rama shtoi se fushatën e tij e ka katër vjet dhe jo tre muaj. 

"Kjo e folklorit nuk qëndron, është kot. Fakti që fushata, një parti politike shfaqet në një shesh, dhe nuk vjen si një armatë që vë tribunën atje dhe mban fjalimet e tmerrshme ba ba ba, por vjen si një bashkësi qytetare që edhe këndon, kërcen dhe krijon atmosferë më të relaksuar për njerëzit që janë aty, se vijnë aty dhe i thërrasin e mbledhim por ata kënaqen se janë bashkë. Është bashkësi, jemi familje e madhe ne Nentor në PS. Llogaridhënie dhe biseda me qytetarët kemi bërë 4 vjet. Unë fushatën time e kam 4 vjet, jo tre muaj. Jam në mënyrë të vazhdueshme në kontakt me njerëzit dhe në terren. Në terren zhvillohet një fushatë që nuk zë vend në pasqyrat tuaja se përqendrohet fushata te unë. Sepse me mua merreni ju. Doni të shihni fushatë tjetër, shikoni nëpër qarqe që ka takime, biseda, që mblidhen njerëz që thonë nuk shkon kjo e ajo, por nuk bëjmë ne takimin e madh në qytet me muhabet. Ne shkojmë për të dhënë mesazhet krysore. Ndërkohë që gjithë kjo që kërkoni ju bëhet atje, ndërkohë që jetoni këtu shihni njëri-tjetrin, shihni në ekran dhe thoni nuk bëhet. Po pse faji im është, unë e pasqyroj fushatën në TV", tha Rama.

Ora 21:34
Fushatë ‘folklorike’? Rama ironi: Ju jetoni me Wagnerin e Shekspirin, ne kemi Noizy-n dhe muzikën popullore

Kryeministri Edi Rama, në emisionin "Repolitix" të Denis Mingës në Report TV, tha se nuk e konsideron fushatën e tij folklorike. Me ironi, ai iu përgjigj pyetjes së gazetarit dhe analistit Mentor Kikia, i cili iu drejtua duke thënë se po bën një fushatë folklorike ku mblidhen, kërcejnë e dëgjojnë barcaleta. 

Rama ironizoi duke thënë se ata "ju jeni njerëz që jetoni me Wagnerin dhe Shekspirin, ne të tjerët këto kemi Noizyn, muzikën popullore, qytetare korçare e shkodrane". 

Pjesë nga diskutimi: 

Mentor Kikia: Ndërkohë keni shkruar që në BE shkohet vetëm me BE, pse jo me Arlind Qorrin...

Edi Rama: Me kë? Ku punon ti? T’i shpjegoj unë...

Mentor Kikia: Integrimi në BE nuk vendoset me votë në BE se do të kishim hyrë me kohë. Mund të jetë moment historik i artë por BE nuk është furgoni i Fushë Krujës se hajde se dy u mbush. Ke biletë a jo, i ke shkundur ose jo pantallonat, futuni se do nisemi. BE mund të jetë në momentin historik që të hapë dyert, por përmbyllja e kapitujve kërkon në mënyrë rigoroze plotësimin e të gjitha kritereve në çdo kapituj...

Edi Rama: Do ta bënte këtë vend një shtet që e ka arkitekturën e vet. 

Mentor Kikia: Kur këto afate janë vendosur nga ata, pse e personalizoni se vetëm ju e çoni në BE. E treta, nëse në të vërtetë jeni të bindur se mbyllen negociatat në 2027 dhe në 2030 të jemi në BE, po sikur t’ju propozohet që të bëni një kontratë publike me shqiptarët që nëse kjo nuk ndodh në 2027 që ju jeni të gatshëm ta ndërprisni qeverisjen e këtij vendi? 

Edi Rama: Këto afate nuk janë vendosur në mënyrë abstrakte. E para, këtë pjesën e fushatës folklorike se kuptoj çfarë do me thënë. Më thuaj ça momentesh ka?

Denis Minga: Kam një kolazh të shkurtër?

Edi Rama: Ç'do me thënë momente folklorike?

Denis Minga: Ai kërcimi me Noizyn, me ato plakat që kërcenin.

Edi Rama: Ju jeni sërë e lartë që dëgjoni Wagner. Jeni njerëz që jetoni me ëagnerin dhe Shekspirin. Ne të tjerët këto kemi Noizyn, muzikën popullore, qytetare korçare e shkodrane. Ju jeni me Wagnerin dhe Shekspirin...po ça domethënë kjo.

Ora 21:23
‘Kriteret i kemi plotësuar’, Rama për Report TV: BE ka hapur dyert se ka edhe interesin e saj! Integrimi nuk është as iluzion dhe as truk magjistari, por mundësi historike

Gjatë intervistës në emisionin "Repolitix" të gazetarit Denis Minga në Report TV, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria i ka plotësuar kriteret prej vitesh për hapjen e negociatave, por kjo e fundit nuk e ka hapur derën. Rama e krahasoi BE me një "shtëpi të pasurish", që e hap derën vetëm kur ka interesin e saj.

Sipas tij, BE s'i ka dhënë asnjë vendi tjetër kaq pak vite afat për të përmbyllur procesin e negociatave.

"Ka një ndryshim të madh sepse Shqipërisë i kanë dhënë tre vjet afat. Nuk ia kanë vënë askujt më përpara. Nuk ka pasur hapje dhe mbyllje 3 vjet. Ne na kanë dhënë 3 vjet, sepse duan të fusin brenda Shqipërinë bashkë me Malin e zi dhe rendja e madhe për të arritur të mbyllim negociatat lidhet me faktin se ata duan të fusin brenda anëtarë të rinj. Pra ti mund të jesh gati të bësh hapat drejt BE, ne kemi qenë gati disa vite rresht. E ka thënë komisioni hapini negociatat, por kjo nuk mjafton. Ata janë një shtëpi të pasurish, dhe shtëpitë e pasurve nuk e mbajnë derën hapur. E kanë derën mbyllur. Ti mund t’i biesh derës sa të duash, e hapin vetëm kur ata që janë brenda kanë interes të të hapin derën. Kriteret i kemi plotësuar disa herë që dera të hapej për negociatat. E ka thënë Komisioni dhe Këshilli që është shtëpia e të pasurve, 27 anëtarë brenda dhe që kanë rregullin që duhet të jenë të gjithë dakord, 26 mund të thotë hape dhe njëri thotë jo se më dhëmb koka, nuk hapet dera.", tha Rama.

Sipas Ramës, nuk është as "iluzion" dhe as "truk magjik", por historike mundësia për t'i përmbyllur negociatat deri në vitin 2027.

"Interesi i BE është që të japë një mesazh për të gjithë botën dhe të shtrëngojë radhën në kushtet kur edhe çështja e sigurisë është bërë çështje e madhe e të gjithëve së bashku në Evropë. Patjetër që duhet të plotësosh kriteret. Ti mund t'i plotësosh kriteret dhe prapë nuk mjafton. Ata mund të duan të të fusin ty por pa kritere s’të fusin. Ne kriteret i kemi plotësuar, tani u kap dera. Tani na vunë përpara kalendarin dhe thonë se me Shqipërinë duam ta mbyllim për tre vjet. Arsyeja pse ata në ndërkohë i kanë dhënë kaq shumë besim Shqipërisë është se ne në procesin e screenning ishim mbresëlënës. Ata se prisnin përgatitjen e Shqipërisë. Kanë ndikuar të gjitha. Ky është momenti që të mbyllim këtë, as iluzione, as truk magjistari, por mundësi historike. Dera është hapur dhe ne duhet të bëjmë tonën. Dhe nëse e bëjmë tonën deri në 2027, ne mbyllim negociatat.", shtoi ai. 

Ora 21:20
Integrimi/ Rama për Report TV: Nuk e them unë që në 2027 mbyllen negociatat, BE na ka hapur derën! Nuk e bëri asnjëherë më parë

Kryeministri Edi Rama, në emisionin "Repolitix" në Report TV, tha se nuk është ai që ka thotë se negociatat do të mbyllen në vitin 2027, por BE. Në përgjigje të një pyetje që bëri analisti Arion Sulo, i cili përmendi një deklaratë të ish-kryenegociatorit të Shqipërisë në BE Zef Mazi se mbyllja e negociatave në vitin 2027 është një iluzion, Rama tha se  këtë periudhë e kanë me plan dhe kalendar në tryezë.

"Nuk e them unë se në 2027 do të mbyllim negociatat. Zef Mazi është miku im, njeriu që ka qenë kryenegociator në fazën e  parë por ka kohë që ka dalë informacion dhe nuk ka ndoshta updetuar informacionin. Këtë e kemi në tryezë me plan dhe kalendar.

Nuk ka asnjë por. Në tryezë me BE ne kemi kalendarin dhe plani i dakordësuar me ata është që ky është kalendari, ja kjo është rruga për të mbyllur negociatat brenda 2027. Nuk e kanë thënë kurrë këtë gjë më përpara. Nuk është hapur dera më përpara.", tha Rama.

Më tej, Rama tha se BE unanimisht jo vetëm që nuk e refuzon më idenë e zgjerimit por edhe e mbështet. Teksa analisti i përmendi Malin e Zi, kryesocialisti tha se vendi fqinj i ka nisur prej vitesh negociatat dhe ende nuk i ka mbyllur, ndërkohë që Shqipëria në kaq pak kohë ka bërë përparim të madh.

"Nuk është hapur dera për Shqipërinë asnjëherë më përpara sot është hapur. Ta shpjegoj edhe Malin e Zi. Dera nuk ka qenë e hapur më përpara. Këtë muhabet mund ta bësh ti, Zefi e kushdo tjetër përpara kësaj faze. Mund të thoshin ore shiko ju këtë thoni, ata këtë thonë por ndërkohë ja ku janë negociatat. Sot jemi në kushte të tjera. Kushtet e reja janë këto. E para BE unanimisht jo vetëm nuk e refuzon më idenë e zgjerimit por edhe e mbështet.", u shpreh Rama.

Ora 21:14
Rama për Report TV: Nuk është e vërtetë që s’ka përballje me kundërshtarët! Ne ‘flasim’ me bilanc pune, sondazhet na nxjerrin forcë dominante 

Kryeministri Edi Rama tha gjatë intervistës në emisionin “Repolitix” në Report TV që pretendimet se nuk ka përballje në fushatë nuk janë të vërteta dhe se ata “flasin” me bilanc pune.

Duke iu përgjigjur pyetjes së analistit Arion Sulo, se fushata është e qetë për shkak se nuk ka përballje, kreu i PS tha se bilanci i punëve të tyre është i prekshëm për qytetarët, përndryshe nuk do të ishte e mundur që në të gjithë sondazhet e kryera deri më tani të dilnin një forcë dominante.

“Qytetarët dallimin e kanë bërë, e kanë mbyllur dhe e kanë shumë të qartë. Se jetojnë në jetën reale dhe përputhin çfarë thuhet dhe shohin e kanë. Në të gjitha këto kënetat e vogla thuhet që Rama premtoi ujë, ujë s’ka. Ndërkohë që shumica dërrmuese kanë ujë dhe kur ata më dëgjojnë mua që them kemi bërë kaq, e kaq në këtë qark, kthejnë sytë nga rubineti i tyre dhe ka ujë. Këto dy gjëra përputhen. Unë kam premtuar ujë 24 orë dhe në shumicën dërrmuese të qyteteve uji është 24 orë sot që flasim, me ndonjë përjashtim. Prandaj fitojmë ne se ju nuk dini sa qytete ka Shqipëria. Ngaqë jeni shumë qytetarë të koncentruar në qendër të Tiranës, si konsideroni qytete ato por qyteza. Unë kam folur pafund për programin.

Ideja që s’ka përballje, program apo qytetarët s’po shohin gjë dhe që s’ka politikë është e pavërtetë sipas meje. Është e kundërta. Ne kemi bilanc dhe qytetarët jetojnë me këtë bilanc.  Nëse ne do të tregonim një bilanc që qytetarët s’e prekin nuk do të ishim sot në të gjithë sondazhet e opinionit një forcë absolutisht dominante. Ishe edhe ti protagonist te ajo skena që më ka lënë mua pa fjalë me ditë të tëra kur komentonit sondazhin e sondazhistit të Donald Trump kur thoshin se ky popull është i sëmurë”, u shpreh kryeministri.

Ora 21:07
Drejt fundit të fushatës, Rama për Report Tv: 2021 kishte tjetër atmosferë, opozita s’e arrin kurrë atë rezultat 

Pak ditë para zgjedhjeve të 11 Majit, kryeministri dhe kryetari i PS Edi Rama është i ftuar në emisionin "Repolitix" me Denis Mingën në Report TV përballë analistëve dhe gazetarëve Armand Mero, Arion Sulo dhe Mentor Kikia.

Rama e përshkroi fushatën si më të qetë, që sipas të cilit, në këtë ndikon edhe fakti që shumica më e madhe e qytetarëve, përtej atyre që do votojnë për PS, mendonë se në fakt socialistët do të fitojnë. 

“Unë mund ta konfirmoj që është më e qeta që unë kam parë dhe ndjekur ndonjëherë nga ky pozicion ku jam. Ne nga ana jonë kemi bërë një plan që bazohet tek nevoja për të komunikuar por pa ekzagjeruar në aspektet e dekorit, pjesës jo përmbajtësore por më shumë sipërfaqësore. Për të tjerët nuk di ça të them por besoj se influencon edhe fakti se një shumicë më e madhe sesa shumica që do të na votojë ne mendon që ne do të fitojmë, kështu që edhe motivimi nuk është i madh.”, u shpreh kryeministri. 

I pyetur nga moderatori për faktin se ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, ndërkombëtarët janë më të heshtur, teksa përmendi ambasadën amerikane, Rama tha se në 2021 ka qenë tjetër atmosferë. Kryesocialisti shprehu bindjen se më 11 Maj, opozita nuk do ta marrë kurrë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021. 

“2021 ka pasur tjetër atmosferë, tjetër tension. Ata ishin të bindur që do të fitonin, të bindur se që ne do të humbisnim. Ishin më të organizuar sesa janë sot. Edhe rezultatin e 2021 nuk e arrijnë më.”, u shpreh Rama. 

Pyetjes  së gazetarit Armand Mero, se fushata është fokusuar vetëm te emri i tij dhe PS, kreu i qeverisë iu përgjigj: 

“Në fletën e votimit është subjekti dhe lideri i partisë. Nga ana tjetër, në të gjithë planetin demokratik, vetvetiu fushata qendërzohet te udhëheqësit e alternativat. Nuk është një zgjedhje. Është ndërtuar edhe mbi bazën e leximit të publikut në kuptimin e anketimeve që ne bëjmë edhe me fokusgrupet që bëjmë dhe është arritur në këtë përfundim që duhet të jenë të dy emrat së bashku siç janë në fletën e votimit.”

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata drejt fundit, a ju kanë bindur partitë që të votoni më 11 maj?