Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili ka paralajmëruar të mos njohë rezultatin e 11 majit, në një nga format e reagimit është shprehur se do të informojë ndërkombëtarët me prova sipas tij se zgjedhjet u vodhën. Por ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, tha se Brukseli ka folur qartë për zgjedhjet në Shqipëri, e nëse një forcë politike mendon të kundërtën për procesin, të ndjekë rrugën e ankimimit në organet përkatëse.
“Ka pasur një deklaratë shumë të qartë nga Brukseli. Çdo parti e cila mendon apo ndjen se ka pasur parregullsi, patjetër le t’i raportojë ato e të ankohet te organet përkatëse, që janë organet që administrojnë zgjedhjet dhe natyrisht edhe te organet e tjera përkatëse. Kjo është mënyra se si duhet të shkojnë gjërat”, u shpreh Gonzato
Nga Korça, ku gjendej në takim pune, ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, theksoi se administrimi i zgjedhjeve është përgëzuar nga OSBE/ODIHR, por në të ardhmen kërkohet një reforme e re gjithëpërfshirëse
“Siç e ka thënë edhe përfaqësuesja e lartë Kallas: Është koha tashmë që qeveria shqiptare, por edhe Parlamenti, të miratojnë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, e cila të përfshijë të gjitha rekomandimet e shkuara dhe të tashme nga OSBE/ODIHR. Rezultati dhe përgjegjësia bie mbi qeverinë që të ndërmarrë e të kryejë këtë reformë kaq të gjerë, sepse me patjetër që i ka numrat”, theksoi ambasadori i BE.
Në fund, ambasadori i BE vlerësoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për punën që kanë bërë, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK-un, që sipas tij, kanë qenë një bashkëpunim ekzemplar gjatë zgjedhjeve të 11 Majit.
Komente
